Akuza për tradhti, të prodhuara nga faqe anonime dhe të shpërndara në mënyrë të koordinuar, marrin shtrirje masive në rrjete sociale. Policia nuk ka vepruar, as në rastin kur në shënjestër janë vënë përfaqësues të lartë shtetërorë. E, Qeveria dhe as Kuvendi nuk kanë ndërmarrë nisma ligjore të ngjashme me ato të BE-së, në funksion të frenimit të përmbajtjeve të këtilla dezinformuese e linçuese. Kjo ka rritur shqetësimin tek studiuesit se mediat tradicionale mund t’i braktisin standardet profesionale, duke u tunduar nga përmbajtje që gjenerojnë më shumë klikueshmëri e, rrjedhimisht, edhe të ardhura
Vulë “gjykimit” se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është tradhtar, i ka dhënë një “autoritet” që ka lindur këtë muaj. Quhet “Lidhja Kombëtare Kundër Tradhtisë” dhe është faqe në Facebook.
Ajo prezantohet si organizatë joqeveritare, e krijuar me qëllimin që të bëjë rezistencë qytetare kundër tradhtisë dhe të ekspozojë “narrativa, fytyra publike, individë dhe qëndrime që dëmtojnë interesin kombëtar”.
“Kjo është arkiva e tradhtarëve dhe nga këtu do të bazohet historia”, është fjalia përmbyllëse në prezantimin e faqes.
Në postim nuk i përmendet emri i Kurtit, por tekstit i është bashkëngjitur një fotografi e rrejshme, e gjeneruar me inteligjencë artificiale, që në pamje ka një mural me imazhin e Kurtit e në sfond ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe simbolin e këtij shteti që Kosovën e njeh si pjesë të veten. Në fotografi është shkruar edhe një fragment nga himni kombëtar shqiptar: “Prej luftës veç ai largohet, që është i lindur tradhtar”.
Ndërkaq, në përmbajtje të postimit akuzues për Kurtin, i cili në kohë lufte ishte burgosur nga Serbia, mes tjerash shkruan: “I rekrutuar nga shërbimet sekrete serbe në vitin 1997, pas një takimi me ish-shefin e UDB-së në Brezovicë, me misionin për t’u infiltruar në strukturat e UÇK-së. I arrestuar jo si armik, por si skenë, për t’i ndërtuar legjitimitet artificial dhe për t’u paraqitur si ‘atdhedashës’... I liruar me qëllim, për të nisur fabrikimin e një narrative të rreme ‘nacionaliste’, të ndërtuar për të mashtruar ata që nuk dinë as të lexojnë e as të analizojnë”.
T’zezat në rrjete
Faqja “Lidhja Kombëtare Kundër Tradhtisë” ka 230 ndjekës, por postimi për Kurtin brenda pesë ditësh ka grumbulluar mbi 700 pëlqime e reagime tjera, mbi 500 komente e më shumë se 100 shpërndarje.
Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë, thotë se kjo nuk është faqja e vetme që poston përmbajtje të kësaj natyre.
“Ka shumë faqe të ngjashme që janë aktive në rrjete sociale dhe që shpërndajnë materiale vizuale (foto dhe/ose video) të manipuluara dhe të përpunuara, me përmbajtje dezinformuese dhe me qëllim të degradimit të figurës së kryeministrit dhe zyrtarëve të qeverisë”, thotë ai. “Për shembull, është një faqe tjetër me emrin ‘Tana t’zezat’, e cila, përveçse shpërndan postimet e faqes së cilës ju i jeni referuar, rregullisht publikon materiale të gjeneruara me inteligjencë artificiale, pra të rreme, me qëllime dezinformuese dhe denigruese ndaj figurave politike të qeverisë dhe partnerëve të koalicionit qeverisës”.
Faqja “Lidhja Kombëtare Kundër Tradhtisë” e krijuar në janar, ndjek vetëm faqen “Tana t’zezat”, që ka mbi 40 mijë ndjekës. E, pikërisht kjo faqe ka shpërndarë të njëjtin postim saktësisht 12 minuta pas publikimit, ku ka marrë edhe shumë e shumë pëlqime e reagime tjera, komente e shpërndarje.
