Rritja e çmimit të derivateve në Kosovë po vazhdon me ritëm të shpejtë. Vetëm brenda një jave, çmimi i një litri naftë është shtrenjtuar për më shumë se 35 centë. Ky trend, i lidhur me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, ka bërë që transportuesit dhe bizneset të paralajmërojnë shtrenjtim të shërbimeve e produkteve të tyre
Brenda një jave çmimi i një litre naftë në Kosovë u rrit për mbi 35 centë. Nga 1.18 sa ishte në fillim të javës së kaluar, çmimi këtë të hënë shkoi deri në 1.55 euro.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut i Ministrisë së Tregtisë ka njoftuar se çmimi mesatar i importit të naftës të shtunën ishte 1.40 euro për litër, ndërsa është tregtuar nga 1.39 deri në 1.55 euro.
E çmimi i importit të benzinës sipas Inspektoratit ishte 1.14 euro për litër, ndërsa në treg u shit nga 1.27 deri në 1.32 euro për litër.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMINTI më 4 mars ka marrë vendim për caktim të marzhës tregtare prej 2 centë për litër për shitjet me shumicë dhe 12 centë për shitjet me pakicë.
“Në të gjitha rastet ku identifikohen parregullsi eventuale, si mosrespektim i vendimit të marzhës apo praktikave që mund të dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, do të ndërmerren masa rigoroze të parapara me legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigje të Ministrisë së Tregtisë.
Kryetari i Unionit të Shoqatave Rrugore, Jakup Berisha, në emisionin “383” në KTV ka paralajmëruar se nëse ky trend i shtrenjtimit të derivateve vazhdon, kompanitë e transportit do të detyrohen t’i rrisin çmimet e biletave ose të ndalin aktivitetin.
“Ose duhet t’i ngremë çmimet nëse kjo vazhdon, ose duhet t’i mbyllim kompanitë, t’i lëshojmë punëtorët nga puna. Nuk është në pyetje tani vetëm çmimi i karburantit, karburantet ndikojnë në të gjitha pjesët e këmbimit që bëhen në autobusë; në goma rezervë, në vajra etj”, ka deklaruar Berisha.
Edhe kryetari i Shoqatës së Turizmit, Ruzhdi Kurtishaj, tha se rritja e çmimit të naftës ka rritur koston e operimit dhe se është krijuar situatë e paqëndrueshme për sektorin.
“Është e domosdoshme që Shoqata e Transportuesve dhe operatorët e sektorit privat të reagojnë me kohë, të bashkëpunojnë dhe të krijojnë politika më të qëndrueshme të çmimeve, të cilat balancojnë interesin e udhëtarëve me realitetin e kostove të transportit”, është shprehur Kurtishaj.
E shtrenjtimet e paralajmëruara, sipas qytetarëve do të jenë vështirë të përballueshme.
“Pesë euro është bileta e autobusit, pritet apet shtrenjtimi. Kah, kur asnjë ndihmë prej shtetit nuk e kemi, as të punësuar nuk jem”, ka thënë një qytetar nga Peja.
E dy të tjetër kanë bërë fajtor krizat në botë.
“Kjo luftë po ndikon shumë, për ata u rrit. Ishalla nuk rritet edhe më tepër se kjo ka me zgjatë. Unë jam pensioner, nuk është që po i përballojë”, ka thënë njëri nga ta.
“Lufta në Iran këto po i bën, laramani ka pasur edhe para Iranit, si mund të jetë në një qytet 1.08 e në qytetin tjetër 1.35 euro”, është shprehur tjetri qytetar.
Çmimet e naftës lëvizën me ritëm të shpejtë, pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme.