Arbëri

Ferizaj, qytetarët adresojnë 139 kërkesa për projeksione buxhetore gjatë këtij viti

Qytetarët e Komunës së Ferizajt gjatë këtij viti kanë adresuar së paku 139 kërkesa zyrtare për projeksione buxhetore në dëgjime publike me qëllim që një pjesë e projekteve kapitale të adresohej në lokalitetet e tyre.

Ndërkohë kjo komunë gjatë këtij viti ka ngecur në disa projekte kapitale për shkak të inflacionit apo rritjeve të çmimeve të produkteve të ndryshme. Ndërkohë, organizata joqeveritare “Avonet” gjatë monitorimit të komunës ka konstatuar se sivjet shumë pak prej qytetarëve kanë marrë pjesë nëpër dëgjime buxhetore dhe një pjesë e vogël e tyre kanë bërë kërkesa zyrtare.

Në raportin e kësaj OJQ-je midis të tjerash thuhet se nga 110 mijë banorë sa ka kjo komunë vetëm 139 prej tyre kanë adresuar kërkesa për projekte kapitale apo projeksione buxhetore. Sipas kësaj OJQ-je, komuna duhet të gjejë mekanizma dhe duhet të bën informim më të mirë me qëllim që qytetarët të marrin pjesë në dëgjime publike.

“Pra, në kuadër të 10 organizimeve të dëgjimeve buxhetore të organizuara nga Komuna e Ferizajt, qytetarët kanë parashtruar vetëm 139 kërkesa për projeksione buxhetore. Ne mendojmë se anëtarët e Kuvendit të Komunës së Ferizajt duhet të angazhohen më shumë në nxitjen dhe mobilizimin e qytetarëve për të marrë pjesë në organizimet e komunës për dëgjimet buxhetore”, thuhet midis të tjerash në raport.

Sipas kësaj OJQ-je, me organizmin e dëgjimit buxhetor duhet të merren edhe vet kuvendarët me qëllim që pjesëmarrja e qytetarëve të jetë më e madhe.

“Një mobilizim i anëtarëve për të nxit qytetarët për të marrë pjesë në dëgjimet buxhetore mbetet e rëndësisë së madhe. Po ashtu angazhimi i anëtarëve në proceset e organizimit të dëgjimeve buxhetore siguron një proces transparent të planifikimit të buxhetit si dhe siguron një buxhet gjithëpërfshirës. Komuna e Ferizajt duhet të përpiloj Raportin e organizimeve të dëgjimeve buxhetore sipas specifikave të kërkuara me Udhëzimin Administrativ për Standardet Minimale të Konsultimit Publik në komuna”, thuhet më tej në raport.

Sipas kësaj OJQ-je, ekzekutivi i komunës duhet të praktikoj dërgimin e Raportit nga organizmi i dëgjimeve buxhetore si pjesë e materialit mbështetës për pikën e rendit të ditës në Kuvendin Komunal për projekt buxhetin e komunës.

Ndërkaq, në anën tjetër qytetarët kanë kërkuar që të vazhdojnë projektet kapitale të cilat janë në interes të qytetarëve. Besart Krasniqi, banor nga Ferizaj ka thënë se investimet në shëndetësi dhe arsim janë neglizhuar qoftë nga komuna apo edhe nga institucionet tjera përkatëse.

“Ne si qytetarë kemi kërkuar disa herë që projektet madhore në Ferizaj të realizohen sa më shpejt sepse shumë prej tyre po zvarriten siç e kemi rastin e ndërtimit të spitalit dhe rastin e disa projekteve shkollore e, po ashtu edhe rastin e asfaltimit dhe ndërtimit të kanalizimit në disa fshatra. Ne jemi në dijeni se ka rritje të çmimeve, mirëpo kompanitë nuk duhet t’i ndërprenë punimet sepse Qeveria e Kosovës është zotuar se do të mbështeten me një shumë të buxhetit shkaku i inflacionit”, ka thënë Krasniqi.

Në anën tjetër Selim Marevci, zëdhënës i Komunës së Ferizajt, ka thënë se gjatë këtij viti shumë projekte kapitale janë zvarritur si pasojë e inflacionit, ndërkaq informimi për dëgjime publike gjithmonë bëhet me kohë në faqen zyrtare të komunës, mirëpo në të ardhmen tha se do t’i shikojnë mundësitë se si të organizohen më mirë këto dëgjime.

“Ndoshta pjesëmarrja e qytetarëve nuk është aq e kënaqshme, por megjithatë ka debate të frytshme prej tyre sa herë që mbahen ato. Sa i përket zvarritjes së projekteve kapitale tashmë të gjithë e dinë se Komuna e Ferizajt ka mbetur pas dore nga Qeveria e Kosovës duke e penguar projektin e ndërtimit të Spitalit dhe disa projekte të tjera shumë të rëndësishme për qytetarët e Ferizajt”, ka thënë Marevci.