Arbëri

Familja në Muzeqinë të Shtimes që pëson sa herë bie shi

Një familje 4-anëtarëshe në fshatin Muzeqinë të Shtimes mbetet e bllokuar në shtëpi sa herë që ka reshje shiu. Rrugët nga lëvizin përmbytën tërësisht. Si pasojë, fëmijët mbesin pa vijuar mësim. E në Komunën e Shtimes thonë se për këtë vit nuk kanë buxhet të intervenojnë, porse këtë do ta bëjnë vitin e ardhshëm

Dy fëmijë të familjes Demiri nga fshati Muzeqinë i Shtimes privohen nga ndjekja e mësimit sa herë që bie shi.

Rruga që çon deri tek oborri i shtëpisë së tyre përmbytet nga uji dhe e pamundëson lëvizjen.

Kimete Berisha - Demiri, teksa flet për mungesat e fëmijëve në shkollë, thotë se me këtë problem përballen prej më shumë se tre vjetësh.

“Në shkollë e dinë arsimtarët krejt gjendjen qysh është rrugës dhe drejtori i shkollës më ka lëshuar që fëmija nuk po mundet të shkojë në shkollë, shkaku i rrugës se është rrugë e pakalueshme, por deri sot, kurrgjë kurrkush nuk ka intervenuar”, ka thënë Berisha-Demiri.

Përveç bllokimit të rrugëve, uji u ka shkaktuar lagështi brenda në shtëpi, si dhe ua ka dëmtuar orenditë banorëve.

E rreth 200 metra larg shtëpisë së familjes Demiri, ujërat e zeza përzihen me ato atmosferike, duke shkaktuar, pos përmbytje edhe kundërmim.

“Kur ka ra shi, ka pasur gjithmonë vërshime dhe ka ardhur uji, por sidomos prej kur e kanë vendosur atë kanal, veç mbushet kanali dhe direkt kthehet këndej uji. E shihni edhe vetë. Era vjen, krejt komplet bëhet këtu jeshil”, ka thënë Berisha-Demiri.

Ajo tregon se e ka adresuar problemin në Komunën e Shtimes disa herë, por deri më tash nuk është intervenuar.

E në Komunën e Shtimes thonë se nuk kanë pasur mundësi buxhetore të ndërhyjnë deri më tash për shkak të kostos së lartë, porse si projekt do të futet në buxhetin e vitit 2024.

“Është problemi që niveli i rrugës është tepër i ulët me krahasim me tokat që janë përreth të banuara dhe kjo po e shkakton këtë problem. Jemi në diskutim me drejtorinë e urbanizimit dhe ai tha që është plan vitin e ardhshëm që do të rregullohet ajo pjesë dhe nuk do të ketë më vështirësi”, ka deklaruar Bardhyl Rushiti, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Shtimes.

E në Drejtorinë e Urbanizmit thonë se këtë vit krejt çka mund të bëjnë është ta pastrojnë kanalin.

“Në vitin tjetër është projekti i gatshëm për trasenë tjetër prej Gjurkocit në Muzeqinë, që e përfshin edhe atë zonën e ujërave të zeza dhe kanaleve. Këtë vit ne kemi planifikuar 280 mijë euro për këtë rrjedhë të kanalizimit që është rrjet e ndërtuar në vitin 2006–2007 dhe kështu që në këtë aspekt kemi për të investuar”, ka thënë Grejtalb Emini, drejtor për Planifikim Urban në Komunën e Shtimes.

Përveç familjes Demiri, nga dëmtimi i rrjetit të kanalizimit kanë pësuar edhe familje të tjera përreth.