Lubomir Ristiq, babai i njërit prej viktimave në sulmin në kafenenë “Panda” në Pejë më 14 dhjetor të vitit 1998, ka kërkuar që Prokuroria kundër krimit të organizuar në Serbi ta marrë në pyetje presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me njohuritë e tij për rastin.
Në sulmin në kafenenë “Panda” u vranë gjashtë të rinj serbë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRistiq ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, se familjet e viktimave kanë kërkuar disa herë të takohen me Vuçiqin lidhur me deklaratën që kishte dhënë për media se “e di çfarë ka ndodhur në natën kritike në ‘Panda’”.
Ristiq shtoi se familjet dhe përfaqësuesi i tyre ligjor, avokati Ivan Niniq, gjithashtu disa herë kanë kërkuar zyrtarisht nga Prokuroria kundër krimit të organizuar që ta marrë në pyetje Vuçiqin, por deri më sot ai veprim hetimore nuk është ndërmarrë.
“Vuçiqi kurrë nuk na ka pritur për bisedë, ndonëse ka premtuar. Ndërsa Prokuroria kundër krimit të organizuar ku po zhvillohet hetimi për vrasjen e fëmijëve tanë, edhe pas më shumë se dhjetë vjetësh nuk e ka marrë në pyetje Vuçiqin për njohuritë e tij për krimin në ‘Panda’, të cilat i ka shprehur publikisht në disa raste. I lutem Prokuroria kundër krimit të organizuar që më në fund ta marrë në pyetje Vuçiqin, në mënyrë që gjatë jetës sonë të zbulohet se kush ishin autorët dhe urdhërdhënësit e vrasjes së gjashtë djemve”, tha Ristiq.
Përfaqësuesi ligjor i familjeve të viktimave në kafenenë “Panda”, avokati Ivan Niniq, më 10 gusht 2023 i ka paraqitur Prokurorisë një propozim provash që të merret në pyetje Vuçiqi për shkak të deklaratave të tij të mëhershme, kur kishte thënë se e di se çfarë ka ndodhur më 14 dhjetor të vitit 1998 në “Panda“.
Ai theksoi se Prokuroria kundër krimit të organizuar dhe prokurori kryesor Mladen Nenadiq “prej tre vjetësh nuk guxojnë ta thërrasin dhe ta marrin në pyetje Vuçiqin, i cili di diçka, ndërkohë që sipas të njëjtit parim janë marrë në pyetje gati 40 dëshmitarë”.
Në kërkesë është theksuar se prindërit kërkojnë që Vuçiqi të merret në pyetje lidhur me deklaratat për rastin “Panda“, të cilat nga viti 2013 deri në vitin 2018 i ka dhënë në disa raste në media, duke pretenduar se “atë krim nuk e kanë kryer shqiptarët” dhe se “pothuajse e di” çfarë ka ndodhur në atë natë fatale.
Thuhet se, si zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Serbisë dhe shef i Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, Vuçiq më 26 dhjetor të vitit 2013 në emisionin “Teshka reç” në TV Pink ka thënë: “Krimin në ‘Panda’ nuk e kanë kryer shqiptarët, siç kemi besuar deri tani. Opinioni do të tronditet kur të zbulohet e vërteta”.
Dy vjet më vonë, në një konferencë për media në Qeverinë e Serbisë, më 11 dhjetor të vitit 2015, Vuçiq tha se është “pothuajse i sigurt” se çfarë ka ndodhur në kafenenë “Panda”.
“Endemi në errësirë. Pothuajse jam i sigurt se çfarë ka ndodhur në kafenenë ‘Panda’, por nuk kam prova. Nuk jam i sigurt se organet tona do të mund të krenoheshin me atë që kanë bërë atëherë”, tha Vuçiq.
Para 28 vjetësh, më 14 dhjetor 1998, rreth orës 20:00, dy persona të maskuar hapën zjarr me armë automatike ndaj mysafirëve të kafenesë “Panda“, ndër të cilët kishte më së shumti gjimnazistë nga Peja. U vranë gjashtë të rinj serbë.
Disa ditë pas krimit, Sigurimi i Shtetit arrestoi një grup prej rreth 150 shqiptarësh lokalë, por ata u liruan nga paraburgimi për mungesë provash.
Nënkryetari i Qeverisë Federale të RFJ-së, Nikola Shainoviq, atëherë pati njoftuar se “rasti Panda” ishte zgjidhur.
Hetimi për vrasjen në “Panda” nisi në vitin 2016 në Prokuroria kundër krimit të organizuar në Beograd.
Deri më tani janë marrë në pyetje 39 dëshmitarë, por aktakuza nuk është ngritur.