I njëjti model si ndaj Kurtit, është përsëritur edhe në përmbajtje të tjera të publikuara nga faqja e re, e të shpërndara menjëherë nga tjetra. Në postime të ndara, janë shënjestruar edhe bashkëpunëtore të Kurtit, si ish-shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe Nazlie Bala, që ka shërbyer si këshilltare e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Fotografive të rrejshme u janë shoqëruar përmbajtje në të cilat janë sajuar tregime për lidhje politike me eksponentë të Serbisë, takime apo deklarata publike dhe janë paraqitur si prova të “tradhtisë”. Në asnjërin rast, postimet prezantojnë prova dhe as nuk bëjnë dallim mes fakteve të raportuara dhe interpretimit politik. As nuk tregojnë se fotografitë janë të gjeneruara me inteligjencë artificiale.
Përmbajtje të tilla funksionojnë brenda një mjedisi digjital që i favorizon.
Blerim Rexha, profesor universitar i teknologjisë informative, shpjegon dy forma që i shtyjnë përpara postimet e këtilla. Nëpërmjet algoritmit dhe nëpërmjet manipulimit të algoritmit.
Ai rikujton se algoritmet e rrjeteve sociale janë modele të mësimit të makinave që rendisin postimet sipas gjasës që shfrytëzuesi të ndërveprojë me to nëpërmjet klikimeve, komenteve, shikimit të gjatë, shpërndarjeve, e jo sipas rëndësisë shoqërore.
Rexha tregon se si ndërtohen dhe veprojnë ato.
“Fillimisht mblidhet ‘inventari’ i postimeve që mund t’i shfaqen shfrytëzuesit nga miqtë, faqet, grupet, trendet. Pastaj për secilin postim llogariten qindra sinjale – sa komentohet, sa shpërndahet, sa gjatë shikohet, kush e fsheh, e të tjera”, thotë Rexha. “Modeli trajnohet të parashikojë probabilitetin që shfrytëzuesi ta pëlqejë, komentojë, shpërndajë apo ta shikojë gjatë një postim, dhe këto kombinohen në një notë (score) total”.
Manipulimi i algoritmeve
“Score” ka kuptimin e vlerës numerike që algoritmi ia jep një postimi, videoje, apo edhe një përdoruesi të rrjeteve sociale, për të vendosur sa i rëndësishëm dhe sa i vlefshëm është ai për t’u shfaqur.
Rexha thotë se postimet me score më të lartë ngjiten lart në feed të shfrytëzuesit dhe shfaqen më shpesh, ndërsa të tjerat paraqiten më poshtë ose zhduken krejt.
Ai tregon se algoritmet edhe mund të manipulohen nga aktorë të jashtëm, qoftë individë, grupe politike apo rrjete të koordinuara.
“Teknikisht, manipulimi i algoritmeve është jo i lehtë, por as i pamundur – dhe studimet tregojnë se aktorë të jashtëm e bëjnë këtë rregullisht, sidomos për tema politike. Arsyeja kryesore është se algoritmet mbështeten te metrika të thjeshta angazhimi, si likes, komente, repost, watch time... Dhe kjo score mund të përmirësohet nga rrjete bots-ash, llogari të rreme dhe aktivitete të sinkronizuara që e rrisin artificialisht angazhimin/trafikun rreth një slogani, hashtag-u apo narrativi”, thotë Rexha.
“Bots” është shprehje për llogari të automatizuara, të kontrolluara nga softuerë që postojnë, shpërndajnë dhe komentojnë automatikisht, aktivizohen masivisht në momente të caktuara dhe kanë qëllim të krijojnë iluzionin e shumicës.
Ndërkaq, “trolls” është shprehje për persona realë që nëpërmjet llogarive të tyre në rrjete sociale, provokojnë, ofendojnë, nxisin urrejtje dhe kështu ndezin debate.
Kësisoj, bots-ët e shtyjnë përmbajtjen nëpërmjet pëlqimeve dhe reagimeve tjera, shpërndarjeve e komenteve, kurse trolls-ët e ndezin konfliktin në komente.
Këtë algoritmi e sheh si angazhim dhe e shpërndan më shumë përmbajtjen.
