Elvir Azizi e ka drejtuar prej katër vjetësh Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar, gjatë së cilës periudhë KOHA vazhdimisht ka raportuar për mungesë barnash, lista të gjata të pritjes për operime, vonesa në marrjen e trajtimit e për mungesë stafi në klinika.
Por, Bordi i këtij institucioni e ka vlerësuar pozitivisht performancën e Azizit dhe ia ka vazhduar mandatin edhe për katër vjet të tjerë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas Bordit, gjatë periudhës 2023–2025, SHSKUK-ja ka shënuar progres të dukshëm në shumicën e treguesve kryesorë të performancës.
“Numri i pacientëve të shtrirë/hospitalizuar është rritur për 11.9%, numri i operimeve për 12.5%, vizitat ambulatore për 24.6%, shërbimet laboratorike për 20.5%, ekzaminimet CT për 12.7%, ndërsa ekzaminimet MRI kanë shënuar rritje prej 71%. Gjithashtu, është rritur edhe volumi i shërbimeve të kardiologjisë invazive, me 11.9% më shumë koronarografi dhe 13.3% më shumë implantime të stentave”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
Një ditë më parë, të hënën, KOHA ka raportuar se pacientët me kancer të avancuar të gjirit kanë mbetur tash e dy muaj pa terapinë e nevojshme, e cila në tregun privat kushton deri në 1.900 euro.
Ndërkaq, javën e shkuar, ka raportuar edhe se në Klinikën e Ortopedisë, pritja për vendosjen e protezës së gjurit zgjat deri në pesë vjet, ndërsa në Kirurgjinë Abdominale pacientët presin deri në gjashtë muaj për operim.
Së fundmi, SHSKUK-ja për disa javë ka mbetur edhe pa penj kirurgjikë që përdoren në operime, dhe zgjidhjen e ka bërë me tender emergjent, duke i kontraktuar disa lloje dyfish më shtrenjtë sesa çmimi në barnatore.
Ndërkaq, vitin e shkuar, institucioni që e drejton Azizi nuk i ka ndarë për më shumë se një vit pajisjet ndihmëse për personat e paralizuar, të blera shumë më shtrenjtë sesa çmimi i tregut.
Në komunikatën për media të lëshuar nga Bordi i SHSKUK-së nuk janë përmendur mungesat. Në të janë listuar projekte që janë përshkruar si arritje gjatë mandatit të kaluar të Azizit.
“Në këtë periudhë janë realizuar projekte të rëndësishme zhvillimore dhe strategjike, përfshirë funksionalizimin e Cath Lab-it në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, investimet në Mjekësinë Nukleare, zgjerimin e kapaciteteve të Kardiokirurgjisë, hapjen e shërbimeve të reja në spitalet e përgjithshme, zhvillimin e programit të fertilizimit të asistuar (IVF), investimet në Qendrën Stomatologjike Universitare të Kosovës, si dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë LuxDev dhe GIZ”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe nga vlerësimi i Bordit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar mangësi në planifikimin buxhetor, procesin e tenderimit dhe menaxhimin e fondeve. Sipas raportit, SHSKUK-ja u ka dhënë kontrata edhe operatorëve ekonomikë të papërgjegjshëm.