12 ambasadorët e emëruar politikisht janë shkarkuar nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, disa prej të cilëve nuk e kanë përmbushur asnjë mandat të plotë. Derisa ministrja Gërvalla ka thënë se ky është vetëm hapi i parë drejt reformimit të shërbimit të jashtëm, opozita e ka quajtur skandal diplomatik vendimmarrjen e MPJD-së
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka liruar nga detyra 12 ambasadorët e emëruar me çelës politik nga qeveritë e kaluara.
Të liruarit nga detyra janë: Beqë Cufaj, (Gjermani), Nait Hasani (Shqipëri), Arbër Vllahiu (Çeki), Lirim Grejqevci (Holandë), Shpend Kallaba (Hungari), Gezim Kasapolli (Kroaci), Avni Kastrati (Slloveni), Gjergj Dedaj (Maqedoni e Veriut), Hajdin Abazi (Australi), Ylber Hysa (Mali i Zi), Avni Arifi (Emiratet e Bashkuara Arabe) e Amir Ahmeti (Katar).
“KOHA” merr vesh se është edhe një kontingjent i diplomatëve të rangut më të ulët të cilët së shpejti do të lirohen nga detyra.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, nëpërmjet një deklarate për media, ka thënë se ky është vetëm një hap në reformën e thellë që do t’i bëhet shërbimit diplomatik.
“Lirimi nga detyra dhe tërheqja e ambasadorëve të emëruar politikë është bërë në frymën e programit të miratuar qeveritar, i cili parasheh reformimin e shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës dhe respektimin e Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ligjit për shërbimin e jashtëm të Kosovës”, ka theksuar Gërvalla.
Sipas saj, ky vendim krijon hapësirën e domosdoshme për përmbushjen e obligimit ligjor që së paku 50 për qind e emërimeve të ambasadorëve dhe drejtuesve të misioneve të jenë nga anëtarë të shërbimit të jashtëm të Kosovës.
“Ky është vetëm një hap në reformën e thellë të shërbimit diplomatik të Kosovës. Ai do të pasohet nga vendimet e tjera në nivelin strukturor të ministrisë dhe do të mbështetet nga legjislacioni i ri, i cili do të ristrukturojë shërbimin diplomatik sipas standardeve ndërkombëtare”, ka thënë Gërvalla.
Ligji përcakton se të emëruarit politikë shërbejnë vetëm një mandat dhe pas përfundimit të tij ministria nuk ka asnjë obligim ndaj tyre.
Por, disa prej të shkarkuarve nuk e kanë përmbushur ende një mandat katërvjeçar, siç është rasti me ambasadorin Nait Hasani në Tiranë dhe ambasadorin e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi.
Dekret për lirim nga detyra kanë pranuar disa prej ambasadorëve. Ish-deputeti i PDK-së, deri tani ambasador i Kosovës në Australi, Hajdin Abazi, e ka quajtur praktikë jo të dinjitetshme mënyrën si u shkarkua.
“Në ditën që bëra fiks dy vjet nga prezantimi i kredencialeve në Australi, nga presidentja e Kosovës më erdhi dekreti për lirimin nga detyra”, ka shkruar ai, duke shtuar se kërkesa e Qeverisë për lirimin e tij në gjysmë të mandatit “nuk është praktikë e dinjitetshme në diplomaci”.
Ndërkaq opozita e ka kualifikuar skandal diplomatik shkarkimin e 12 ambasadorëve.
“Tёrheqja e ambasadorёve pa njё plan, pa njё vlerёsim tё punёs sё tyre dhe mbi tё gjitha nё mёnyrё tё padinjitetshme karshi punёs dhe integritetit tё tyre, tregon qё kjo qeveri nuk e ka idenё se si ta pёrfaqёsojё Kosovёn jashtё vendit dhe si tё sillet me shtetet me tё cilat Kosova ka marrёdhёnie diplomatike”, ka thënë deputetja e PDK-së, Ariana Shoshi-Musliu.
Kurse, Time Kadrijaj e AAK-së ka deklaruar se vendimi i ministres së Punëve të Jashtme është i papjekur politikisht dhe do të ketë ndikim negativ për politikën e jashtme.
“Kam kërkuar që në mbledhjen e ardhshme të Komisionit për Diasporë ministrja të raportojë për ‘fshesën’. Është e papranueshme që në 12 vende Kosova të mbetet pa ambasadorë. Largimi i tyre e dëmton pozitën e saj dhe dëmton partneritetin me ato shtete. Po e dëmtojmë subjektivitetin me largimin e ambasadorëve”, ka thënë ajo.
E, përfaqësues të shoqërisë civile thonë se vendimi për shkarkimin e ambasadorëve duhet të jetë hapi i parë në rishikimin që i duhet bërë shërbimit të jashtëm. Lirika Agusholli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se arsyeja kryesore e degradimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme janë emërimet politike, me të cilat është shkelur edhe kuota e përcaktuar ligjore.
“Hapi i ndërmarrë nga Ministria e Punëve të Jashtme për shkarkimin e 13 ambasadorëve mund të themi që është hapi i parë për rishikimin dhe vlerësimin e shërbimit të jashtëm të Kosovës”, ka theksuar Agusholli.
“Sidoqoftë, edhe pse është një hap i mirëseardhur, Qeveria duhet të ketë parasysh dhe duhet të na dëshmojë se emërimet e reja janë emërime me integritet të lartë profesional, duhet të jenë apolitikë dhe nuk duhet të shndërrohen në vegla politike të qeverisë e cila është në fuqi, gjë që ka ndodhur shumë kohën kur Thaçi ishte president. Pra, të emëruarit në shërbimin e jashtëm duhet të përkushtohen dhe ta vlerësojnë edhe ruajtjen e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”.
Sipas Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme, së paku pesëdhjetë për qind e të emëruarve duhet të jenë anëtarë të shërbimit të jashtëm.