Prishtinë, 12 janar – “Krimi i organizuar, aktivitetet e paligjshme ekonomike, papunësia në rritje dhe retorika mbi baza etnike - janë kërcënuesit kryesorë të sigurisë në Kosovë”, ka thënë Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Franco Federici. Por, sipas tij, aktualisht nuk ka sinjale se situata e sigurisë do të ndryshojë për të keq. Në një intervistë për “Kohën Ditore”, Federici ka folur për sfidat me të cilat u ballafaqua KFOR-i gjatë vitit 2020, kur kryesoren e ka përmendur pandeminë me COVID 19.
Jo rrallë temë e diskutimit politik, por edhe arenë e përplasjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë veriu i populluar me shumicë serbe. Pranë urës së Ibrit që lidh Komunën e veriut me atë të jugut, KFOR-i vazhdon të ketë prezencë të përhershme. Sipas komandantit Federici, Ura e Ibrit ka një vlerë tejet simbolike.
“Unë besoj se çdo çështje në lidhje me të duhet të trajtohet me kujdes nga komunat. Në këtë drejtim, KFOR-i ka ndërtuar një bashkëpunim shumë të mirë me të dyja komunat”, ka thënë ai. Federici ka folur edhe për bashkëpunimin që kanë me ushtrinë e Serbisë dhe aktorët e tjerë, në funksion të ruajtjes së paqes dhe sigurisë. Ai ka treguar arsyet se pse kontaktet e rregullta me Forcat e Armatosura të Serbisë kanë ndihmuar në krijimin e një atmosfere bashkëpunimi në rajon.
me Forcën e Sigurisë së Kosovës është duke vazhduar bashkëpunimi sipas mandatit të vjetër, edhe pse para më shumë se dy vjetësh Kuvendi miratoi ligjin për transformimin e FSK-së në ushtri.
Sfidat e KFOR-it dhe kërcënuesit e sigurisë në Kosovë
KD: Z. Komandant, me çfarë sfidash u ballafaqua KFOR-it gjatë vitit 2020?
Federici: Në kuptimin e përgjithshëm, shkalla e pandemisë globale me COVID-19 ka përfaqësuar dhe vazhdon të përfaqësojë sfidën më të madhe për të gjithë ne. Që nga shpërthimi i saj, KFOR-i ka miratuar të gjitha masat parandaluese të nevojshme për të mbrojtur personelin, pasi që mbrojtja e stafit tonë është thelbësore. Misioni ynë ka dhuruar pajisje mbrojtëse personale për spitalet në Prishtinë dhe Graçanicë dhe ka dorëzuar më shumë se 50 donacione ushqimore dhe veshmbathje për 14 komuna të Kosovës, në koordinim me organizatat bamirëse lokale. Në të njëjtën kohë, në baza ditore kemi vazhduar t’i kryejmë aktivitetet tona me synimin për të garantuar ambient të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të mirën e të gjitha komuniteteve në Kosovë, në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 të vitit 1999.
KD: Cilët janë aktualisht kërcënuesit më të mëdhenj të sigurisë për Kosovën, qoftë të brendshëm apo të jashtëm?
Federici: Vitet e fundit në Kosovë është arritur shumë në aspektin e sigurisë. Megjithatë, disa sfida mbeten, duke përfshirë për shembull ndikimin e krimit të organizuar, aktivitetet e paligjshme ekonomike dhe retorikën e dëmshme mbi baza etnike. Papunësia është gjithashtu një çështje shqetësuese, veçanërisht pas rritjes së saj si rezultat i shpërthimit të pandemisë. KFOR-i është plotësisht i vetëdijshëm për këta faktorë të paqëndrueshmërisë dhe i monitoron ata nga afër, duke mbajtur një qëndrim fleksibil në terren dhe duke shkëmbyer informacione me të gjithë partnerët e sigurisë. Tani për tani nuk ka tregues se situata aktuale e sigurisë do të ndryshojë për të keq. Në çfarëdo rasti, ne qëndrojmë vigjilentë.
KD: A ka potencial për incidente ndëretnike, cili është vlerësimi juaj rreth kësaj çështjeje?
Federici: Qëllimi i pranisë së ushtarëve të KFOR-it është për të siguruar dhe parandaluar, por ne kryesisht punojmë për të ndihmuar ndërtimin e dialogut ndëretnik. KFOR-i gjithmonë ka inkurajuar të gjitha institucionet për të përmirësuar bashkëjetesën dhe integrimin si dhe ruan një bashkëpunim të ngushtë dhe të paanshëm me të gjithë aktorët që luajnë rol të rëndësishëm në këtë drejtim, duke përfshirë udhëheqësit politikë e fetarë, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Në këtë drejtim, Radio K4, që nga viti 1999 ka promovuar vlerat e pajtimit dhe bashkëjetesës paqësore përmes një numri transmetimesh të temave të ndryshme në lidhje me jetën e përditshme të komuniteteve lokale. Këto transmetime janë realizuar në dy gjuhët kryesore që fliten në Kosovë. Unë jam shumë i bindur se duke vazhduar të punojmë së bashku me të gjitha komunitetet, organizatat dhe institucionet përkatëse, ne do të kontribuojmë në konsolidimin e sigurisë dhe stabilitetit. Kjo është arsyeja pse gjatë mandatit tim si Komandant i KFOR-it kam zgjedhur moton "ndërsa përparojmë".
KD: Kosova dhe Serbia prej vitesh janë duke zhvilluar negociata në përpjekjen për të arritur një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse. A ka ndonjë rol këtu KFOR-i, në kuptimin e garantimit të sigurisë pas arritjes së marrëveshjes apo në rast se nuk ka marrëveshje?
