Emir Abrashi nga organizata Demokracia në Veprim ka thënë se fakti që kanë udhëtuar të ndarë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla, për të marrë pjesë në Javën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e tregon më së miri se ku gjendet politika e jashtme e Kosovës.
Sipas tij, udhëtimet e ndara të udhëheqësve institucionalë me agjenda të pakoordinuara tregojnë mungesë vizioni dhe strategjie.
“Takimet e presidentes, kryeministrit dhe ministres janë të vakëta, nuk kanë peshë dhe nuk do të duhej të ndodhnin në këtë masë kaq të vogël”, ka thënë Abrashi në “60 Minuta” të KTV-së.
Ai kujtoi se në të kaluarën, Java e Asamblesë së Përgjithshme ka qenë periudhë me agjenda të ngarkuara dhe takime të rëndësishme, ndërsa tani, sipas tij, Kosova po zhvillon pak takime dhe me liderë që nuk kanë rëndësi strategjike për shtetin. Siç thotë ai, Kosova po bojkotohet nga shtetet e rëndësishme aleate.
“Në të kaluarën, kur kam qenë pjesë e Ministrisë së Jashtme, Java e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka qenë javë e ngarkuar me takime dhe shpeshherë s’kemi mundur të marrim frymë nga takimet. Tash janë pak takime, me liderë të vendeve që nuk janë të rëndësishëm në këndvështrimin e Kosovës, për t’i arritur qëllimet strategjike. Mos keqkuptohemi, nuk është e parëndësishme, megjithatë kur flasim për synimet si shtet në politikën e jashtme, janë disa shtete të tjera që duhet t’i kemi pikësynim – të cilat duket se Kosovën po e bojkotojnë dhe ky është mesazh i keq”, ka deklaruar Abrashi.
Ai pati kritika se si është udhëhequr Ministria e Jashtme në këto pesë vjet.
“Thuajse të gjithë liderët janë në New York, por s’kemi takime. Jemi duke u ballafaquar me një politikë të jashtme shumë pasive. Në këto pesë vjet, Ministria e Jashtme më shumë vepron si ministri e Diasporës. Shumë misione diplomatike merren më tepër me diasporën sesa me vendosjen e kontakteve të nivelit të lartë diplomatik”, ka thënë Abrashi.