Partnerët e koalicionit “të vendimeve të mëdha”, që premtonin “fillim të ri” e “punësim të një anëtari nga çdo familje” PDK-AAK-Nisma, po ua “dëshmojnë” edhe një herë qytetarëve të Kosovës se libreza e partisë e lidhja familjare është “diploma” për të zënë një vend pune në institucione publike.
Deklarimet e kryeministrit aktual Ramush Haradinaj, për një qeverisje ndryshe, të pastër e efikase, gjatë fushatës zgjedhore dy vjet më parë, dolën të jenë efikase në përmbushjen e aspiratave personale, të familjarëve e njerëzve të partisë.
Bashkëshortë, fëmijë, axhallarë, dajë, teze, nipa e mbesa të njerëzve të partisë së tij kanë zënë vend në kompani publike e ministri të ndryshme. Pas qeverisjes disavjeçare të PDK-së e LDK-së, edhe AAK-së e Nismës u erdhi koha për të përfituar nga të qenit në pushtet, duke punësuar familjarë e militantë në institucione publike, shkruan sot Koha Ditore.
Zyrtarë të lartë e deputetë të këtyre dy partive kanë mbushur institucionet udhëheqëse, agjencitë e ndërmarrjet publike me familjarë. Derisa administrata publike ka shërbyer vazhdimisht si “strehë” për militantë partiakë e për pazare për punësime në të, tani partitë politike po pranojnë haptazi që shtetin e shohin si mundësi për përfitime personale.
E ish-pushtetarët e partnerët e koalicionit aktual qeverisës pas punësimeve të shumta partiake e familjare që kanë bërë sa kanë qenë në pushtet, së fundmi u kanë bërë thirrje organeve të hetuesisë që të merren me këtë çështje.
Por për përfaqësues të shoqërisë civile, një kërkesë e tillë është hipokrizi, pasi, siç thonë, janë të njëjtit që çdo ditë ndërmarrin veprime për punësime mbi baza të nepotizmit dhe korrupsionit dhe që “kanë kapur sistemin e drejtësisë duke punësuar prokurorë e gjykatës, që janë daja, tezja, gruaja...”.
Për analistin Imer Mushkolaj kjo tregon se këta njerëz vijnë në pushtet “për të rehatuar veten dhe familjarë të tyre, e duke injoruar pjesën më të madhe të qytetarëve të tjerë, të cilët kanë të drejtë të gjejnë një vend pune edhe nëse nuk kanë librezë partiake apo lidhje familjare me liderin ose njerëzit e fuqishëm të partisë”....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)