Arbëri

Fshatrat Softaj, Kosinë e Zaskok prej vitesh pa zyra funksionale ofiqarie

Ferizaj, 7 nëntor - Komuna e Ferizajt ka mbyllur zyrat e gjendjes civile në fshatrat Softaj, Kosinë dhe Zaskok, në mungesë të stafit profesional dhe të hyrave të pakta për mirëmbajtjen e tyre.

Banorët ankohen se për një dokument të gjendjes civile detyrohen që të udhëtojnë me dhjetëra kilometra deri në qytetin e Ferizajt.

Thonë se objektet e ofiqarive nëpër fshatra i plotësojnë kushtet teknike për funksionim.

“Gjendja e objektit të ofiqarisë ka mbetur peng, sepse në të kaluarën këtu ka punuar një punonjës nga fshati Koshare, por pasi që ka vdekur nga COVIDI, prej atëherë kjo zyrë ka mbetur e mbyllur”, ka deklaruar Hysen Reshani, përfaqësues i fshatit Kosinë.

Banorët e këtij fshati i luten Komunës së Ferizajt që ta rihapë sa më parë këtë zyrë.

“Unë i lutem Komunës që sa më shpejt le ta çojë një punëtor për të punuar këtu, sepse po vijnë banorët prej lokaliteteve tjera dhe po kthehen prapë. Marri është për neve gjashtë fshatra përreth mos të kemi një njeri që punon këtu”, ka thënë Avdyl Jashari, banor i fshatit Kosinë.

E objekti i ndërtuar në fshatin Pojatë ka nisur të dëmtohet.

“Objekti është ndërtuar që katër vjet me siguri. Ka nevojë që të hapet, sepse është rrethinë si Rahovicë, Softaj, Pojatë, Sazli, edhe Papazë. Pra, ka nevojë të lëshohet sepse për çdo ditë po dëmtohet objekti, e kanë dëmtuar fëmijët duke luajtur në atë”, është shprehur Islam Sahiri, banor i fshatit Pojatë.

Nesret Ademi, udhëheqës i gjendjes civile në Komunën e Ferizajt, ka dhënë arsyet për mbylljen e tyre.

“Pasi që po shihet se numri i punëtorëve është çdo ditë në rënie, shembull, Komuna apo gjendja civile është me katër punëtorë më pak duke funksionuar. Nevoja më e madhe është që të jetë një punëtor i cili punon e që ka kritere dhe kushte për të certifikuar si zyrtar i gjendjes civile, janë disa kritere shumë të rënda. Sipas statistikave me një fshat shërbimi bëhet 24 certifikata, ndërkaq këtu një zyrtar i kryen mbi njëqind shërbime”, ka thënë Ademi.

Banorët shpresojnë që Komuna të gjejë zgjidhje për ta rregulluar këtë çështje.