Vetëm dy minuta pas postimit të përmbajtjes nëpërmjet së cilës “Lidhja Kombëtare Kundër Tradhtisë” që ka pak ndjekës e “shpall” tradhtare Donika Gërvallen, atë e shpërndan faqja “Tana t’zezat” me mbi 40 mijë ndjekës. Postimin për Nazlie Balën e shpërndan pas tre minutash, kurse atë për Mimoza Kusarin pas tetë minutash. Më pastaj, përmbajtjet kanë marrë qindra komente e dhjetëra herë janë shpërndarë.
Ditën kur është lansuar faqja “Lidhja Kombëtare Kundër Tradhtisë”, në dy postime “Tana t’zezat” ka bërë thirrje që faqja të ndiqej, duke e interpretuar veprimin si interes kombëtar.
“Bonja follow. Heshtja është bashkëpunim në tradhti”, shkruan në njërin nga ta. “Kjo është rezistenca”.
Përmbajtjet e kësaj faqeje kanë nxitur edhe reagimin e qeverisë, tregon zëdhënësi Perparim Kryeziu.
“Ka pasur raste kur natyra e pretendimeve dhe shpërndarja e gjerë kanë nxitur reagimin tonë zyrtar, siç ishte rasti me një fotografi të krijuar me inteligjencë artificiale, e cila në mënyrë të rreme paraqiste kryeministrin Kurti duke shtrënguar duart me ish-presidentin e Serbisë, Koshtunica, teksa lirohej nga burgu në vitin 2001. Kjo fotografi ishte publikuar në një faqe në Facebook me emrin ‘UÇK – Ushtria Çlirimtare e Kosovës’, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025”, thotë ai.
Heshtja e autoriteteve
“Tana t’zezat”, ndonëse e kategorizuar si satirë, është krijuar fillimisht si faqe me identitet informativ me emrin “AlbLajm.ch”, është riemërtuar në fund të vitit 2025 dhe shfaq një orientim të qartë kundër eksponentëve të partisë në pushtet apo personaliteteve publike që e mbështesin atë, duke e demonstruar nëpërmjet fotografive e videove të rrejshme të gjeneruara me inteligjencë artificiale, apo narrativave spekulative e linçuese. Ajo ka një administrator në Kosovë e një në Zvicër.
E, ndonëse edhe kryeministri në detyrë është viktimë e të tilla përmbajtjeve dezinformuese e linçuese, autoritetet nuk kanë ndërmarrë veprime.
Në Polici nuk iu përgjigjën pyetjeve nëse ky institucion i konsideron si çështje që mund të përbëjnë vepër penale, postimet në rrjete sociale që përmbajnë akuza për tradhti dhe bashkëpunim me shërbime të huaja. Nuk treguan as nëse ka nisur ndonjë hetim apo vlerësim paraprak lidhur me përhapjen e këtyre narrativave përmes faqeve anonime në rrjete sociale.
Fatbardh Dema, fact-checker në organizatën Hibrid e cila merret me verifikimin e fakteve, thotë se ka prova të funksionimit të rrjeteve të koordinuara që shfrytëzojnë logjikën e algoritmit për të rritur shtrirjen e narrativave të ndjeshme, veçanërisht atyre që lidhen me Serbinë.
Ai jep shembuj se si synohen edhe ndërhyrje nga jashtë, nëpërmjet të tillave instrumente.
“Ka domaine që bartin emër jo shqip. Përmbajtjet e tyre i publikojnë kryesisht nëpër dhjetëra faqe në Facebook. Këto domaine ne i quajmë si ‘portale të dyshimta’, pasi nuk janë të regjistruara dhe nuk posedojnë impressum apo informatat bazë se kush qëndron prapa tyre. Ky fenomen njihet si ‘Troll Farm’”, thotë ai. “Rast tjetër është edhe rrjeti propagandistik rus ‘Pravda’, që përmes ‘bots’ operon në mbi 80 shtete, ku përfshihet edhe Ballkani, dhe tashmë ka hapur një ‘portal lajmesh’ edhe në shqip. Ky rrjet shtyn narrativa pro-ruse dhe pro-serbe”.
