Komunarët e Fushë-Kosovës i kanë shpërfillur procedurat e Rregullores MF-Nr. 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve kur kishin financuar një OJQ.
Shuma e mjeteve që kishin subvencionuar, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) ka qenë 55 mijë euro.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Sipas Rregullores MF-Nr. 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, neni 2, paragrafi 1 ‘Dispozitat e kësaj Rregulloreje zbatohen nga çdo organizatë buxhetore e cila financon projektet dhe programet e OJQ-ve të cilat janë aplikues apo partner në aplikimet, sipas një thirrje publike për financim të projekteve dhe programeve të OJQ-ve, dhe të cilat i plotësojnë kriteret sipas kësaj Rregulloreje’”, thekson raporti i ZKA për vitin 2022. “Komuna te financimi i projektit ‘Mbështetja financiare për klubin e futbollit Fushë Kosova’, përmes vendimit në asamblenë komunale kishte lejuar mjete financiare në vlerë 55,000€ duke mos zbatuar procedurat përcaktuar në rregulloren për financimin e OJQ-ve, si thirrje publike për financim të OJQ-ve, trajtimi i barabartë dhe mosdiskriminimi i aplikuesve si dhe gjithëpërfshirja gjinore e përfituesve”.
Ky veprim, sipas Auditorit, kishte ndodhur si shkak i neglizhencës dhe planifikimit jo adekuat të financimit në projektet e OJQ-ve.
“Anashkalimi i procedurave ligjore, përkatësisht mosrespektimi i kritereve të rregullores për financimin e OJQ-ve, ndikon në zbehjen e parimeve të përgjithshme të financave publike duke kufizuar konkurrueshmërinë, rrit mundësinë për diskriminim dhe rrit rrezikun që fondet të mos shfrytëzohen në mënyrë efektive”, thekson ZKA-ja.
Auditori ka kërkuar nga kryetari që të sigurojë që projektet e financimit të OJQ-ve të planifikohen në kohën e duhur në mënyrë që të respektohen kriteret e parapara ligjore për financimin e OJQ-ve, me qëllimin që fondet publike të shfrytëzohen në mënyrë efektive.
KOHA ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët komunalë lidhur me gjetjet e Auditorit që prej datës 19 korrik, por deri tash ato kanë munguar.