Fëmijët e rajonit të Mitrovicës kur kanë probleme shëndetësore duhet të dërgohen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, brenda së cilës një hapësirë e improvizuar shërben si Repart i Pediatrisë në kuadër të Spitalit të qytetit. Objekti i ri i Pediatrisë është ndërtuar para shtatë vjetësh, por nuk shfrytëzohet pasi ka një mosmarrëveshje mes donatorit dhe Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës
I shtrirë në mes të korridorit, një fëmijë po e merr terapinë me infuzion në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, brenda së cilës është vendosur edhe Reparti i Pediatrisë i Spitalit të Mitrovicës.
Në këtë hapësirë të improvizuar për Pediatrinë, janë shtatë shtretër të mbushur plotë me pacientë, e që këtu, sipas mjekeve, mund t’i marrin vetëm terapitë ditore, por jo edhe të bëhen hospitalizime.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Fatkeqësia më e madhe është për shkak se këtu pacientët trajtohen në të njëjtin vend, patologjitë e ndryshme. D.m.th. sëmundjet e ndryshme të këtyre fëmijëve edhe faktikisht kjo sot çka e shihni ju, kjo është më e mira e mundshme e këtij reparti se shumicën e rasteve detyrohemi për t’i trajtuar pacientët me nga dy-tre vetë me një shtrat”, ka theksuar pediatrja Jetmira Ilazi-Ismajlaj.
E objekti i ri i Pediatrisë, që është donacion nga shoqata “Nënë Terezë” me seli në Gjermani, ndonëse është përfunduar para shtatë vjetësh, ka mbetur i pafunksionalizuar.
Drejtoresha e Spitalit, Luljeta Buqinca-Zhubi, thotë se nuk mund ta shfrytëzojnë si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes donatorit dhe SHSKUK-së.
“Donatori ka investuar një shumë parash për ta ndërtuar këtë objekt dhe gjatë ndërtimit ka dalë një shumë më e lartë, të cilën shumë nuk po munden ta gjejnë adresën se ku duhet ta paguajnë”, është shprehur Bajqinca Zhubi.
Sipas memorandum-bashkëpunimit të nënshkruar më 2015 mes SHSKUK-së dhe shoqatës “Nënë Terezë”, detyrim i donatorit ishte sigurimi i fondeve për t’i kryer punët në vlerë financiare prej 531 mijë e 359 eurosh.
Në SHSKUK thonë se për funksionalizim, ndonëse nuk parashihet në memorandum, donatori ka kërkuar prej institucionit mjete shtesë në vlerë prej 53 mijë e 359 eurosh.
“SHSKUK-ja është duke e diskutuar këtë çështje edhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe presim që të gjendet një zgjidhje e mundshme ligjore dhe objekti të funksionalizohet”, thuhet nw pwrgjigjen e SHSKUK-sw.
Më 2018 pasi që punimet e objektit përfunduan, donatori ka kërkuar ndryshim të kontratës.
Kryetari i shoqatës “Nënë Tereza” në Gjermani, Shaqir Gashi, thotë se ka kërkuar participim nga SHSKUK-ja në 10 për qind të shumës totale, porse një gjë e tillë nuk është pranuar.
“Nga fundi i vitit 2017 dhe intensivisht nga fillimi i vitit 2018 kemi kërkuar që Ministria e Shëndetësisë të participojë me 10% të shumës së përgjithshme sipas kontratës me ekzekutuesin e punimeve. Pas shumë bisedave me ministrat e Shëndetësisë, SHSKUK, Spitalin Regjional të Mitrovicës, për fat të keq deri në këto momente nuk kemi gjetur dëshirën për të participuar me shumën e kërkuar”, ka vlerësuar Gashi.
Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se janë duke i shqyrtuar mundësitë për funksionalizimin e këtij reparti.
Sipas burimeve në Ministrinë e Shëndetësisë, pasi që punimet janë përfunduar, nuk është gjetur bazë ligjore që të kryhet pagesa e kërkuar nga donatori.
Bazuar në raportin e komisionit për pranim të punimeve të vitit 2020, i kryer nga kompania “Europrojekt Plus”, totali i pagesës të realizuar është 473 mijë e 823 euro, apo gati 60 mijë euro më pak se vlera e paraparë me memorandum-bashkëpunimi.
E në kompaninë “Fijona” që ishte kontraktuar për të kryer punët, thonë se shoqata u ka ngelur borxh 88 mijë e 426 euro.
“Pagesat e realizuara nga ana e Shoqatës Nënë Tereza është në vlerë 423,118.25 euro ndërsa obligimi i mbetur pa llogaritur ndëshkimet kontraktuale është 88,426.32 euro”, thuhet nw pwrgjigjen e kompanisw.
Premtim për funksionalizim të këtij spitali, më herët kishin dhënë edhe ministrat e tjerë të Shëndetësisë.