Në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) nuk treguan nëse definohen si instrumente të luftës hibride edhe postimet që përmbajnë akuza për bashkëpunim me shërbime të huaja dhe që synojnë delegjitimimin e përfaqësuesve të institucioneve, e po ashtu nuk treguan se sa është e ekspozuar Kosova ndaj ndikimeve të jashtme përmes rrjeteve sociale dhe faqeve anonime online.
Profesori Rexha, i cili ka shpjeguar mënyrën se si aktorë të jashtëm mund të ndërhyjnë në manipulim algoritmesh, tregon se platformat e rrjeteve sociale, përmes vetë dizajnit të tyre, u japin avantazh narrativave politikisht të ndjeshme në krahasim me përmbajtjet neutrale e të verifikuara.
“Metrikat e dukshme si likes, views dhe trending krijojnë efekt ‘social proof’, njoftimet e vazhdueshme për komente e replika i mbajnë të gjalla postimet konfliktuale, ndërsa fact-check-et, vijnë shpesh me vonesë, pasi narrativa tashmë është përhapur. Struktura e grupeve dhe komuniteteve të mbyllura forcon qarkullimin brenda audiencave homogjene politike, dhe sistemi i monetizimit i shpërblen krijuesit që prodhojnë tituj më emocionalë e më agresivë ndaj ‘kundërshtarit’”, thotë Rexha. “Si rezultat, narrativat e nxehta, emocionale dhe shpesh të paverifikuara marrin më shumë shtrirje sesa informacioni i balancuar faktik”.
Larg politikave të BE-së
Platformat e rrjeteve sociale nuk u janë përgjigjur pyetjeve për çështje që lidhen me algoritmet dhe me bashkëpunimin me institucione të Kosovës. Prej më shumë se një muaji, kompania Meta, në kuadër të së cilës janë Facebook e Instagram, nuk ka kthyer përgjigje në pyetje.
Ndërkaq, në TikTok, në përgjigje të pyetjeve specifike lidhur me funksionimin e algoritmit, rreziqet e polarizimit dhe dezinformimit, si dhe bashkëpunimin me institucione në Kosovë dhe rajon, nuk kanë dhënë përgjigje të drejtpërdrejta. Një nga menaxherët për informim që veprojnë për tregun e Evropës, Andrea Rungg, ka përcjellë vegëza që çojnë tek informata zyrtare të transparencës së TikTok-ut, përfshirë materiale mbi sistemin e rekomandimit, moderimin e përmbajtjes dhe integritetin e zgjedhjeve.
Në vende të Bashkimit Evropian (BE), ekzistojnë mekanizma dhe bazë ligjore që detyron platformat e mëdha të ofrojnë transparencë për funksionimin e algoritmeve, të vlerësojnë rreziqet sistemike, përfshirë dezinformimin dhe gjuhën e urrejtjes, dhe të bashkëpunojnë me autoritetet publike.
Por, në Kosovë mungojnë. Për rrjedhojë nuk monitorohet as ndikimi i algoritmeve të rrjeteve sociale në komunikimet elektronike dhe trafik.
Kosova ka Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), por mandati i këtij institucioni është i kufizuar.
“Mandati aktual i ARKEP-it është i kufizuar në rregullimin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike, por duke përjashtuar shërbimet, të cilat ofrojnë përmbajtje nëpërmjet rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike, ose që ushtrojnë kontroll redaksional ndaj përmbajtjes së ofruar për transmetimin, duke përdorur rrjetet ose shërbimet e komunikimeve elektronike”, thuhet në një përgjigje të shkruar të ARKEP. “Rrjedhimisht, ARKEP nuk ka kompetenca ligjore për të kërkuar transparencë të algoritmeve apo për të rregulluar përmbajtjen ose funksionimin e platformave të rrjeteve sociale”.
BE-ja këtë fushë e ka rregulluar përmes Aktit të Shërbimeve Digjitale (Digital Services Act - DSA) dhe Aktit të Tregjeve Digjitale (Digital Markets Act - DMA). Objektivi kryesor i këtyre akteve është të sigurojnë mbrojtje efektive të të drejtave themelore, funksionim të rregullt të tregjeve digjitale, krijim të një mjedisi online të sigurt, transparent dhe të përgjegjshëm për përdoruesit dhe ofruesit e shërbimeve.
