Arbëri

Eshtrat e tetë të zhdukurve mund të jenë në vendin ku u gërmua më herët nga UNMIK-u

Eshtrat e tetë të zhdukurve mund të jenë në vendin ku u gërmua më herët nga UNMIK-u

Mbetjet mortore të një personi dhe disa pjesë kockore të tjera janë gjetur në rajonin e Rahovecit, e që dyshohet se janë të viktimave të luftës.

Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka thënë se mbetjet janë dërguar në IML për verifikim, tek ka shtuar se sipas informacioneve bëhet fjalë për viktimave të ngjarjeve të ndodhura më 1998 në komunën e Rahovecit.

Ai ka thënë se numri i viktimave që mund të gjenden në këtë lokacion mund të shkojë deri në tetë.

“Ky është një lokacion që është punuar në të kaluarën nga Tribunali i Hagës nga ekipet e  UNMIK-ut, por duke iu falënderuar punës analitike të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe institucioneve tona është ardhë në përfundim që një numër i viktimave, personave të zhdukur, ka mundësi që janë ende të varrosur këtu sepse nuk janë zhvarrosur gjatë punimeve në të kaluarën. Ky numër është deri në tetë, nuk mund ta saktësojmë, mund të jetë edhe më i vogël  por maksimum mund të jetë tetë”, ka thënë ai.

Haliti ka shtuar se gjatë këtij viti janë gjetur gjithsej mbetjet mortore të 22 individëve.

E, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka shpjeguar se bëhet fjalë për verën e vitit 1998 kur forcat serbe për të fshehur gjurmën e krimeve kishin groposur trupat e mbi 40 viktimave. 

“Po flasim për verën e vitit 1998 kur forcat serbe në krimet e përmasave gjenocidale të kryera ndaj popullatës shqiptare, në përpjekjet e tyre të fshehjes së gjurmëve të krimit kufomat e më shumë se 40 viktimave kanë varrosur, po e them varrosur për shkak të familjarëve, në këtë rast kanë groposur në këtë zonë, në këtë lokacion”, ka thënë ai.

Edhe Gara ka thënë se në këtë lokacion janë zhvilluar gërmime edhe më herët, por se sipas tij Komisioni kur i ka analizuar të dhënat ka ardhur në përfundim se jo të gjitha mbetjet mortore kanë arritur të zhvarrosen në gërmimet e mëhershme që janë zhvilluar në vitin 1999, 2002 dhe 2007. 

“Në bazë të vlerësimeve në kemi konkluduar se janë zhvarrosur mbetjet mortore të 36 viktimave, që do të thotë në bazë të shënimeve të paktën mund të jenë edhe 8 persona”, është shprehur Gara.