Arbëri

Ferizajasit me nevoja të veçanta, pa qasje në institucione publike

Mungesa e një lifti ose rruge për karroca ka bërë që Agron Rrahmani, nga Ferizaj, të mos ketë mundësi ta vizitojë ndërtesën e Komunës.

Por, jo vetëm ndërtesa e Komunës e ka këtë problem për personat me nevoja të veçanta.

“Te posta së pari kur të shkojmë nuk kemi qasje, aty është problemi më i madhi. Jam munduar ta rregulloj, por është problem qasja, sepse rruga është shumë e ngushtë. S’mund të hymë aty ne, gjithkund ka probleme, jemi munduar t’i rregullojmë, por prapë ka probleme dhe pa ndihmën e dikujt nuk mund të hyjmë askund”, ka deklaruar Agron Rrahmani, qytetar i Ferizajt.

Me të njëjtat probleme po përballet edhe Ekrem Karaliti.

Ai kërkon që Komuna t’i largojë pengesat, të kenë qasje në trotuare e të ndërtohen vendkalime të përshtatshme për personat me nevoja të veçanta.

“Ne kemi pengesa më tepër se 70 për qind në qytetin e Ferizajt, nuk mundem të kalojmë, kemi barriera. Kemi edhe barriera që janë rregulluar por nuk mund të qasemi në to, sepse i kanë bërë barrierat pa arkitekt, pa u koordinu me ne”, ka thënë Karaliti.

Mbi 400 persona me nevoja të veçanta që qarkullojnë me karroca në qytetin e Ferizajt po ankohen se institucionet komunale duhet të ndërtojnë më shumë qasje në trotuare, por edhe në institucione publike.

Në Komunë premtojnë zgjidhje për këto probleme.

“Në kuadër të drejtorisë për Shërbime Publike, që nga viti 2016 kemi iniciuar projektin për rregullimin e infrastrukturës publike për persona me nevoja të veçanta dhe nga ai vit, e derisa ne po flasim ende vazhdon ai projekt, vazhdimisht bëjmë ndërhyrje nëpër trotuare të rregulluara, aty ku kanë vështirësi personat me nevoja të veçanta që të qasen”, ka thënë Arsim Aliu, zyrtar për trafik rrugor në Komunën e Ferizajt.

Aliu ka kërkuar nga personat me nevoja të veçanta dhe nga shoqatat e tyre të paraqesin kërkesa zyrtare në Komunë dhe të identifikojnë sa më shumë lokacione për investime të tilla.