Por, këto dokumente nuk janë transpozuar në legjislacionin e Kosovës
Në ARKEP thanë se veprime priten këtë vit.
“Bazuar në informatat që ka ARKEP, këtë vit parashihet të fillohet puna për transpozimin e DSA dhe DMA në legjislacionin e Kosovës. Deri në përfundimin e këtij procesi, ARKEP nuk mund të konstatojë se cili do të jetë roli i tij specifik në këtë fushë”, thuhet në përgjigje.
Thuajse gjatë gjithë vitit të shkuar, Kosova ka funksionuar me Qeveri në detyrë dhe pa Kuvend funksional. Për rrjedhojë, as nuk janë sponsorizuar ligje dhe as nuk janë miratuar.
Meqë pas zgjedhjeve të shkurtit nuk është arritur të formohet qeveria e re, janë organizuar zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit, të cilat e kanë nxjerrë fituese me mbi 50 për qind të votave Lëvizjen Vetëvendosje që drejtohet nga Kurti. Ai ka paralajmëruar formimin e Qeverisë së re, pas certifikimit të rezultateve e konstituimit të legjislaturës së dhjetë.
Në kabinetin e tij nuk iu përgjigjën pyetjes që lidhet me nisma ligjore si ato të BE-së për rregullimin e platformave digjitale, me fokus te transparenca, algoritmet dhe përgjegjësia e rrjeteve sociale.
Megjithëkëtë, zëdhënësi Perparim Kryeziu tha se “në të ardhmen e afërt”, kërkohet “seriozisht vëmendje dhe trajtim nga institucionet përkatëse”, për faqe që krijojnë, shpërndajnë dhe promovojnë fushata të koordinuara dezinformimi në hapësira online, e të cilat vazhdojnë të jenë të parregulluara.
Kush dezinformon?
Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, thotë se dezinformimi në Kosovë mund të luftohet vetëm nëse kjo luftë bëhet prioritet i lartë për Qeverinë, Kuvendin dhe institucionet e pavarura. Ajo thekson se deri më tani, përveç “akuzave shpesh të pabazuara për dezinformim që janë bërë nga pushteti ndaj mediave”, nuk ka pasur asnjë hap konkret shtetëror në luftimin e dezinformimit.
Kusari shtron nevojën për veprime të shpejta.
“Obligimi kryesor i Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës është transpozimi i Direktivës DSA, e cila do t’u jepte autoritet ARKEP-it dhe KPM-së që të adresonin çështjen e përmbajtjes online”, këmbëngul ajo. “Në veçanti, do të përcaktohej se kush do të jetë Koordinatori për Shërbime Digjitale, procedurat për ankesa lidhur me largimin e përmbajtjes online, si dhe se kush do të jenë ‘trusted flaggers’”.
Pritja e Kusarit është që këto zhvillime të kenë ndikim afatgjatë në rregullimin e përmbajtjes online, dhe vlerëson se është thelbësisht e nevojshme që transpozimit t’i paraprijë krijimi i një grupi punues gjithëpërfshirës, në mënyrë që të gjitha institucionet relevante, përfshirë mediat, shoqërinë civile dhe sektorin privat, të dakordohen parimisht, në vija të trasha, rreth mënyrës së transpozimit.
“Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, tashmë ka precedentë që ligjet e aprovuara pa pjesëmarrjen e sektorëve relevantë mund të kontestohen me sukses në instanca gjyqësore”, thotë ajo. “Shpresoj që transpozimi i DSA-së dhe direktivave të tjera përcjellëse të hyjë në agjendën legjislative të Qeverisë dhe të Kuvendit”.
Kusari shtron nevojën që të ndërmerren edhe veprime tjera për ta luftuar dezinformimin, krahas transpozimit të direktivave të BE-së.
Ajo thotë se është e natyrës urgjente që Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të hartojë dhe miratojë Strategjinë Kombëtare për Edukim Medial, që sipas saj, ndihmon shumë në luftën kundër dezinformimit.
