Me ndërtim të fabrikës për prodhim municioni, blerje të dronëve, sistemeve antitank e atyre sulmuese dhe pajisjeve të tjera, Forca e Sigurisë e Kosovës po shndërrohet në një formacion gjithnjë e më serioz. Ata që udhëheqin me të, si armë kryesore e vlerësojnë dorën e zgjatur të aleatëve. Në këtë mes prijnë SHBA-ja dhe Turqia
Në një hapësirë mbi 130 hektarëshe në fshatin Jahoc të Gjakovës do të ngrihet fabrika e parë në Kosovë për prodhim të municioneve.
Qeveria në detyrë, për t’i hapur udhë finalizimit të këtij projekti, muaj më parë e ka shpronësuar hapësirën e ish–kombinatit “Ereniku”.
Në një intervistë për KOHËN, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se vendi do të shndërrohet në zonë industriale, ku mundësi investimi do të kenë edhe kompani të tjera private, gjithnjë që lidhen me industrinë e mbrojtjes.
“133 hektarë në Jahoc të Gjakovës, që janë të destinuar tanimë me vendim të Qeverisë, do të jenë në shfrytëzim të industrisë së mbrojtjes, më saktësisht në atë pjesë do të vendoset zona industriale e mbrojtjes, ku përveç fabrikës së municionit, e cila tanimë vetëm është kontraktuar me kompaninë prodhuese dhe për të cilën po bëjmë hapa konkretë për funksionalizimin e saj, ne do t’u japim mundësi edhe operatorëve, pra prodhuesve privatë”, ka thënë ai.
Në fabrikë, ku sipas planifikimeve plumbat e parë do të dalin në fund të vitit 2026, do të prodhohen dy kalibra standard të NATO-s.
Për këtë, Qeveria ka firmosur me kompaninë turke “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE).
Sipas Maqedonicit, pos llojit të municionit, edhe objekti e makineritë do të jenë të standardeve të NATO-s.
“Kosova në vitin e ardhshëm, besoj deri në fund të vitit, do të jetë në gjendje që të prodhojë fishekun apo plumbin e parë të prodhuar ndonjëherë në Kosovë”, ka thënë ai.
Fabrika e municioneve është menduar të drejtohet nga një kompani publike.
Dhe në kohën e pasigurisë së madhe globale, kërkesa për armë dhe municion është bërë tejet e madhe.
Kosova, pos për nevojat e saj, synon të përfitojë nga shitja e këtyre dy lloj kalibrash.
“Dihet që në vendet e rajonit nuk është që ka shumë prodhim, sidomos të këtyre dy kalibrave, jo vetëm në vendet e jashtë rajonit, por edhe më gjerë dhe nevoja për këto dy lloje të kalibrave është shumë e madhe për në krejt vendet e NATO-s. Unë besoj që përveç vetëqëndrueshmërisë që do të na mundësojë kjo fabrikë në aspektin e municioneve për institucionet tona të sigurisë, do të gjenerojë edhe të hyra, duke qenë edhe eksportues i municioneve në vendet e NATO-s dhe normalisht në vendet e rajonit”, ka deklaruar Maqedonci.
Sipas marrëveshjes, kompania turke “MKE” do ta furnizojë Kosovën me pajisje për prodhimin e gëzhojave dhe barotit, me linja të montimit dhe të ngarkimit, si dhe me laboratorë e pajisje testimi. Po ashtu, ekspertë turq do të ofrojnë të gjitha trajnimet e nevojshme në prodhim, mirëmbajtje, riparim dhe asistencë teknike.
Rreziku i madh
Por cila është forca e vërtetë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në një kohë kur temë kryesore e diskutimeve është bërë siguria, si shkak i luftërave në Rusi e Lindje të Mesme, shtetet janë hedhur në garë për të siguruar sa më shumë armatim, e ato që prodhojnë vetë, e kanë koncentruar ekonominë në ushtarake.
Për shkak të natyrës së ndjeshme, sekretet janë arma kryesore e ushtrive. Edhe për FSK-në nuk ka shumë të dhëna, pos atyre që shfaqen me vendim të institucioneve, apo kur mediat vendore e të huaja zbulojnë ndonjë blerje.
