Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përgënjeshtruar një deklaratë të kryeministrit Albin Kurti vetëm dy ditë pasi ai u shpreh se çdo vit Kosova ka pasur rritje ekonomike prej më shumë se 4 për qind, në pesë vjetët e fundit.
Kurti të mërkurën në Kuvend kur kërkoi votën edhe për një mandat tha se për pesë vjet Kosova ka pasur rritje mesatare reale prej 6 për qind të Bruto Produktit Vendor, “duke mos rënë asnjë vit nën 4%”. Këtë e tha duke e përfshirë edhe vitin e fundit (2025) në të cilin ai udhëhoqi si qeveri në detyrë.

Ndërkaq, të premten, Fondi Monetar Ndërkombëtar e publikoi deklaratën e gjetjeve preliminare të stafit të saj nga vizita në Kosovë. Aty u theksua se për shkak të ngërçit politik në vitin 2025 ka pasur ngadalësim të rritjes ekonomike. E në tabelën e publikuar për rritjen e Bruto Produktit Vendor, tregohet se sipas rezultateve preliminare rritja ekonomike ka qenë 3.4 për qind. Pra jo më shumë se 4 për qind. Në dokument theksohet se burim për të dhënat janë vlerësimet e autoriteteve të Kosovës dhe të stafit të FMN-së.
Për vitin 2026, FMN-ja ka parashikuar rikthim të rritjes ekonomike në 3.8 për qind.
