Komuna e Ferizajt po përballet me numër në rritje të qenve endacakë që, sipas zyrtarëve komunalë, po sillen nga komuna të tjera pasi Ferizaj njoftoi se së shpejti do ta hapë qendrën për trajtim të qenve endacakë.
Burim Bajrami, drejtor për Bujqësi në Komunën e Ferizajt, ka thënë se gjatë ditëve të fundit qytetarë nga komunat fqinje po sjellin qen endacakë me mjete transportuese, madje me sasi të mëdha. Sipas tij, kamerat e sigurisë së qytetit nuk po arrijnë t’i kapin për shkak se qentë endacakë po lirohen në periferi. Komuna e Ferizajt ka kërkuar bashkëpunim me qytetarët dhe me organet e Policisë që ta njoftojnë komunën se kush po i sjell gjithë këtë numër të madh të qenve endacak në qytetin e Ferizajt.
“E patëm rastin e fundit brenda sheshit që shumica e qenve endacakë janë pa ‘matrikul’ dhe nuk janë të trajtuar. Pra madhësia e atyre qenve e dëshmon se dikur kanë pasur pronar, por tani janë liruar në rrugë. Prej 20 vitesh asnjë komunë fqinje nuk është marrë me trajtim të qenve endacakë, kurse tani e kanë kuptuar se Ferizaj do ta nisë trajtimin e tyre dhe t’i sjellin në qytetin tonë, prandaj kjo është e papranueshme”, ka thënë Bajrami.
Sipas tij, nëse vazhdojnë qytetarët e komunave të tjera të sjellin qen endacakë me numër kaq të madh, atëherë nuk do të ketë hapësirë për të gjithë në qendrën strehimore e cila pritet të hapet sivjet.
“Te qendra e trajtimit të qenve endacakë, punimet e vrazhda kanë përfunduar dhe kemi bërë vizita se si janë kryet punimet dhe jemi në konsultim me profesionistë se si do ta funksionalizojmë këtë qendër. Do ta japim një kontratë se si do t’i trajtojmë qentë endacakë megjithëse është problem nacional. Ne kërkojmë dhe u bëjmë thirrje të gjithëve që në rastet kur i shohin qytetarët duke i sjellë qentë endacakë në Ferizaj le të na njoftojnë me ndonjë foto apo video. Pra është duke ndodhur lirim masiv i qenve endacakë në qytetin tonë të cilët po i sjellin me mjete transportuese, me furgona e kamionë”, ka deklaruar Bajrami.
Ditë më parë, Komuna e Ferizajt ka njoftuar se është në finalizim e sipër projekti i qendrës strehimore për qentë endacakë.
“Ky projekt me rëndësi të posaçme, do të ndikojë në sigurinë publike në Komunën e Ferizajt. Ky projekt, përkatësisht kjo qendër pritet të funksionalizohet brenda këtij viti, duke zbatuar standardet e duhura në trajtimin e qenve endacakë”, pati njoftuar Komuna e Ferizajt.
{gallery}