Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoEkspertja e politikës së jashtme, Donika Emini, ka thënë se zgjedhjet e reja nuk i konvenojnë asnjë partie politike dhe se beson që do të ketë një marrëveshje për çështjen e presidentit.
Ajo ka thënë se nuk ka qenë kurrë çështja te emri për presidentin, por se janë dinamikat e fuqia politike që mund ta zgjidhin këtë çështje në fund.
“Në momentin e fundit do të kemi një marrëveshje, sepse partitë edhe pse normalisht po përgatitet për zgjedhje, janë në fushatë, ish-presidentja Osmani është në fushatë politike, edhe partitë e tjera, mirëpo të gjitha partitë i druhen një procesi të ri zgjedhor”, ka deklaruar Emini në emisionin “Interaktiv” në KTV.
Sipas saj edhe Vetëvendosja ka shumë për të humbur nëse vendi shkon në zgjedhje.
“E para Vetëvendosja ka shumë për të humbur, ajo normalisht se është një hap para në lojë, sepse nuk i ka pritur partitë e tjera dhe nuk ka bërë asnjë marrëveshje për qeverisje, i ka vazhduar ato që mund t’i vazhdojë e vetme dhe i ka lënë çështjet për të cilat i duhet opozita deri në momentin e fundit sepse normalisht ka avantazh në lojë dhe gjatë kësaj kohe Vetëvendosja është duke menaxhuar me buxhetin e shtetit, është buxhet mjaft gjeneroz, ka skema sociale, ka rrogën e 13-të, diçka që aplikohet për herë të parë”, ka deklaruar Emini
“Të tjerat edhe pse normalisht e kanë të vetëm levë në dorë ndaj Vetëvendosjes, numrat për presidentin, sepse nuk kanë fuqi tjetër politike, po e shtyjnë deri në fund lojën ... që të dyja (PDK dhe LDK) sepse e treta AAK-ja ka gjasa të mos e kalojë pragun, sidomos nëse Vjosa Osmani futet në lojë partiake politike, këto të dyja do të jenë të rrezikuara”, ka shtuar ajo.
Emini ka thënë se do të ishte e udhës që të mos kishte zgjedhje të reja, pasi sipas saj, një proces i ri zgjedhor nuk do të prodhonte asnjë ndryshim dhe asnjë përfitim për Kosovën.
Emini ka theksuar se e udhës do të ishte të vazhdonte puna e Qeverisë pasi sipas saj ka procese jetike si dialogu e integrimet për të cilat ka thënë se duhet të punohet.
Kosova ka hyrë në dy javët e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Nëse deri më 28 prill nuk zgjidhet presidenti, vendi shkon detyrimisht në zgjedhje që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Të mërkurën ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka thënë të mërkurën se është i gatshëm ta tërheqë kandidaturën për president, në rast se opozita ofron një kandidaturë.
Por, ka theksuar se “nga aeroplani” shihet mungesa e vullnetit të opozitës për të zgjedhur presidentin.
Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, subjektet politike nuk kanë arritur të gjejnë konsensus për presidentin.
E, në seancën për zgjedhjen e kreut të shtetit, e cila u bojkotua nga opozita, fillimisht Konjufca u propozua nga Vetëvendosje, e më pas edhe Fatmire Kollçaku-Mulhaxha. Seanca nuk u zhvillua, meqë në momentin kur duhej të zhvillohej votimi në sallë nuk ishin së paku 80 deputetë, sa kërkohen në raundin e parë e të dytë të zgjedhjes.
Kushtetuta kërkon që presidenti i ri të zgjidhet jo më larg se një muaj përpara se t’i përfundojë mandati atij aktual. Seanca për zgjedhjen e presidentit u zhvillua më 5 mars, një muaj para se Vjosa Osmani ta përmbyllte mandatin. Të nesërmen, Osmani nxori dekretin, me të cilin e shpërndau Kuvendin.
Por, Kushtetuesja e shpalli të paefektshëm dekretin dhe vendosi që t’u japë kohë deputetëve deri më 28 prill, meqë konstatoi se nga nisja e mandatit ata nuk i patën në dispozicion 60 ditë për ta zgjedhur kreun e shtetit. E, sipas Kushtetutës, nëse zgjedhja dështon pas 60 ditësh, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e parakohshme.