Së fundi, është bërë e ditur se Kosova ka lidhur marrëveshje me një kompani amerikane për blerjen e sistemeve “Humvee HawKeye”, një lloj sistemi i lehtë që kryen funksionin e tankut. Kalibri i mortajës është 105 mm dhe tyta është e vendosur mbi automjetet “Humvee”, që janë të lehta për dislokim.
Po ashtu, pjesë e arsenalit të FSK-së së shpejti do të jenë edhe sistemet antitank “Panzerfaust 3”, prodhim gjerman.
Ndërkohë që Forca e Sigurisë e Kosovës tashmë posedon shumë lloje të armatimit modern, teknologji të avancuar, sisteme ajrore pa pilot, mjete taktike e të tjera.
Zyrtarë të lartë qeveritarë në disa raste kanë përmendur rrezikun nga Serbia, si shkak për nevojën e domosdoshme të forcimit të ushtrisë.
“Situata mbetet fragjile për shkak të çështjeve të pazgjidhura në mes të vendeve, duke përfshirë këtu edhe çështjen në mes të vendit tonë dhe fqinjit tonë verior, që vazhdon të ketë qasje hegjemoniste në raport me të gjithë, në veçanti me Kosovën. Pra Serbia, Kosovën edhe me Kushtetutë e sheh si pjesë të saj, që patjetër përkthehet pastaj në kërcënim”, ka thënë Maqedonci.
Si dëshmi e operacioneve destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës, Maqedonci përmend sulmin në Banjskë të Zveçanit më 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, e po ashtu edhe sulmi mbi kanalin e “Ibër Lepencit”.
Dronë për sulm, monitorim e kamikazë
Më kalimin në vitin e ri kalendarik, tranzicioni dhjetëvjeçar i FSK-së në ushtri futet në periudhën e fundit. Në këtë periudhë, sipas planit për FSK-së, është paraparë të blihet edhe armatimi më i rëndë.
Sipas ministrit në detyrë, Qeveria edhe deri më tash ka realizuar investime të konsiderueshme në fushën e mbrojtjes, duke ndërtuar gradualisht kapacitete ushtarake që u përgjigjen nevojave të sigurisë.
“Gjatë kësaj periudhe janë investuar katërqind e tridhjetë milionë euro për blerje të sistemeve të armatimit, duke filluar nga kapacitetet ajrore, që tanimë janë publike e sistemet e ndryshme antitank, që tanimë i kemi në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Maqedonci ka thënë se Forca e Sigurisë e Kosovës tashmë disponon tri lloje dronësh, të cilët përdoren për misione të ndryshme vëzhgimi dhe operacionale.
Në fillimshtatorin e vitit 2025, Kosova ka pranuar fluturaket pa pilotë “AeroVironment RQ-20 Puma” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pagesa për këtë sistem është bërë në vitin 20211 nëpërmjet programit shtet më shtet, të njohur si “Foreign Military Sale”.
“Ne kemi tri lloje të dronëve. I kemi dronët për distanca të largëta që janë dronë vëzhgues dhe dronë luftarakë, pra ‘TB2 Bayraktar’, që i kemi prokuruar në vitin 2022, pastaj kemi dronët ‘Puma’ që i kemi pranuar këtë vit, por edhe dronët njëpërdorimesh kamikazë që janë ‘SkyDagger’”, ka deklaruar ai.
Ai nuk pranon të flasë me shifra, por thotë se nëse të gjithë mblidhen bashkë, atëherë janë me mijëra dronë në FSK.
Dronët “Bayraktar” janë të njohur tashmë me fuqinë që kanë shfaqur në disa zona të luftës, sulmojnë në distanca të mëdha e kanë edhe autonomi të veprimit të madh.
Dronët “RQ-20 Puma” vijnë si pako, ku pos tre dronëve janë dhe dy stacione bazë e që kryesisht përdoren për misione monitoruese dhe taktike.
E dronët turq “SkyDagger” janë kamikazë njëpërdorimësh.
Sistemet e ndryshme antitank
Që kur është programuar transformimi i FSK-së në ushtri, është planifikuar të jetë forcë mbrojtëse, pra jo sulmuese. Në funksion të kësaj edhe blerja është realizuar në kapacitete mbrojtëse. Ndër to, janë edhe sistemet antitank.
Tashmë FSK-ja ka disa lloje.
