Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Shtime ka mbetur pa menaxhmentin e deritashëm. Kryetari i Komunës ka thënë se vendimi është marrë me qëllim të rritjes së nivelit të shërbimit ndaj qytetarëve e të shkarkuarit kanë paralajmëruar padi ndaj tij, pasi kanë thënë se vendimi ishte i padrejtë dhe politik.
Ekzekutivi i Komunës së Shtimes ka shkarkuar të gjithë stafin menaxherial në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, i cili vetë është mjek me profesion, thotë se vendimi është marrë me qëllim të rritjes së nivelit të shërbimit ndaj qytetarëve.
“Shkarkimi në QKMF i stafit ka ndodhur atje pas një gjendjeje të mjerueshme dhe pas një auditimi që ka ndodhur nga auditori i brendshëm, i cili ka nxjerrë mangësi menaxheriale të jashtëzakonshme”, ka thënë Aliu.
Por zyrtarët e shkarkuar kanë akuzuar lidershipin e ri të Komunës për vendime të padrejta dhe politike.
Në mesin e të shkarkuarve është edhe Behxhet Hyseni, i cili ka qenë kryeinfermieri i shërbimit emergjent primar. Ai thotë se gjatë 36 vjetëve sa ka përvojë, punën e ka kryer me nder dhe profesionalizëm.
“Le ta dijë kryetari ynë që mua kjo po më bëhet dhuna e dytë psikike. Për Serbinë e kemi ditur se çfarë ata mendojnë për neve, por mua si punëtor i vjetër me këtë përvojë dhe pa pasur asnjë vërejtje nga asnjë punëdhënës i deritashëm, dhe me ardhë puna po të shkarkoj vetëm për qëllime politike, unë kujtoj se ky është një turp që nuk e di se si mbulohet”, ka thënë Behxhet Hyseni, ish-kryeinfermier i shërbimit emergjent primar në Shtime.
Çështja e këtyre shkarkimeve ka nxitur të premten debat edhe në mbledhjen e Kuvendit Komunal.
“Në QKMF janë shkarkuar katër punonjës për çështje politike. A mendoni se ju keni bërë shkelje të ligjit të punës duke pasur parasysh se këta zyrtarë kanë kontrata të përhershme dhe performanca e tyre gjatë 22 vjetëve ka qenë e shkëlqyer, madje disa prej tyre kanë qenë kontributdhënës edhe para luftës”, ka thënë asamblisti i PDK-së, Rrahman Jakupi.
Punonjësit shëndetësorë të shkarkuar kanë paralajmëruar padi ndaj Komunës e edhe ndaj kryetarit Qemajl Aliu.