Komunat që kanë marrë pëlqim për miratim të Hartës Zonale janë Fushë-Kosova, Lipjani, Podujeva, Skenderaj, Klina dhe Prizreni. Në proces, sipas Ministrisë, janë Gllogoci, Vushtrria, Ferizaj, Istogu, Malisheva, Hani i Elezit, Kamenica, Gjilani, Peja, Mitrovica e Jugut dhe Suhareka
Tash e sa vite Komuna e Ferizajt ka ngecur në finalizimin e projektit të hartave zonale, nëpërmjet të cilit synohej zgjidhja e çështjes së planifikimit urbanistik në territorin e saj.
Lidhur me ngecjen, zyrtarët arsyetohen me pretendimin se dokumenti ka kritere të rënda dhe është vështirë i realizueshëm, ashtu siç kërkohet me ligj.
Drejtori për Urbanizëm në Komunën e Ferizajt, Lulzim Aliu, thotë se hartat zonale dhe Plani Zhvillimor Komunal kanë telashe në përmbajtje, të cilat e kanë vështirësuar funksionalizimin e tyre.
“Kemi pasur vështirësi, kemi pasur debate shumë të mëdha, jam bazuar shumë në vërejtjet, këshillat dhe konsultimet e grupeve profesioniste të qytetit se si t’ia japim formën hartës zonale në mënyrë që ajo tamam ta ketë rolin e vet dhe realizimin e objektivave që janë paraqitur në Planin Zhvillimor Komunal”, ka thënë Aliu.
Ai sqaron se për çështjen janë mbajtur takime edhe me zyrtarë të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor.
“Pothuajse kemi ardhur në një konstatim se Ligji i planifikimit hapësinor ka probleme. Është ligj i cili nuk e ka zgjidhur problemin e funksionalizimit tamam të urbanizmit në nivel të Kosovës”, ka shtuar ai.
E kjo gjë ka nxitur reagimin edhe të shoqërisë civile në Ferizaj.
“Dihet se në Komunën e Ferizajt dhe në tërë Republikën e Kosovës nuk kemi harta zonale, në përjashtim të disa prej komunave të Kosovës. Kjo i ka shkaktuar një çrregullim total mospërshtatshmërisë mes ligjit dhe Planit Zhvillimor Komunal, sepse kjo ka krijuar edhe një konfuzion duke mos u harmonizuar me ligjin në fushën e planifikimit hapësinor”, ka thënë Kenan Gashi, drejtor i OJQ-së “AVONET”.
Në përgjigje për KOHËN, Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor ka bërë të ditur se komunat që kanë marrë pëlqim për miratim të hartës zonale janë Fushë-Kosova, Lipjani, Podujeva, Skenderaj, Klina dhe Prizreni. Në proces, sipas Ministrisë, janë Gllogoci, Vushtrria, Ferizaj, Istogu, Malisheva, Hani i Elezit, Kamenica, Gjilani, Peja, Mitrovica e Jugut dhe Suhareka.
Sipas Ministrisë, bazuar në ligj, autoriteti përgjegjës komunal për Planifikim dhe Menaxhim Hapësinor duhet ta hartojë hartën zonale nëntë muaj pas miratimit final të Planit Zhvillimor Komunal.