“Ne kemi siguruar sisteme të ndryshme antitank, duke filluar nga ‘Har 66, OmTASh’ e deri te ‘Javelin’, të cilat kanë rreze të ndryshme efektive qitjeje. Këto sisteme janë të dizajnuara për të përmbushur nevojat e njësive të ndryshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës, varësisht nga misioni dhe dizajni i njësive”, ka deklaruar ministri.
Këtyre llojeve, ditëve të fundit është raportuar se do t’u shtohen edhe sistemet gjermane “Panzerfaust 3”.
Në arsenalin e ushtrisë ka edhe lloje të ndryshme të mortajave e po ashtu të kalibrave të ndryshëm, që shkojnë deri në 120 mm me rreze veprimi deri në nëntë kilometra.
Një tjetër komponent i rëndësishëm i modernizimit të FSK-së, sipas Maqedoncit, janë automjetet taktike dhe ato të blinduara.
“Kemi siguruar automjete të ndryshme taktike dhe transportuese, duke përfshirë automjete nga ‘Rheinmetall, Mercedes’, ‘ESV Guardian’, ‘Hanwha Kobra’ dhe mjete të tjera të blinduara. Këto automjete rrisin ndjeshëm lëvizshmërinë, sigurinë dhe kapacitetet operacionale të njësive tona”.
Kosova është e fokusuar në armatimin e vendeve anëtare të NATO-s, e në krye të listës janë SHBA-ja dhe Turqia. Por ka edhe të tjera.
“Kryesisht blerjet i kemi bërë nga SHBA-ja, Turqia, Gjermania, Kroacia, Italia, Republika Çeke dhe Mbretëria e Bashkuar, mirëpo jemi në koordinim dhe diskutim edhe me vendet e tjera të NATO-s për blerje të tjera të mundshme dhe që normalisht ne kemi gjithmonë fokus që këto blerje të jenë në përputhje me nevojat që ka Forca e Sigurisë e Kosovës”, ka thënë ai.
Në gjithë këtë listë të vendeve që ia kanë hapur dyert Kosovës, Maqedonci ka veçuar dy shtete – SHBA-në dhe Turqinë. Dhe jo vetëm për blerje armatimi e municioni, për përkrahjen e vazhdueshme në ndërtim të kapaciteteve ushtarake në përgjithësi.
Por jo gjithçka është e blerë. Ushtria e Kosovës deri më tash ka marrë edhe shumë donacione.
“Ne përveç blerjeve, normalisht që pranojmë edhe donacione nga disa vende. Mund të theksoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Turqia prijnë me aspektin e donacioneve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Aleanca ushtarake
Hiç armatimit, Kosova mburret edhe me një mini-aleancë të krijuar së fundi, e ku është pjesë e saj.
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia më 18 mars 2025 nënshkruan një deklaratë në Tiranë, përmes së cilës vendet angazhohen ta forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Tri shtetet janë zotuar ta rrisin ndërveprueshmërinë mes ushtrive, përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, të angazhohen që t’i luftojnë kërcënimet hibride, si dhe t’i koordinojnë politikat për integrime euroatlantike.
Kjo ka ngjallur reagime të mëdha në Serbi, por Maqedonci insiston se nuk është e drejtuar ndaj asnjë shteti.
Përfitimet, sidomos për Kosovën, janë të mëdha.
“Jemi duke e përfunduar tanimë planin e veprimit për zbatimin e shumë hapave dhe shumë objektivave që janë në kuadër të kësaj, mund të themi marrëveshje. Jemi dëshmitarë dhe shohim përditë bashkëpunimin në aspektin e trajnimeve dhe ushtrimeve që janë duke u realizuar. Jemi duke punuar dhe gjithashtu edhe në aspektin e shkëmbimit të personelit në akademitë tona respektive si me Kroacinë, gjithashtu dhe me Shqipërinë”.
Shqipëria, falë një iniciative private, ka nisur me prodhimin e autoblindës me emrin “Shota”.
Kosova, sipas Maqedoncit, ka shprehur gatishmërinë që të përfshihet në këtë projekt.
“Ne si Kosovë kemi shfaqur gatishmërinë që Kosova të jetë pjesë e projektit të përbashkët të prodhimit bashkë me Shqipërinë të këtyre autoblindave, por gjithashtu jemi edhe në kontakt me Kroacinë, që edhe ata janë pjesë e këtij projekti të përbashkët të tri vendeve tona”, ka thënë ai.
Forca e Sigurisë më 2025 pati buxhet mbi 200 milionë euro.