Arbëri

Faton Peci, kandidati i VV-së dhe Guxo për kryetar të Mitrovicës

Faton Peci

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i Partisë Guxo për kryetar të Mitrovicës.

Vetëvendosje ka shkruar në Facebook se Pecin e mbështet edhe kryetari i kësaj partie në Mitrovicë, Armend Muja, duke shkruar se “bashkëpunimit të mirë ia zgjatim dorën edhe në nivel lokal”.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet fuqishëm kandidaturën e Faton Pecit për kryetar të komunës së Mitrovicës. Më 12 tetor, Mitrovica guxon të vetëvendosë për fitoren e madhe në komunë. Në mbledhjen e mbajtur sot kryesia e qendrës, drejtuar nga kryetari i qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Mitrovicë, deputeti Armend Muja, vendosi unanimisht që të mbështesë kandidaturën e Faton Pecit nga Partia Guxo për kryetar të komunës”, ka shkruar VV-ja.

Partia në pushtet e cilësoi Pecin si “zgjidhjen më të mirë për Mitrovicën”.

“Me mbështetje të fuqishme dhe të pakushtëzuar nga Lëvizja, Faton Peci vjen si zgjidhja më e mirë për Mitrovicën. Ai nuk është vetëm një emër i njohur për integritetin dhe përkushtimin e tij institucional, por edhe një prej ministrave më të suksesshëm të Qeverisë Kurti, i cili ka sjellë investime dhe reforma të thella në bujqësi, zhvillim rural dhe përkrahje për fermerët në çdo cep të vendit”, thuhet tutje.