Komuna e Ferizajt po përballet me numër në rritje të qenve endacakë.
Sipas zyrtarëve komunalë, ata po sillen nga komuna të tjera pas njoftimit se në Ferizaj do të hapet një qendër, e cila mundëson që brenda vitit të trajtohen 1500 qenë endacakë.
Kjo ka bërë që sheshi i Ferizajt të jetë plot me qen.
Burim Bajrami, drejtor për Bujqësi në Komunën e Ferizajt, ka thënë se gjatë ditëve të fundit, qytetarët janë në hall, andaj ka kërkuar nga qytetarët dhe Policia bashkëpunim për identifikimin e personave të cilët po i sjellin ata në Ferizaj.
“Kohën e fundit me të marrë informacionet qytetarët nga komunat përreth që ne kemi krijuar një qendër për trajtimin e përkohshëm për qentë endacakë, ata mendojnë se ne si Ferizaj po bëjmë strehimin e tyre më të gjatë dhe kanë vërshuar çuditërisht qenë nga qytete të tjera”,
Bajrami tregon se komuna ka finalizuar projektin për trajtim të qenve, i cili pritet të funksionalizohet brenda vitit.
“Ne do t’i marrim të gjithë këta qen nga rruga dhe do t’i dërgojmë te qendra e trajtimit të përkohshëm dhe aty do t’i kryejmë të gjitha procedurat, duke shtuar edhe vendosjen e mikroçipave, procedurë kjo e cila nuk ka qenë në të kaluarën me të vetmin qëllim që t’i identifikojmë qentë që janë trajtuar brenda komunës sonë dhe qentë që lëvizin nga komunat e tjera në Komunën e Ferizajt”
Të shqetësuar shprehen qytetarët.
“Jemi të rrezikuar, fëmijët m’i kanë hëngër një herë, s’di çfarë të them. Unë i kam parë prej Komunës së Kaçanikut duke i sjellë qentë e vegjël në qytet”, tha banori Shyqeri Elezi.
“Nuk është mirë kështu por pasi që ende s’ka zgjidhje, Komuna duhet të bën zgjidhje për t’ia bërë çarën disi. Vinë prej fshatrave sepse këtu në qytet nuk ka qenë. Prej fshatrave po i sjellin këtu”, tha Bedri Limani, tjetër banor.
Drejtori Bajrami ka sqaruar se në fazën e parë të punës në këtë qendër do të ketë vetëm kapje të qenve nga rruga, sterilizim, vaksinim dhe lëshim në vendin e marrjes.