Arbëri

Familjarë të viktimave të masakrës së Studimes duan drejtësi e përfundim të përçarjes politike

Mesazh për t’u dhënë fund përçarjeve politike është dhënë në përvjetorin e 26-të të masakrës së Studimes. Krahas thirrjes për drejtësi për 116 shqiptarët e vrarë, familjarë të viktimave kanë thënë se Kosova nuk duhet parë si pronë nga askush, por si amanet i dëshmorëve dhe i martirëve

Drejtësi për 116 shqiptarët e vrarë në masakrën në Studime të Vushtrrisë është kërkuar të premten në përvjetorin e njëzetë e gjashtë të krimit të kryer nga forcat serbe.

Familjarë të viktimave, përveçqë kanë kërkuar drejtësi për të vrarët, u kanë bërë thirrje politikanëve që t’i lënë anash interesat partiake, kur është në pyetje interesi i shtetit.

“Sot kur po e shënojmë 2 majin, pas 26 vjetësh kemi një përçarje të thellë në mes spektrit politik dhe ajo çfarë ne po kërkojmë si familjarë, është që ashtu siç ishin të unifikuar këtu, të gjithë martirët, dëshmorët, të unifikohet spektri politik dhe ta shtyjmë përpara amanetin që e kanë nga martirët, nga familjarët, nga dëshmoret e këtij vendi. Kosova nuk është pronë e askujt, por është amanet i dëshmorëve dhe martirëve të vendit”, ka thënë Sokol Xhafa, familjar i të rënëve në masakrën e Studimes.

E përfaqësues politikë nuk kanë folur për ndasitë e brendshme. Ata kanë përkujtuar krimin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit për të të vihen para drejtësisë.

“Krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen, nuk falen. Vetëm me drejtësi për viktimat dhe dënim për kriminelët, familjarët do të gjejnë prehje dhe paqja do të jetë e qëndrueshme”, ka theksuar Albin Kurti, kryeministër në detyrë dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se plagët e popullit nuk mbyllen pa ndëshkimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999.

“Kosova përjetë do t’i kujtojë me përulje 117 martirët e masakrës së Studimes, që ranë për këtë tokë, duke u shndërruar në gurë themeltar të lirisë së vendit tonë. Ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse aspironin lirinë e vendit. Plagët e popullit tonë janë ende të freskëta dhe nuk mund të mbyllen pa u ndëshkuar të gjitha krimet! Nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi, derisa ata që urdhëruan vrasjet në masë dhe ekzekutorët të marrin dënimin e merituar”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Kërkesë për drejtësi ka bërë edhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

“Masakra e 2 majit ka lënë gjurmë të mëdha të pashlyeshme, që nga ajo ditë nuk u ndëshkuan kriminelët që e bënë këtë. Sot kujtojmë më dhimbje, ndajmë dhimbjet me familjet…”, ka thënë ai.

Më 2 maj të vitit 1999-s, forcat serbe kanë masakruar 116 civilë shqiptarë, të cilët i kanë nxjerrë nga kolona e qindra njerëzve që po dëboheshin për në Shqipëri. Sipas dëshmitarëve, ata janë pushkatuar brenda dy orëve para syve të familjarëve të tyre.

Një dëshmitar i ka rrëfyer organizatës “Human Rights Watch” (HRW) se si përpara syve ia kanë vrarë djalin, i cili u pati martuar në ditën që është ekzekutuar.

“Kur erdhën te traktori im, aty ndodheshin tre veta: djali im Adnani, Eshref Rashica dhe Ismeti. Të parin e kapën Ismetin, e zbritën nga traktori dhe nisën ta rrihnin. E vranë. Nuk ishte më larg se tri-katër metra. Pastaj erdhën dhe e morën djalin tim. E kapën për krahun e djathtë dhe e qitën në anën tjetër të rrugës. Unë i shkova pas, por ata më qëlluan, më goditën dhe rashë përtokë”, ka dëshmuar ai. “Dëgjova kur gjuajtën. Ishin dy krisma. E pashë të shtrirë përtokë. E kishin qëlluar në shpinë”.

Forcat serbe nuk u patën mjaftuar me kaq. Më 3 maj të 1999-s e gjetën një familje 13-anëtarëshe që kishte qëndruar në shtëpi dhe nuk ia kishte mësyrë Vushtrrisë, e edhe atë e kanë ekzekutuar.