Arbëri

Fushata në Podujevë nis me shkelje të masave anti-COVID

Tre kandidatët për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes, Nexhmi Rudari i LDK-së dhe Naim Fetahu i PDK-së, kanë hapur zyrtarisht fushatën pesëditore për të parin e kësaj komune.

Hapja u bë me aktivitete simbolike.

Por, në prani të udhëheqësve qeveritarë nuk u respektuan masat kundër përhapjes së Covid-19, raporton KOHA.

Edhe pse me masa ndalohet tubimi i më shumë se pesë personave në sheshe dhe parqe publike, në hapjen e fushatës së LDK-së kjo nuk u respektua.

E nga aty, LDK-ja ka shprehur bindjen se do ta mbajë udhëheqjen në këtë komunë.

Por dy kundërkandidatët e Rudarit, Bulliqi e Fetahu, kanë kritikuar qeverisjen 20-vjeçare të LDK-së në këtë komunë.

Bulliqi, në përkrahje të të cilit ishte kryetari i kësaj partie, Albin Kurti ka thënë se me qeverisjen e tij, nuk do të ketë punësime me libreza.

Ndërkohë, kandidati i PDK-së, Naim Fetahu, ka thënë se me keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e qeverisjen 20-vjeçare të LDK-së, qyteti i Podujevës ka mbetur i pazhvilluar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që fushata për zgjedhjet lokale në Podujevë të fillojë më 23 nëntor dhe të zgjasë deri më 27 nëntor.

Zgjedhjet për kryetar të kësaj komune do të mbahen më 29 nëntor, kur do të votohet edhe për kryetar të Mitrovicës së Veriut.