Arbëri

Ferizaj imunizon rreth 90 mijë qytetarë me vaksina kundër COVID-19

Ferizaj renditet në mesin e komunave që ka administruar më së shumti doza të vaksinës për imunizimin e qytetarëve kundër COVID-19. Sipas stafit mjekësor në Qendrën e Vaksinimit në Ferizaj, nga 108 mijë qytetarë sa ka gjithsej Komuna e Ferizajt, mbi 91 mijë prej tyre tashmë janë imunizuar me vaksina. Ata u bëjnë thirrje qytetarëve që nuk janë vaksinuar të regjistrohen dhe ta mbyllin me sukses këtë proces.

Një pjesë e qytetarëve janë vaksinuar edhe në terren nga ekipet mobile. Sipas drejtuesve të Qendrës së Vaksinimit, ky rezultat ka arritur edhe pas fushatave të cilat janë organizuar gjatë muajve të fundit.

Drita Nazifi- Emini, koordinatore e kësaj qendre, ka thënë se tashmë janë vaksinuar edhe pjesa më e madhe e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

“Ne në qendrën e vaksinimit në Ferizaj i kemi gjithsej të vaksinuar 91 mijë e 131 persona, të cilët kanë bërë aplikimin e vaksinimit, prej tyre me doza të para i kemi 53 mijë e 400 dhe pjesa e mbetur 37 mijë e 731 janë persona që janë vaksinuar me dy doza të vaksinave”, ka thënë ajo.

Elfete Mehmeti, infermiere në këtë qendër të vaksinimit, ka thënë se të gjitha procedurat kanë kaluar pas një angazhimi nga infermierët dhe stafi teknik.

“Kam punuar edhe në dispanseri e sipas nevojës edhe këtu, kurse kohët e fundit jam duke punuar vetëm në vaksinim, këtë pune e bëjmë me nder dhe me dëshirë të madhe, andaj besoj se edhe qytetarët janë të kënaqur me ne”, ka thënë Mehmeti.

Qytetarët që tashmë janë vaksinuar tregojnë se ajo nuk ka treguar efekte anësore. Adem Matoshi , banor nga fshati Greme, ka thënë muaj më parë se e ka marrë dozën e parë, ndërkohë edhe dozën e dytë.

“Kësaj radhe e kam sjellë një anëtar tjetër të familjes për vaksinim, sepse unë para dy muajve e kam marrë dozën e dytë dhe nuk kam pasur asnjë efekt anësor. Po ndihem mirë me shëndet, andaj apeloj që të vaksinohen edhe qytetarët e tjerë. Me siguri është një vaksinë e suksesshme dhe shpëton jetën e njeriut”, ka thënë Matoshi.

Po ashtu, edhe Besard Isufi, banor nga Ferizaj, ka thënë se tashmë është vaksinuar me të dyja dozat. Kjo, sipas tij, është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga COVID-19.

“Ndihem mirë, i bëj thirrje gjithë popullit që të vaksinohen, sepse është mirë të marrin vaksinën për t’u mbrojtur nga ky virus”, ka thënë ai.