Prokuroria kundër krimit të organizuar në shtator 2025 njoftoi se hetimi për vrasjen e gjashtë të rinjve në kafenenë “Panda” nuk është ndërprerë, megjithëse prej dy vjetësh, siç ka theksuar, nuk është marrë në pyetje asnjë dëshmitar.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të agjencisë së lajmeve Beta lidhur me ngecjen në hetimin e vrasjes, Prokuroria ka theksuar se nga 12 maji 2016, kur ka nisur hetimi, janë marrë në pyetje 39 dëshmitarë, ndërsa në dy vjetët e fundit nuk është marrë në pyetje asnjë dëshmitar i ri.
Në pyetjen pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk është marrë në pyetje pas disa deklaratave të tij se e di çfarë ka ndodhur në “Panda” dhe se atë “krim nuk e kanë kryer shqiptarët”, Prokuroria ka theksuar se ende nuk është vendosur për marrjen në pyetje të dëshmitarëve të rinj.
“Për dëshmitarët që në këtë hetim duhet të merren në pyetje, ndër të tjerë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe për kohën kur këto veprime provuese duhet të ndërmerren, do të vendosë Prokuroria kundër krimit të organizuar në përputhje me vlerësimin objektiv të gjendjes faktike të deritanishme dhe vlerësimin se kur është më e dobishme që këto veprime të kryhen”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Kryeministri Albin Kurti, në deklarime të mëhershme rastit iu pat referuar si sulm terrorist të Serbisë.
Ai në dhjetor të vitit 2023 pati thënë se shteti i Serbisë vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjve serbë edhe pas një çerek shekulli.
“Pas këtij rasti, më shumë se 150 shqiptarë u arrestuan në Pejë. Më 17 dhjetor 1998, u arrestuan edhe Agron Kollçaku, Behar Bajri, Beqir Loxha, Gazmend Bajrami, Vllaznim Pergjegjaj dhe Xhevdet Bajrami. Më i madhi prej tyre ishe 22 vjeç, ndërsa më i riu 17. Ata u burgosën në Pejë, ku u torturuan në mënyra çnjerëzore. Në qershor 1999, me rreth 400 të burgosur të tjerë, u dërguan në burg në Leskovc të Serbisë. Në nëntor 1999, gjykata në Serbi i shpalli të gjashtit të pafajshëm. Ata u dënuan me nga një vit burg për shkelje të rendit publik. Një muaj më pas, me ndërmjetësimin e organizatave ndërkombëtare, pesë nga ta u liruan. Behar Bajri u mbajt në burg deri më 6 dhjetor 2000”, pati deklaruar Kurti.
Sipas Kurtit, përderisa të rinjtë shqiptarë të burgosur padrejtësisht ende i vuajnë pasojat e torturave brenda burgjeve serbe, në Serbi ende askush nuk është dënuar për këtë rast.
Ndërkohë Natasha Kandiq, drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare, e cila ishte në Pejë më 19 dhe 20 dhjetor të vitit 1998, në një tekst për Radio Evropën e Lirë në vitin 2014 pati treguar detajet për rastin.
“Shqiptarët më siguruan se vrasja në ‘Panda’ nuk është bërë nga asnjëri prej komunitetit shqiptar. Një nga provat që panë në këtë ishte fakti se policia dhe ushtria filluan kërkimet më 17 dhjetor, tri ditë pas vrasjes”, pati thënë Kandiq.
Ajo pati treguar se së paku 150 shqiptarë nga Kapishnica u ndaluan më 17 dhjetor të vitit 1998 në SUP të Pejës.
“Rreth 200 pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë morën pjesë në kontrollet e shtëpive të shqiptarëve dhe në rrahjet e shqiptarëve. Në marrjen në pyetje të shqiptarëve të ndaluar morën pjesë edhe inspektorët e Sigurimit të Shtetit nga Beogradi. Shqiptarët e rrahur kujtojnë inspektorët me emrat Lubo, Zoran dhe Strikoviq. Thonë se ata të tre i kanë rrahur pa mëshirë. Më 22 dhjetor të vitit 1998, të dyshuarit Agron Kollqaku, Gazmend Bajrami, Xhevdet Bajrami, Beqir Logja dhe Vllaznim Pergjegja ishin sjellë para gjyqtarit hetues Nebojsha Zhivkoviq. Ai mori vendim për mbarimin e hetimeve për aktin terrorist në ‘Panda’. Më 11 qershor të vitit 1999, të pestët u transferuan nga Burgu i Qarkut në Pejë për në burgjet e Serbisë. Në gjykimin para Gjykatës së Qarkut në Leskovc, më 9 nëntor të vitit 1999, ata u dënuan. Por u liruan më 15 dhjetor të vitit 1999, me ndërmjetësimin e MKCK-së”, pati theksuar Kandiq.