Arbëri

Prokuroria kërkon dënimin e Alidemjat për krime lufte, mbrojtja lirimin e tij

(Tekst i përditësuar) - Aktgjykim dënues kanë kërkuar Prokuroria Speciale si dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar edhe në rigjykim ndaj Muhamet Alidemajt, i akuzuari për veprën penale “Krime Lufte kundër popullsisë civile”.

Prokurori special Ilir Morina në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se i akuzuari duhet të shpallet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet.

“Me 28 mars 1999 u ekzekutuan 130 civilë shqiptarë, gratë dhe fëmijët u dëbuan në drejtim të Shqipërisë, shtëpitë u dogjën sistematikisht. I pandehuri Alidemaj vullnetarisht iu bashkohet forcat ushtarake serbe. Ai mori pjesë në veprime që përfshijnë vrasje, tentimvrasje, dëbim masiv. Provat e administruara tregojnë se i pandehuri ishte banor lokal, njohës i terrenit. Ditën e ngjarjes ishte i armatosur dhe i pranishëm. Mori pjesë aktive në maltretime, plaçkitje, mbikëqyrjen e popullsisë së grumbulluar. I pandehuri ka pas rol aktiv në fshatin Izbicë gjatë masakrës, ai e njihte shumë mirë fshatin Izbicë, familjet e hyrjet e daljet e fshatit. Prania e një bashkëpunëtori lokal e ka bërë më efikas planin kriminal. Dëshmitarët kanë treguar se i pandehuri është parë i pranishëm me forcat ushtarake serbe”, ka thënë prokurori Morina.

E edhe mbrojtësi i viktimave Veton Rudaku kërkoi aktgjykim dënues.

“Mbështes fjalën e prokurorit, kemi ardhur në përfundim se i akuzuari Muhamet Alidemaj ka kryer veprën penale në Masakrën e Izbicës. Dëshmitarët e identifikuan dhe ia bën me gisht si person që e kishin parë në fshatin Izbicë duke u paraprirë forcave ushtarake serbe. I akuzuari në asnjë rast nuk shpreh keqardhje për ngjarjen e rëndë. I propozojmë Gjykatës të shpallë aktgjykim dënues”, ka thënë ai.

E mbrojtësi i të akuzuarit Muhamet Alidemaj, avokati Millosh Deleviq i ka kërkuar Gjykatës aktgjykim lirues.

Aktgjykim lirues ka kërkuar edhe mbrojtësi tjetër i të akuzuarit Alidemaj, avokati Dejan Vasiq. 

I akuzuari Muhamet Alidemaj tha se është i pafajshëm dhe e mbështet fjalën përfundimtare të avokatëve të tij.

Sipas aktakuzës, Alidemaj kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar 130 shqiptarë.

Në seancën fillestare më 29 prill 2022, në gjykimin e parë, Alidemaj ishte deklaruar i pafajshëm. Njëjtë u deklarua edhe në seancën e rigjykimit më 23 tetor 2025.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 12 korrik 2024 e shpalli Muhamet Alidemajn fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burgim për krime lufte gjatë vitit 1999 në Izbicë.

Por, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

Sipas Apelit, në aktgjykimin e shpallur, Themelorja, Alidemajn e ka dënuar me 15 vjet burgim, por, sipas kësaj gjykate, në të mungojnë arsyet për faktet vendimtare, të cilat nuk janë vlerësuar në mënyrë të plotë.

Muhamet Alidemaj
Muhamet Alidemaj
Muhamet Alidemaj
Muhamet Alidemaj
Muhamet Alidemaj