Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës nga e mërkura do të jetë Bekim Gashi, ka njoftuar Bekim Brestovci, drejtor i Inspektoratit.
Në një shkrim në Facebook, Brestovci ka thënë se ia dorëzoi detyrën Gashit, i cili deri tash ka shërbyer këshilltar në kabinetin e Përparim Ramës, kryetarit të Prishtinës.
Deri tash, Brestovci e mbante edhe pozitën që nga sot do ta mbajë Gashi. Instituti i Kosovës për Drejtësi pati thënë se vendimi i Ramës për ta emëruar Brestovcin si drejtor të Inspektoratit, pa e shkarkuar paraprakisht nga udhëheqja e Shërbimeve Publike, bie ndesh me statutin e komunës dhe cilësohet si konflikt interesi.
“Sot, duke vazhduar ta mbajë pozitën e Drejtorit të Drejtorisë së Inspektoriatit në Kryeqytet, i dorëzova detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Bekim Gashit, deri sot këshilltar ne kabinetin e kryetarit Rama. Drejtorit të ri, në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, i uroj punë të suksesshme dhe realizim të plotë të të gjitha objektivave për vitin 2025.Të priftë e mbara drejtor Beka!!!”, shkroi Brestovci.