“Veprime të tjera që do të kontribuonin në luftën kundër dezinformimit janë: ndarja e buxhetit publik për media sipas obligimeve që rrjedhin nga Ligji i KPM-së, rritja e transparencës dhe e aftësisë së institucioneve për t’u përgjigjur shpejt dhe në mënyrë të plotë mediave, rritja e kapaciteteve për fact-checking si në organizatat joqeveritare ashtu edhe në mediat publike dhe private, dhe mbi të gjitha që njerëzit në pushtet të mos kontribuojnë vetë në dezinformim duke manipuluar fakte, statistika dhe duke krijuar narrativa të paqena”, thotë Kusari.
Krahas saj, edhe personalitete publike, përfshirë gazetarë e analistë politikë, janë ankuar për gjuhë linçuese nga zyrtarë të lartë e mbështetës të Kurtit, e po ashtu edhe për gjuhën polarizuese të vet Kurtit.
Zëdhënësi Kryeziu thotë se kryeministri nuk ka bërë etiketime dhe pretendime të tilla siç bëhen në adresë të tij.
“Krahasimet eventuale rrezikojnë legjitimimin e gjuhës së ashpër që është përdorur në vazhdimësi kundër kryeministrit Kurti. Përgjatë viteve të fundit, krahas faqeve pa autorë në rrjete sociale, kryeministri Kurti ka qenë vazhdimisht cak i etiketimeve edhe nga persona publikë dhe politikë që e kanë quajtur atë ‘agjent dhe njeri i Serbisë e Rusisë’, gjithashtu kanë hedhur madje dyshime edhe mbi mënyrën dhe prapavijën e lirimit të z. Kurti nga burgjet e Serbisë”, ka thënë ai. “Kjo ka ushqyer një narrativë të rrezikshme jo vetëm ndaj kryeministrit Kurti, por edhe ndaj të gjithë ish-të burgosurve politikë, të cilët sot, fatmirësisht kanë dalë të gjallë nga burgjet mizore të Serbisë”.
Në pjesën e parë të hulumtimit, që është publikuar një ditë më parë, janë treguar raste kur edhe kryeministri në detyrë, e edhe deputetë të partive në pushtet e të atyre në opozitë, janë bërë pjesë e diskursit polarizues që ka prodhuar angazhim të lartë në rrjete sociale. Kjo është bërë përmes deklaratave dhe përmbajtjeve me gjuhë akuzuese, të cilat algoritmet i kanë shtyrë dukshëm më shumë sesa raportimet informative të mediave.
Më së qarti kjo është parë nga 26 gushti i vitit të shkuar, kur u zgjodh kryeparlamentari dhe nënkryetarët e Kuvendit por jo nënkryetari nga radhët e komunitetit serb, i cili u zgjodh më vonë, e deri më 19 nëntor, kur u mbajtën dy seanca plenare të Kuvendit. Lista Serbe u shndërrua në një nga temat më dominuese të diskursit politik në rrjete sociale. Gjatë kësaj periudhe, sipas të dhënave të mbledhura përmes platformës “Pikasa”, kjo parti u përmend në gjithsej 9,639 përmbajtje të postuara. Ato gjeneruan 320,426 angazhime, mbi 3.6 milionë shikime, 221,663 pëlqime dhe reagime të tjera, 30,395 shpërndarje dhe 68,368 komente. Përmbajtjet me angazhimin më të lartë u postuan nga politikanë që janë më aktivë në rrjete sociale.
“Tundimi” i mediave
Ambienti në rrjete sociale ka efekt edhe në media, thonë studiuesit.
Dren Gërguri, profesor universitar i gazetarisë në UP, shpreh besimin se mediat janë në situatë të vështirë, pasi thotë se në njërën anë ballafaqohen me sfidën e uljes së të ardhurave nga reklamat, e në anën tjetër janë në konkurrencë me krijues të pavarur apo influencerë, dhe gjithashtu e kanë presionin për të arritur më shumë angazhim të përdoruesve të mediave sociale, në mënyrë që të gjenerojnë edhe nga platformat online.
“E gjithë kjo ka rritur tundimin te mediat që shpesh braktisin standardet profesionale duke përdorur tituj mbresëlënës apo duke publikuar storie që janë më të përshtatshme për media sociale, pavarësisht se mund të mos ketë interes publik për to”, thotë ai.
