Arbëri

Ekzekutivi refuzon t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve që s’i kanë votuar marrëveshjet ndërkombëtare

Kabineti qeverisës ka marrë vendim që të mos u përgjigjet pyetjeve parlamentare të deputetëve që nuk janë duke i votuar marrëveshjet ndërkombëtarë.

Në seancën e Kuvendit që po mbahet të premten, e cila në rend dite ka pasur vetëm pikën “pyetje parlamentare”, në të cilën kryeministri e ministrat u përgjigjen pyetjeve të deputetëve, kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo po bëhet për shkak të refuzimit të disa deputetëve të opozitës për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

“Për shkak se nuk po i votoni marrëveshjet, të gjithë deputetët që po i bëjnë pyetjet nuk do ta kenë përgjigjen time edhe pse tashmë e kam të përgatitur. Jemi kolegë të të njëjtit shtet. Nuk ka pasur kryeministër në Kosovën e pavarur që është përgjigjur më me seriozitet në pyetjet parlamentare. Me keqardhje unë nuk mund të përgjigjem në pyetjet parlamentare që nuk vijnë nga ky parlament", ka theksuar Kurti.

Deputetët ë PDK-së dhe të AAK-së, për disa seanca me radhë nuk i kanë votuar marrëveshjet ndërkombëtare. Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri në seancën e mbajtur të enjten e kësaj jave ka thënë se marrëveshjet ndërkombëtare do t’i votojnë nëse caktohet data e zgjedhjeve.

Pas refuzimit që bëri Qeveria për të ju përgjigjur, deputetët e LDK-së dhe të AAK-së e kanë lëshuar sallën, ndërsa ata të PDK-së kanë qëndruar në sallën planare.

Seanca ka vazhduar dhe ministrat po u janë përgjigjen pyetjeve parlamentare të deputetëve të pushtetit.


Musliu: Qeveria po u vendos kushte deputetëve, kjo është diktaturë

Pas kësaj ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu.

Ajo ka thënë se është diktaturë që Qeveria t’u vendos kushte të zgjedhurve të popullit.

“Me ardhë Qeveria me na qit kushte në parlament, deputetëve të zgjedhur të popullit, kjo është diktaturë. Pyetjen e kam pasur për Xhelal Sveçlen pyetjen s’po e bëj, por po e ftoj të vije nga kampi Belvedere dhe ta bindë këtë njeri këtu që t’i votojnë rekomandimet qe kanë dalë nga PDK-ja për Policinë e Kosovës. Mjaft më se u bëtë gaz”, është shprehur Musliu.

fjalës së Kurtit gjithashtu ka reaguar edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, të cilës nuk i është përgjigjur në një pyetje ministri i Shëndetësisë Arben Vitia.

Ajo ka thënë se Kurti nuk i ka sjellë asnjë hajër shtetit të Kosovës.

“Mirë qe ta kemi gjetur edhe një kauzë por a e ke votuar ti marrëveshjen e stabilizim asociimit ... Ti je këtu me e shkatërru shtetin e Kosovës. Ti nuk s’i ke lejuar deputetët të votojnë për Policinë e Kosovën. Për neve s’ka rëndësi shko shëtitu në Greqi sa të duash se hajër s’i ke sjellë këtij shteti”, ka theksuar Kadrijaj.