Arbëri

Familjet që strehojnë fëmijë të braktisur kërkojnë mbështetjen e shtetit

Familja Gashi nga Shtimja prej më shumë se 16 vjet përkujdeset për fëmijët e braktisur nga prindërit biologjikë.

Deri më tash kjo familje është kujdesur për 26 fëmijë të cilët ndërkohë me vendime të gjykatave kanë shkuar për adoptim.

Si kjo familje janë edhe tetë të tjera në komunat e regjionit të Ferizajt, por atyre asnjëherë shteti nuk ua ka njohur të drejtën e kontributit human.

Behrije Gashi tregon për vështirësitë që ata i kanë.

“Qe 16 vjet në strehim kemi pasur 26 fëmijë, disa prej tyre kanë pasur edhe probleme shëndetësore, ku të gjitha shpenzimet i kemi kryer vet për barna për kontrolle të mjeku e të tjera. Rastin që e kemi tani për momentin në shtëpi fëmija është me sindromin Down, ka pasur problem edhe me zemër ja kemi kryer intervenimin në zemër pa përkrahjen e shtetit”, t

Gashi kërkon nga institucionet lokale dhe ato qendrore të ndajnë një pagë të veçantë për këto familje.

“Kërkesat e familjeve strehuese gjithmonë kanë qenë që së paku të na njihet kontributi që po e japim për këta fëmijë dhe nga Ministria kemi kërkuar që edhe ne të kemi një pagë si familje strehuese që po kujdesemi për këta fëmijë sepse zakonisht këta fëmijë janë të shtetit”, tha Gashi.

Ibadete Krasniqi, drejtoreshë në Organizatën për Fëmijët pa Përkujdesje Prindërore, OFAP, ka thënë se Komunat duhet të angazhohen më shumë për t’i ndihmuar këto familje strehuese.

Ka treguar se si organizatë janë duke bërë përpjekje për ndryshimin e udhëzimeve administrative në ministritë përkatëse.

“Arsyeja pse duhet të mbështeten këto familje dhe arsyeja pse duhet të mbështeten këta fëmijë është sepse bashkërisht e bëjmë ndryshimin. A duhet të ndihmohen a duhet të përmirësohen shërbimet, patjetër se po. Deri më tani ne kemi vetëm familje strehuese humanitare, ndërkohë organizata jonë në mbështetje me UNICEF ka ndihmuar nivelin qendror që ta bëjë udhëzimin e ri të strehimit familjar dhe jemi në pritje të aprovimit se ku do të bëhet kategorizimi i familjeve strehuese”, tha Krasniqi.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Departamenti për Mirëqenie Sociale nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHES lidhur me këtë çështje.

Ndërkaq në Komunën e Shtimes kanë thënë se po planifikohet që familjet strehuese në Shtime do të mbështeten nga viti i ardhshëm me nga 200 euro në muaj.