Por, në kontekstin e Kosovës, a po i detyrojnë algoritmet mediat që të ndjekin narrativat më polarizuese dhe më “klikuese”?
Gërguri thotë se modeli i biznesit që disa media të Kosovës kanë zgjedhur është ndjekja e interesimit të publikut dhe jo interesit publik. Sipas tij, për të tërhequr audiencën, ato kthejnë përqendrimin te përmbajtjet më argëtuese ose më “klikuese”.
“Kjo e dëmton dita-ditës ambientin informativ në vendin tonë dhe mundëson që në diskutime publike fokusi të jetë në tema që sjellin klikime, por në të njëjtën kohë dëmtojnë shoqërinë duke e rritur polarizimin, përhapjen e dezinformimit, të gjuhës së urrejtjes e kështu me radhë”, thotë ai.
Artan Krasniqi, profesor i sociologjisë në UP, e i cili ligjëron edhe mediat, e mbështet këtë konstatim.
Ai thotë se me mediat e reja dhe në rrethanat e një shumësie informatash, lufta për të qenë sa më i pazakonshëm dhe më sensacional në dhënien e informatave e rrezikon seriozisht edhe profesionalizimin në gazetari, e edhe demokracinë me derivatet e saj.
“Mungesa e një tradite shtetërore në shoqërinë tonë ka bërë shumë herë përgjatë historisë që njerëzit të marrin drejtësinë në duart e tyre. Kjo tendencë është bartur në media, sidomos përmes komenteve, që shërbejnë shpeshherë sot si një arenë ku bëhet gjyqi publik”, thotë Krasniqi. “Mediet e besueshme po humbin rëndësinë, për faktin se njerëzit duan të dëgjojnë të vërtetën që atyre u pëlqen ta dëgjojnë”.
Në anën tjetër, Gërguri shtron nevojën që mediat ta ruajnë integritetin editorial, edhe nëse për këtë duhet të paguajnë “çmimin” e numrit më të vogël të klikimeve, pasi thekson se, në fund të ditës, kualiteti duhet të jetë prioriteti i medias, jo kuantiteti.
“Kjo mund të arrihet me balancim në mes të personalizimit që bëhet me algoritmet në media sociale dhe standardeve redaksionale”, thotë ai, dhe sugjeron që redaksitë të përpiqen ta ulin presionin për klikime duke përdorur matje alternative përveç atyre të platformës, si matja e besueshmërisë së përmbajtjes, koha mesatare e leximit duke analizuar angazhimin më të thellë sesa thjesht klikimi, ndikimi në politika publike ose në debatet shoqërore, e të tjera. Modelet janë listuar në një studim të Institutit Reuters për Studimin e Gazetarisë.
“Kjo qasje mendoj se ndihmon në forcimin e gazetarisë cilësore dhe jep shembullin e ruajtjes së integritetit në një mjedis ku algoritmet dhe klikimet anojnë kah sensacionalizmi”, thotë Gërguri.
Brengë e studiuesve të mediave mbetet fakti që ndikimi i algoritmeve nuk ndalet vetëm te shpërndarja e përmbajtjes. Sipas tyre, ajo shtrihet edhe te mënyra se si një numër redaksish përcaktojnë prioritetet editoriale dhe temat që hyjnë në qarkullim publik.
E, në mungesë të filtrimit redaktorial dhe të verifikimit profesional, një pjesë e audiencës përballet me përmbajtje që kanë akuza të formuluara si “fakte të kryera”, të cilat, të shpërndara masivisht në rrjete sociale, perceptohen shpesh si të besueshme. Komentet e analizuara në mijëra postime tregojnë se kjo ndodh edhe kur përmbajtjet burojnë nga faqe të cilat prezantohen si autoritete që vendosin kujt t’ia vënë vulën e “patriotit” e kujt të “tradhtarit”.
(Ky material është realizuar në kuadër të projektit Integriteti i Mediave dhe Gjurmimi i Dezinformimit (MIDWatch), i cili po implementohet nga BIRN Kosova, Internews Kosova dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Projekti mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes financimit nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Pikëpamjet e shprehura nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikat zyrtare të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe organizatave implementuese.)