Fondacioni për Mbrojtjen e ish-presidentit Hashim Thaçi ka kërkuar ndihmën e institucioneve në financimin e mbrojtjes së Thaçit. Në reagimin publik të bërë nga fondacioni, Ministria e Drejtësisë akuzohet se nuk i paguan shpenzimet për avokatët me të cilët nuk ka marrëveshje të nënshkruar. Sipas Fondacionit, shumica e shpenzimeve për mbrojtjen e Thaçit janë paguar nga donacionet e jo nga shteti
Fondacioni “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit” ka reaguar kundër sqarimeve të Ministrisë së Drejtësisë, sipas së cilës janë kryer me rregull pagesat ndaj mbrojtjes së ish-presidentit që po përballet në Hagë me akuzat për krime lufte.
Reagimi është bërë një ditë pas publikimit të njoftimit të avokatit Gregory Kehoe se do të tërhiqet nga rasti shkaku që klienti i tij s’po mundet t’i mbulojë obligimet financiare.
Në reagim theksohet se shumica e shpenzimeve deri më tash janë paguar nga donacionet. E, sipas burimeve të KOHËS, rreth 10 fish më shumë ka paguar fondacioni për 7 nga 8 avokatët sa janë në ekipin mbrojtës sesa Ministria e Drejtësisë për njërin.
Sipas Fondacionit, politikat e aplikuara nga Ministria e Drejtësisë kanë prodhuar këtë situatë.
“Si pasojë e rishikimit të akteve nënligjore nga Ministria e Drejtësisë, me të cilat është kufizuar tej mase mundësia për kompensimin e shpenzimeve të ekipeve mbrojtëse në procesin gjyqësor të Hagës, edhe përkundër që ligji në fuqi ka krijuar bazën juridike për të mbuluar këto shpenzime, rrugëzgjidhja e vetme ishte ndërprerja e kontratës me një pjesë të ekipit mbrojtës të Thaçit për shkak të pamundësisë financiare për t’i mbuluar këto shpenzime”, thuhet në reagimin e Fondit. “Ministria e Drejtësisë ka vendosur që të realizojë pagesa vetëm me avokatët me të cilët ka marrëveshje, pa e specifikuar kufizimin e marrëveshjes vetëm për një avokat, që në rastin e presidentit Hashim Thaçi mund të mbulojë vetëm shpenzimet e avokatit Luka Misetiq”.
Avokati Amer Alija, i cili është ekspert ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare, thotë se është e madhe nevoja për financimin e mbrojtjes në rastet gjyqësore për krime lufte.
“Sigurisht që i kemi edhe dy fondet publike për Veselin dhe për presidentin Thaçi, ku njerëzit i tubojnë mjetet monetare për t’i ndihmuar në përfaqësimin e klientëve, në përfaqësimin e të pandehurve apo pagesën e avokatëve. Tani sigurisht që fondet e pamjaftueshme apo nevoja për fonde është e madhe për shkak se këto raste janë mjaft sensitive dhe jo çdo avokat mund të angazhohet në këto procedura”, ka thënë avokati Alija.
Ministria e Drejtësisë bëri të ditur një ditë më parë se ka paguar vetëm Lluka Mishetiqin, njërin nga tetë avokatët e Thaçit me të cilët ka marrëveshje. Sipas saj, atij i janë paguar 3.5 milionë euro gjatë periudhës 2021-2023.