Federici: NATO-ja është duke e mbështetur dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, si mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje afatgjate për çështjet që janë duke vazhduar. KFOR-i mbetet i përqendruar në zbatimin e mandatit të tij të përditshëm, të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara. Në të njëjtën kohë, ne mirëpresim çdo marrëveshje të ndërsjellë e cila do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon, për të mirën e të gjitha komuniteteve.
KD: Jo rrallë temë e diskutimit politik, por edhe arenë e përplasjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është veriu i populluar me shumicë serbe. A ka potencial për destabilizim dhe çfarë masash ka ndërmarrë KFOR-i për të shmangur këtë?
Federici: Situata e sigurisë është e qëndrueshme. Ne vazhdojmë të monitorojmë çdo zhvillim nga afër dhe jemi gati të përshtatim qëndrimin tonë, në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara. Për momentin nuk kemi vërejtur asnjë tregues për shqetësim të mundshëm ose çrregullime të dhunshme. KFOR-i ka ndërtuar një bashkëpunim efikas me të gjitha institucionet në Kosovë, duke përfshirë ato në nivelet komunale përmes dy Komandave Rajonale të KFOR-it. Ekipet tona të ndërlidhjes dhe monitorimit - sytë dhe veshët e mi në tokë - shpesh takohen me kryetarët e komunave për të diskutuar situatën në komunat e tyre përkatëse, në lidhje me sigurinë, por edhe çështjet sociale dhe ekonomike. Komunat veriore nuk bëjnë përjashtim dhe KFOR-i po mbështet punën e tyre për të adresuar nevojat e popullatës, gjithashtu duke përfshirë projekte të bashkëpunimit civilo-ushtarak. Gjithashtu, takohem rregullisht me Shefat e Mbrojtjes të vendeve fqinje për të rritur mirëkuptimin e ndërsjellë dhe shkëmbimin e informacioneve për çështjet me interes të përbashkët; siç është shefi serb i mbrojtjes gjenerali Millan Mojsilloviq. Në përgjithësi, KFOR mban kontakte të rregullta me Forcat e Armatosura Serbe. Kjo ka ndihmuar në ruajtjen e një atmosfere bashkëpunimi në rajon gjatë viteve të kaluara dhe unë kam besim se kjo do të ndodhë edhe gjatë mandatit tim si Komandant i KFOR-it. Siguria është një përpjekje bashkëpunuese, kështu që KFOR-i punon ngushtë me të gjithë partnerët e sigurisë. Ne iu besojmë të gjithëve që tregohen të moderuar si dhe mbështesin çdo përpjekje që synon shmangien e tensioneve. Aktualisht, në Kosovë organizatat lokale dhe ndërkombëtare të sigurisë veprojnë në përputhje me konceptin "reaguesi i parë, i dytë dhe i tretë", me Policinë e Kosovës (PK) si reaguesin e parë, pra është përgjegjëse për ruajtjen e sigurisë në të gjithë Kosovën në baza ditore. Në rast se situata e sigurisë përkeqësohet dhe Policia e Kosovës nuk është në gjendje ta menaxhojë atë, PK do të kërkojë ndërhyrjen e reaguesit të dytë që është EULEX. Pastaj, nëse situata e sigurisë përkeqësohet, PK dhe EULEX nuk janë në gjendje ta menaxhojnë atë, EULEX mund të kërkojë ndërhyrjen e KFOR, si reaguesi i tretë.
KD: Ura e Ibrit në Mitrovicë vazhdon të jetë e mbyllur për trafik. Cili është roli i KFOR-it në atë pjesë?
Federici: Aty KFOR-i ka prezencë të vazhdueshme, 24 orë në ditë përmes Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe, personeli i së cilës monitoron situatën në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës. Ura e Ibrit ka një vlerë shumë simbolike. Unë besoj se çdo çështje në lidhje me të duhet të trajtohet me kujdes nga komunat. Në këtë drejtim, KFOR-i ka ndërtuar një bashkëpunim shumë të mirë me të dyja komunat.
Bashkëpunimi me FSK-në sipas mandatit të vjetër
KD: Por, cili është bashkëpunimi me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe a vazhdon të vlejë ndalesa për shkuarje në veri pa lejen e KFOR-it?
Federici: KFOR-i është duke bashkëpunuar me FSK-në brenda mandatit origjinal, që përfshin reagimin civil dhe ndihmën humanitare në përgjigje ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera. Për më tepër, KFOR-i dhe FSK-ja bashkëpunojnë në aktivitetet e asgjësimit të mjeteve shpërthyese, të cilat kontribuojnë në ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjitha komunitetet në Kosovë. Aktualisht, FSK-ja duhet të autorizohet nga Komandanti i KFOR-it para se të vendoset në veri. Kjo është në përputhje me një marrëveshje të mëparshme me institucionet e Kosovës që NATO pret të vazhdojë zbatimi i saj.
KD: Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, tashmë kanë nisur punën pas konfirmimit të aktakuzave të para ndaj ish-udhëheqësve të lartë të UÇK-së, përfshirë ish-Presidentin Thaçi. Edhe pse situata është e qetë tani, bazuar në vlerësimet tuaja, a mund të ndryshojë ajo?
Federici: Themelimi i Gjykatës Speciale ishte një vendim autonom i institucioneve të Kosovë dhe bie jashtë mandatit të KFOR-it. Prandaj, KFOR nuk zhvillon ose mbështet ndonjë hetim mbi pretendimet e krimeve të luftës. KFOR-i në çdo rast është i gatshëm të ndërhyjë në përputhje me mandatin aktual, në rast se ndodhin shqetësime ose trazira, pas lëshimit të aktakuzave dhe siç u përmend më lart, në respekt të plotë të konceptit, “reaguesi i parë, i dytë dhe i tretë”.