Arbëri

Familjet e komunitetit ashkali në Dubravë të Ferizajt kërkojnë mbështetje institucionale

Rreth 200 familje të komunitetit ashkali në Dubravë të Ferizajt ankohen për kushte të rënda të jetesës.

Thonë se edhe më e vështirë atyre u është bërë jeta pas krizës së fundit me rritjen e çmimeve për produkte ushqimore.

Një pjesë e tyre jetojnë në një kamp të improvizuar prej disa vjetësh e me kushte të rënda.

“Para dy apo tri ditësh kam qenë në emergjencë, kam marrë injeksione. Çdo javë pa e marr një injeksion në kraharor, nuk më zbret tensioni, sepse kalon 220, kurse tensioni i zemrës deri 150. Tash prej një jave jam i sëmurë prej zemrës dhe askush nuk po më ndihmon që ta bëj një incizim të zemrës. Termini i gjatë një apo 2 javë, kurse unë nuk mund të pres sepse mjeku më ka thënë mund të vdes kështu”, deklaroi Bashkim Zeka, banor i komunitetit ashkali.

“Po përballemi me kushte të rënda, lagështi, skamje. Tash po vjen koha e dimrit s’kemi dru. Në të kaluarën komuna na ka dhënë dru, kurse në vitin e kaluar nuk ka dhënë, me 70 euro social si të jetojmë derisa janë shtrenjtuar të gjitha produktet ushqimore, transporti etj”, tha Sheqere Horiç, nga e komunitetit boshnjak.

Hajriz Haziri, anëtar i Komitetit për komunitete në Komunën e Ferizajt ka thënë se shqetësimet e tyre i kanë ngritur disa herë në Komunë, por pa sukses.

Është mirë t’i ndihmojnë me dru , me pako ushqimore, sepse kanë nevojë për gjithçka. Ne në Komitet i kemi ngritur këto çështje, kemi dhënë nga pak sa ka pasur mundësi komuna, sociali, shoqatat, por nuk janë të mjaftueshme, një pako ushqimore nuk bën më shumë se një javë apo dhjetë ditë”, u shpreh Haziri.

Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Ferizajt, Kemajl Emini, ka thënë se janë duke bërë përpjekje që t’i ndihmojnë këto familje në mënyra të ndryshme.

“Edhe nga niveli komunal, por edhe nga të gjitha donacionet që kemi pasur deri më tash kemi pasur parasysh këtë komunitet, gjendja e tyre shëndetësore është më e rëndë, gjegjësisht ne e dimë se përqindja e tyre në Komunën e Ferizajt është 2 deri 3 për qind, mirëpo për çdo shpërndarje të ndihmave ne e kemi paraparë që 10 për qind e tyre të dedikohen për këtë komunitet”, tha Emini.

Sipas drejtorit Emini, Komuna është duke bërë përpjekje për t’i ndihmuar këto familje edhe me rinovime të objekteve të banimit.