Nënkolonel Gëzim Sada, oficer i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka diplomuar me sukses në Kolegjin e Luftës të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një nga institucionet më prestigjioze për edukimin ushtarak në nivelin strategjik.
Gjatë një viti studimesh të përkushtuara, Nënkolonel Sada jo vetëm që përfundoi me sukses programin, por diplomoi njëkohësisht edhe në nivelin Master në Studime Strategjike.
“Ky sukses i Nënkolonel Sadës përfaqëson një tjetër hap përpara në profesionalizimin e kuadrove të FSK-së dhe është dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm për ngritjen e kapaciteteve të saj. Forca e Sigurisë së Kosovës shpreh mirënjohje të veçantë për partnerin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin profesional dhe institucional të FSK-së në të gjitha fushat”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit të FSK-së, kolegji i Luftës i Ushtrisë Amerikane ka për mision përgatitjen e udhëheqësve ushtarakë dhe civilë për sfidat strategjike të sigurisë globale, duke u fokusuar në përdorimin e fuqisë tokësore luftarake, politikat kombëtare të sigurisë dhe planifikimin afatgjatë./ksp
