Arbëri

Ferizaj po regjistron në vazhdimësi rritje të rasteve të dhunës në familje

Institucionet publike në Ferizaj gjatë viteve të fundit po përballen me raste të shumta të dhunës në familje. Një rritje e tillë po i përcjell vit pas viti Policinë e Kosovës dhe Qendrën për Punë Sociale. Si shkaktar vlerësohet se janë kushtet e rënda ekonomike dhe ndikimi i pandemisë.

Policia e Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale në Komunën e Ferizajt gjatë muajve të fundit janë përballur me një varg rastesh të dhunës në familje, të cilat kanë shënuar rritje.

Vetëm gjatë kësaj periudhe të vitit Policia e Kosovës ka intervenuar në 104 raste të dhunës në familje.

Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, sipas statistikave të Policisë, rreth 10 për qind është shënuar rritje e rasteve të dhunës në familje.

Adelina Rexhepi-Braha, ushtruese e detyrës në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ka thënë se zyrtarët e QPS-së kanë intervenuar në shumicën e këtyre rasteve.

“Në Ferizaj rastet e dhunës në familje janë në rritje, po vërehet një numër i madh i rasteve. Deri më tani gjatë pesë muajve të vitit 2022 kemi 46 raste të dhunës në familje. Nëse duam ta bëjmë një krahasim me rastet e dhunës në familje gjatë gjithë vitit 2021 kemi pasur 27 raste të dhunës në familje, ndërsa tash gjatë pesë muajve po të këtij viti po vërehen raste të shumta”, ka thënë ajo.

Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim ka sqaruar se të gjitha rastet e dhunës në familje trajtohen sipas ligjeve në fuqi.

“Gjatë periudhës janar-maj të vitit 2021 janë raportuar dhe administruar 95 raste, ndërkaq gjatë periudhës së njëjtë të këtij viti janë raportuar dhe administruar 104 raste. Krahasimi është me rritjen e rasteve në periudhën 2022 për 9 raste apo shprehur ne përqindje 9.5 % më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit 2021. Më poshtë i kemi të paraqitura edhe rastet ndër muaj - Në vitin 2021 nga muaji janar deri në muajin maj kanë qenë gjithsej 95 raste të raportuara, - muaji janar 14 raste, shkurti 17 raste, marsi 19 raste, prill 21 raste dhe maji 24 raste. Ndërsa në vitin 2022 nga muaji janar deri në muajin maj janë raportuar 104 raste - muaji janar 23 raste, shkurti 23 raste, marsi 17 raste, prilli 20 raste dhe maji 21 raste”, ka thënë ai.

Zyrtarët socialë në QPS kanë thënë se dhuna në familje po vjen si pasojë e kushteve të rënda ekonomike dhe ndikimi i pandemisë në dy vjetët e fundit.

“Në këtë rast institucioni i parë që informohet për dhunën brenda familjes që ndodh, janë Policia pastaj ne ftohemi si ofrues të shërbimeve sociale dhe në rast se kemi një rrezikshmëri të lartë dhe konstatohet që përcillet një rrezik i vazhdueshëm, vendoset në institucione, në këtë rast në shtëpi të sigurta, pra vendosen palët”, është shprehur Dashurije Ahmeti, zyrtare sociale në QPS-në në Ferizaj.

Sipas zyrtarëve socialë, dhuna në familje më së shumti shkaktohet në raport me gruan dhe fëmijët, andaj në shumicën e rasteve gratë dhe fëmijët trajtohen edhe nëpër institucione shëndetësore.