Në episodin e njëmbëdhjetë të podcastit PIKË, publicisti Veton Surroi diskuton me aktorin Enver Petrovci mbi shumë çështje, përfshirë teatrin e politikën.

Surroi: Nuk kam rezervë ndaj politikës, por përgjegjësinë për ORA-në e ndjeva si personale

3 o. më parë / 18 maj 2025 20:56
Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi, në një bisedë me aktorin Enver Petrovci në podcastin PIKË, foli hapur për arsyet pse nuk është më i përfshirë në politikën aktive, duke iu referuar përvojës me Partinë Reformiste ORA në zgjedhjet e vitit 2007.

“Sepse isha i përfshirë në politikë aktive atëherë dhe kisha përgjegjësi jo vetëm për të fituar vota, por edhe për t’i ruajtur ato vota që mos të vidhen. Dhe ndonëse formalisht nuk do të duhej të merresha me këto punë, e ndjeva si përgjegjësi personale që ORA nuk hyri në Parlament”, u shpreh Surroi.

Enver Petrovci, duke e sfiduar me një pyetje të drejtpërdrejtë – pse nuk merret më me politikë – ka thënë se përgjigjja e Surroit ishte më shumë një formë ngushëllimi.

“Unë mendoj që je dorëzu shumë shpejt. ORA ka qenë shumë afër me hy në Parlament. Po të kishe vazhdu, sot kishe me qenë fitues i madh, sepse ka ndryshu edhe mendja e njerëzve”, theksoi Petrovci.

Surroi, megjithatë, mbeti i qartë në qëndrimin e tij, duke shtuar se përfshirja e tij në jetën publike ka qenë gjithmonë transparente dhe e angazhuar, edhe jashtë kornizave të politikës partiake.

Petrovci: Në teatër ti e kontrollon gjendjen, në film e kontrollon kamera

4 o. më parë / 18 maj 2025 20:27
Enver Petrovci

Aktori i njohur Enver Petrovci, i ftuar në podcastin PIKË të publicistit Veton Surroi, ka shpalosur mendimet e tij për dallimet thelbësore mes filmit dhe teatrit, duke theksuar besnikërinë e tij të përjetshme ndaj skenës teatrore.

"Unë shumë jam shkollu për me lujtë vetëm në film, por dashuria ime mbeti teatri. Ka një dallim shumë të madh – në teatër ti e kontrollon gjendjen, në film e kontrollon kamera, regjisori, montazha", u shpreh Petrovci.

Duke e krahasuar teatrin me operën dhe filmin me muzikën tallava, ai tha se “në teatër është e pamundur me luajt qeni mirë”, ndërsa në film “edhe majmuni mundet me luajt bukur” sepse, sipas tij, “në film luan montazha, jo aktori domosdoshmërisht.”

Petrovci rrëfeu edhe për përkushtimin e madh në gjuhë dhe diksion, që i mundësoi të luante role kryesore në të gjitha teatrot e ish-Jugosllavisë, në një gjuhë që nuk ishte amtare për të.

“Në film mundesh me u përmirësu, në teatër jo. Pa gjuhë s’ke kah shkon në skenë”, ka thënë Petrovci.

Petrovci rrëfen kohën kur Teatri Kombëtar u shndërrua në rezistencë gjatë okupimit

Aktori dhe regjisori Enver Petrovci, në një bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi në podcastin PIKË, ka treguar se si teatri në Kosovë, në vitet e okupimit serb, u shndërrua në një formë të fuqishme rezistence kulturore.

Surroi e pyeti Petrovcin për kohën e okupimit kur Teatri ishte i vetmi institucion kulturor funksional.

“Vetë situata na futi në lojë, se çdo institucion kulturor u mbyll. Teatri Kombëtar i Prishtinës funksiononte vetëm formalisht, nuk punonte asgjë serioze”, ka thënë Petrovci, duke kujtuar se si nga përvoja e marrë në ish-Jugosllavi nisi të rindërtojë teatrin nga e para.

Me përkushtim të plotë, ai investoi vetë në infrastrukturën e teatrit, duke blerë, siç tregon, drita nga Lubjana, karrika nga Sarajeva, perdet nga Gjakova dhe pajisje të tjera nga Beogradi.

“Pas një viti e dy muajsh, filloi me punu teatri”, ka thënë ai, duke shtuar se ishte përkushtimi i aktorëve me shpirt që e bëri të mundur funksionimin e një institucioni artistik në kohë represioni.

Petrovci kujtoi edhe bashkëpunimin me emra të njohur si Faruk Begolli dhe Teki Dervishi.

“U thashë: Detyra e juve është me pi kafe çdo mëngjes – edhe kishin rrogë të mirë – se pa njerëz që e duan këtë punë, nuk ka teatër”, ka deklaruar aktori.

Duke e krahasuar atmosferën e krijuar me “Ateljenë 212” të Beogradit, një hapësirë ikonike e mendimit të lirë dhe debatit të thellë artistik, Petrovci theksoi se përmes teatrit, u mbajt gjallë jo vetëm kultura, por edhe vetë identiteti shpirtëror i një populli nën shtypje.