Tri sfida dhe 22 masa ka paraparë Qeveria e Kosovës në Programin për reforma të ekonomisë për vitet 2023-2025. Por, në të nuk përmendet askund ridizajnimi i politikave fiskale që kishte premtuar në programin qeverisës. Si sfidë kryesore për ekonominë Qeveria i ka kualifikuar furnizimin e qëndrueshëm me energji, nxitjen e punësimit dhe reduktimin e ekonomisë joformale
Furnizimi i qëndrueshëm me energji, nxitja e punësimit dhe reduktimi i ekonomisë joformale janë tri sfidat që Ekzekutivi ka listuar në draft-programin për reforma ekonomike të viteve 2023-2025.
Në draftin që është nxjerrë në konsultim publik, nga 30 dhjetori deri më 24 janar, parashihen 22 masa për adresimin e këtyre sfidave. Por, aty nuk përmendet fare çështja e dizajnimit të politikave fiskale, që ishte premtuar në programin e Qeverisë.
Krijimi i kushteve për furnizim të qëndrueshëm me energji është sfida kryesore e kualifikuar nga Ekzekutivi për tre vjetët e ardhshëm. Në draft-program përmenden dy masa për adresimin e saj – reformimi i tregut të energjisë dhe promovimi i energjisë efiçiente të burimeve të ripërtërishme në funksion të tranzicionit të gjelbër.
Këto masa parashihen edhe në Strategjinë 10-vjeçare për energji, të miratuar në Kuvend më 2022.
Sfida e dytë është ajo e nxitjes së punësimit të qëndrueshëm nëpërmjet përmirësimit të cilësisë në arsim dhe lidhjes me nevojat e tregut.
“Kjo masë synon bashkëpunimin me tregun e punës që përfshin bizneset në funksion të nevojave të tyre për fuqi punëtore të kualifikuar me shkathtësi dhe kompetenca të nevojshme, sipas standardeve të profesionit. Standardet e kualifikimit dhe kurrikulat e plotësojnë sistemin e AAP-së me kualifikime formale dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës, përfshirë Njohjen e Mësimit Paraprak (NjMP)”, thuhet në draft-programin për reforma në ekonomi 2023-2025.
Reduktimi i ekonomisë joformale dhe përmirësimi i mjedisit për biznes përbën sfidën e tretë të renditur nga Ekzekutivi e që bazohet në një studim të 2017-s, kur vlerësohej se ekonomia joformale arrin deri në 30 për qind të bruto produktit vendor.
Se nuk ka të dhëna të reja në këtë drejtim, ceket edhe në dokumentin tjetër të Qeverisë për zbatimin e strategjisë në parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale.
“Dogana e Kosovës ka evidentuar rreth 10.9 milionë euro të hyra nga aktivitetet e luftimit të ekonomisë joformale, duke përfshirë: të hyrat nga rivlerësimi i mallrave 9,995,500.00 euro, të hyrat nga kundërvajtjet dhe dënimet 677,644.23 euro, të hyrat nga mosdeklarimi i mjeteve monetare 117,122.57 EUR dhe të hyrat nga shitja e mallrave të konfiskuara 99,691.58 euro”, thuhet në raportin e strategjisë për luftimin e ekonomisë joformale.
Për reduktimin e ekonomisë gri, Ekzekutivi në Programin për reforma në ekonomi ka paraparë përmirësim të mjedisit për të bërë biznes nëpërmjet zvogëlimit të barrës administrative dhe reformës së inspektimeve.