Lënia e Kosovës jashtë Samitit për Demokraci ka vazhduar të komentohet në forma të ndryshme. Në Presidencë i kanë quajtur tendencioze deklaratat e opozitarëve se Kosova po shkon drejt izolimit ndërkombëtar. E njohës të rrethanave kanë listuar “gabimet” që sipas tyre, çuan në mosftesën e Kosovës për pjesëmarrje në Samitin për Demokraci
Prishtinë, 7 nëntor - Mungesa e Kosovës në mesin e 100 shteteve që do të flasin për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, ka vazhduar të nxisë reagime. Derisa për opozitën, liderët e shtetit po rrëshqasin drejt një izolimi ndërkombëtar, përfaqësues të institucioneve i kanë quajtur tendencioze narrativat e tilla.
Por njohës të rrethanave thonë se mosftesa nga ana e SHBA-së duhet të përbëjë mesazh për Kosovën.
“Ky është një sinjal i parë apo një flakaresh diplomatik për qeverinë, Republikën e Kosovës, duke i treguar që nuk je në mesin e vendeve që ne i konsiderojmë mike të demokracisë. Mos harroni, na kanë rreshtuar me Bjellorusinë, Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën, Hungarinë e kështu me radhë. Nuk mundet Kosova të rreshtohet me vendet antidemokratike dhe antiamerikane”, ka thënë Dritëro Arifi, ligjërues i shkencave politike. “Të kuptohemi, nuk është vetëm kjo qeveri që ka bërë veprime antiamerikane, por janë edhe të mëparshmet duke filluar prej ish-kryeministrit Haradinaj, qeveria Kurti 1 dhe 2. Por, problemi është te mësimet e marra. Këta nuk po mësojnë nga e kaluara asgjë, pasi edhe demokracinë po e shohin nga këndvështrimi ideologjik dhe kjo do të na dëmtojë në të ardhmen e afërt. Mendoj se liderët janë të vetëdijshëm për këtë, por nuk po dëshirojnë ta pranojnë”.
Ligjëruesi i Shkencave Politike ka listuar gabimet që e lanë jashtë Kosovën, duke shtuar se po vazhdohet me politikat të cilat nuk janë në sinkron me vlerat që promovon Amerika.
“Pika e parë ka të bëjë me prononcimet e zyrtarëve publikë, duke thënë se Kosova ka qenë shtet i kriminalizuar, i korruptuar e kështu me radhë, po flas për Asamblenë e Kombeve të Bashkuara dhe deklaratat në Këshill të Sigurimit. E dyta, ka të bëjë me prononcimet e kryeministrit, por edhe presidentes sa i përket Asociacionit të Komunave Serbe. Nuk ka nevojë të prononcohen publikisht, por duhet të debatohet me miqtë tanë si të gjendet zgjidhja. E treta, besoj ka të bëjë me mosprononcimin e qeverisë Kurti për vendimin e Gjykatës Kushtetuese sa u përket pronave rreth Manastirit të Deçanit, zbatimin e të cilit vazhdimisht e ka kërkuar Ambasada Amerikane. Po flasim që pesë vjet dhe nuk ka ndodhur asnjë veprim. E dimë se qeveria nuk ka asnjë ingerencë por të paktën nga aspekti i barazisë para ligjit dhe i demokracisë së përgjithshme duke i trajtuar të gjithë të barabartë, do duhej të deklarohej. Pra, aty ku nuk i pëlqen qeverisë një vendim i ndonjë gjykate nuk deklarohet dhe nuk e mbron parimin e demokracisë”.
Sipas Arifit, ka iniciativa nëpërmjet të cilave SHBA-ja po provon ta fusë Kosovën në rendin, sigurinë dhe politikën e jashtme amerikane.
“Kam përshtypjen se nuk po e kuptojmë cili është orientimi i Kosovës në politikën e jashtme, pasi vetëm me deklarime nuk bëhet asgjë”, ka potencuar ai.
Presidenca i quan tendencioze narrativat për izolim
Të dielën kanë reaguar nga presidenca duke i quajtur të pabaza tendencat për gjoja izolim nga Shtetet e Bashkuara.
“Tendenca e ca figurave opozitare për krijimin e narrativit për gjoja izolimin e presidentes janë të pabaza. Presidentja nga prilli ka realizuar mbi 30 takime me homologë të saj. Në raport me SHBA-në, mes tjerash, ka pasur komunikim me presidentin Biden e ka biseduar me zëvendëspresidenten Harris”, ka shkruar Shefi i Stafit në Presidencë, Blerim Vela. “Si rezultat i partneritetit të tillë me SHBA-në janë siguruar mbi 500 mijë vaksina, është përcjellë video-adresimi personal i Presidentit Biden dhe është realizuar strehimi i përkohshëm i refugjatëve afganë. Të gjitha këto janë realizuar pa shtyrë ide për copëtimin e Kosovës”.
