Arbëri

Ferizaj nis përgatitjet për procesin e regjistrimit të popullsisë

Komuna e Ferizajt ka nisur përgatitjet dhe ka shprehur gatishmërinë për të nisur procesin e ri për regjistrimin e popullsisë.

Kryetari i komunës, Agim Aliu, lidhur me këtë çështje ka pritur në takim përfaqësues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, përfaqësues të Divizionit të Metodologjisë dhe zyrtarët për Migrime. Aliu ka thënë se kanë nisur bashkëbisedimet me zyrtarët e institucioneve përkatëse në nivelin qendror për ta nisur përgatitjet për këtë proces mjaftë të rëndësishëm.

Aliu ka treguar lidhur me takimet e realizuara rreth këtij procesi.

“Procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare e tjera do të nisë në shtator të këtij viti. Për të koordinuar këtë proces, prita sot në zyrën time përfaqësuesit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, prirë nga Ylli Shala - Koordinator i procesit të regjistrimit, Bekim Canolli - udhëheqës i Divizionit të Metodologjisë si dhe Arbert Abdyli - zyrtar për migrime, me të cilët bashkëbiseduam e u bashkërenduam për këtë proces tejet të rëndësishëm”, ka thënë midis të tjerash Aliu.

Ndërkaq, Selim Marevci, zëdhënës i Komunës së Ferizajt, ka thënë për KOHËN, se me regjistrimin e ri të popullsisë parashihej se në Ferizaj do të ketë rritje të numrit të banorëve derisa shumë qytetarë nga komunat e tjera po e pëlqejnë qytetin e Ferizajt për të jetuar.

Marevci ka thënë se Komuna e Ferizajt ka gjithsejtë 45 fshatra dhe aktualisht numëron gjithsejtë 108 mijë e 610 banorë.

“Në takim me zyrtarët e nivelit qendror lidhur me procesin e regjistrimit të popullsisë kemi shprehur gatishmërinë dhe përgatitjet tona në mënyrë që ky proces të realizohej me korrektësi dhe profesionalizëm. Pra sipas statistikave të vitit 2011 Ferizaj ka 108 mijë e 610 banorë, ndërkaq me statistikat e reja presim se do të ketë numër më të madh të banorëve në Ferizaj sepse qyteti është rritur me ndërtime dhe interesimi i qytetarëve edhe nga komunat tjera është në rritje”, ka thënë Marevci.