EULEX-i ka monitoruar 25 raste ku ishin të përfshirë zyrtarët policorë dhe ka gjetur se në shumicën e rasteve dhuna ndaj viktimave ka ndodhur jashtë ambienteve të policisë. EULEX-i ka rekomanduar nisjen e përdorimit të kamerave në uniformat e zyrtarëve policorë. Rekomandimi është përkrahur edhe nga ekspertët e sigurisë
Rrahja me shqelma, shuplaka e goditje me shkopinj gome janë disa nga keqtrajtimet e pretenduara që zyrtarët policorë u kanë bërë të ndaluarve, ka konstatuar misioni i BE-së për sundimin e ligjit - EULEX.
Sipas një raporti të EULEX-it, bazuar në shqyrtimin e aktgjykimeve që lidheshin me këto keqtrajtime gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ndaj 22 viktimave dhuna ka ndodhur jashtë ambienteve të policisë e për 11 të tjerë brenda ambienteve të policisë.
EULEX- i këto pretendime i ka nxjerrë nga monitorimi i 25 rasteve.
“Bazuar në shqyrtimin e aktgjykimeve është e qartë se nga 41 zyrtarë policorë të akuzuar në ato 24 raste, 18 ishin pjesë ‘e njësive speciale’ të ndryshme (44%), 15 u përkisnin njësive të rregullta ose njësia e tyre nuk ishte e specifikuar në aktgjykim (37%), pesë ishin hetues (12%) dhe tre ishin nga policia e trafikut (7%). Rastet përfshinin gjithsej 29 viktima, përfshirë tre të mitur”, thuhet në raportin e EULEX-it.
Në raport thuhet se në total janë 73 akuza të ngritura kundër 41 zyrtarëve policorë dhe se hapat hetimorë të ndërmarrë nuk ishin mjaftueshëm të shpejtë.
“Në raste të shumëfishta, hetimet fillestare u nisën disa javë pas akuzave publike, duke çuar në uljen e disponueshmërisë së provave. Intervistat me personat e përfshirë (zyrtarë policorë, viktima të dyshuara dhe dëshmitarë) ndonjëherë u mbajtën me vonesa, ndonjëherë disa muaj pas incidentit, edhe kur identiteti i tyre ishte i njohur; kjo qasje mund të rezultojë në uljen e vlerës së provave dhe të rrisë rrezikun e deklaratave të koordinuara. Ndërsa vonesat për mbajtjen e intervistave mund të arsyetohen me prioritete operative dhe mungesë të personelit, duhet të merret në konsideratë se mungesa e shpejtësisë mund të ndikojë në efektivitetin e përgjithshëm të hetimeve”, thuhet në raport.
Në rekomandimet e EULEX-it thuhet se përmes trajnimeve, zyrtarët policorë duhet të marrin mesazhin se çdo formë e keqtrajtimit është e paligjshme dhe duhet të ndëshkohet.
E ish-koloneli policor, Refki Morina, ka thënë se sjelljet e zyrtarëve policorë duhet të jenë konform ligjit për këtë institucion.
“Transparenca kërkon që personit të dyshuar që është arrest t’i tregohet për çfarë është arrestuar, qëllimi i arrestimit. Ai i gëzon të drejtat e tij, prandaj aspekti ose sjelljet e këqija të hetuesve ose të patrullave policore ndaj personit të dyshuar në aspektin psikik dhe fizik janë të patolerueshme. Nëse shihet se kemi të bëjmë me persona të tillë, të ndërmerren masa konfrom ligjit dhe personat të tillë, nuk kanë vend në Policinë e Kosovës”, ka thënë Morina.
EULEX-i ka rekomanduar nisjen e përdorimit të kamerave në uniformat e zyrtarëve policorë, gjë që sipas Morinës, është shumë e nevojshme.
“Kamerat e trupit janë bashkëbisedimi me të dyshuarin, me personin që e ndal. Mënyra agresive e sjelljes ose e të dyshuarit, ose e zyrtarit policor, ajo tregon për sjelljet e njëri-tjetrit, pra tregon për etikën policore ose etikën qytetare. Kamerat janë një siguri, por duhet të krijohet vetëdija edhe te qytetarët, edhe te zyrtarët policorë, për shkak që kemi të bëjmë me polici demokratike”, ka deklaruar Morina.
Sipas EULEX-it, prokuroritë themelore duhet t’u japin përparësi rasteve që përfshijnë shkeljet nga policia.