Një ditë më herët, këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, përmes një reagimi në “Facebook”, fajin për mospjesëmarrjen e Kosovës në këtë samit, ua ka lënë qeverisjeve të kaluara.
Ndërkaq ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ka thënë se Kosova asnjëherë që nga paslufta nuk ka qenë më e izoluar në rrafshin ndërkombëtar.
“Diplomacia amerikane dhe politika e saj e ambiguitetit të qëllimshëm ndaj Kosovës dhe politikës së saj të rrezikshme të vetizolimit. Asnjëherë, që nga shpallja e pavarësisë, Kosova nuk ka qenë më e izoluar në rrafshin ndërkombëtar sesa vitin e fundit, ose me saktësisht, që nga ardhja në krye të shtetit e binomit Kurti-Osmani”, ka shkruar Hyseni në Facebook. “Paraqitjet skandaloze të presidentes, kryeministrit dhe ministres së Jashtme të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe forume të tjera ndërkombëtare, në të cilat predominon portretimi i Kosovës si vend i krimit dhe korrupsionit, duke pretenduar se këta janë të dërguarit e Zotit për ta ndryshuar këtë, janë mirëpritur nga kundërshtarët dhe kontestuesit e pavarësisë së Kosovës”.
Mungesa e ftesës për Kosovën është komentuar edhe në Shtetet e Bashkuara.
Ish-emisari i SHBA-së, Richard Grenell, ka thënë se Bideni është duke përbuzur Kosovën dhe Serbinë me veprimin e bërë. Sipas Grenellit, ish-presidenti Donald Trump ka qenë ai që është kujdesur për njerëzit e Ballkanit.
Ambasada Amerikane ka dhënë një arsye për mungesën e ftesës. Sipas saj, jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë.
“Samiti për Demokraci i presidentit është një nga shumë nismat amerikane e fokusuar në avancimin e demokracisë, luftimit të korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë”, ka thënë ambasada në një njoftim.
Por, ShBA-ja ka siguruar se do të punojë me Kosovën në forume të tjera, në ndërtim të demokracisë.
“Si partnere e palëkundur e Kosovës, SHBA-ja mbetet e përkushtuar që të punojë me Kosovën në forumet e tjera për të avancuar dhe fuqizuar demokracinë, parandaluar rrëshqitjen demokratike, promovuar respektimin e të drejtave të njeriut, dhe për të luftuar korrupsionin, me qëllim që bashkë të dëshmojmë se demokracitë angazhohen për nevojat e qytetarëve të tyre”, kanë deklaruar nga Ambasada.
Temat e Samitit
Presidenti amerikan, Joe Biden, do të jetë nikoqir i samitit virtual më 9 dhe 10 dhjetor, ku pjesëmarrës janë udhëheqës të qeverive, shoqërisë civile dhe sektorit privat.
Temë diskutimit do të jenë sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet demokracia nëpërmjet ofrimit të një platformë ku udhëheqësit angazhohen për ta mbrojtur demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
Përveç Kosovës, nga rajoni nuk është ftuar as Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Pas tensionimit të situatës në Bosnjë-Hercegovinë janë aktivizuar Shtetet e Bashkuara. Emisari i saj për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar këtë javë do të qëndrojë në Bosnjë.
E, një grup i kongresistëve amerikanë kanë kërkuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, t’u vihen sanksione atyre që destabilizojnë Ballkanin Perëndimor. Në letrën drejtuar Bidenit, ata kanë shprehur shqetësim për situatën politike në Serbi dhe ndikimin që kjo situatë mund të ketë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.
“Siç thatë gjatë vizitës suaj në Beograd në gusht 2016, ‘është kryesisht në interesin e vetë Shteteve të Bashkuara që populli i Serbisë të rritet dhe të përparojë’. Prandaj, dëshirojmë të inkurajojmë administratën tuaj që të angazhojë Vuçiqin në luftën kundër korrupsionit dhe sulmeve ndaj lirisë së shtypit, dy fusha që janë kritike për një Serbi të begatë dhe demokratike dhe aspiratat e saj për anëtarësim në BE”, thuhet në dokumentin e nënshkruar nga kongresmenët Raja Krishnamoorthi, Ritchie Torres, David N. Cicilline, Jan Schakowsky, James P. McGovern dhe Mike Quigley.
Kongresistët i bënë thirrje Bidenit që të shqyrtohet përdorimi i Urdhrit Ekzekutiv 14033, për të bllokuar pronat dhe ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të atyre që kontribuojnë në destabilizimin e situatës.