Arbëri

Ekspertët mjeko-ligjorë: Tre anëtarët e familjes Haliti kanë vdekur nga helmimi

Ekspertët mjeko-ligjorë në Shqipëri kanë zbardhur ekspertizën e vdekjes së tre anëtarëve të së njëjtës familje nga Gjilani, të cilët ndodheshin në Gjirin e Lalzit.

Sipas ekspertizës, shkak i vdekjes është helmimi i shkaktuar nga kërpudhat. Sipas burimeve, njëkohësisht po kryhen edhe analizat e ushqimeve, konkretisht kërpudhave që janë gjetur të gatuara në shtëpinë e viktimave në Gjirin e Lalzit.

Ngjarja zë fill që të mërkurën e javës që sapo lamë pas, kur Elfete, Afrim e Ferzinaze Halitit iu shfaqën simptoma të rënda helmimi, pasi kishin konsumuar kërpudha, që i kishin mbledhur vetë në Gjirin e Lalzit. Por pavarësisht gjendjes së keqe shëndetësore, ata ndenjën në shtëpi, duke u drejtuar për në ambulancën e Manzës të enjten në mëngjes, pasi qëndruan në shtëpi 6 orë me dhimbje të forta barku. Pas mjekimit në ambulancë, ata u dërguan më pas sërish në shtëpi, por gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar edhe më tej, ku janë transportuar më pas drejt Spitalit të Durrësit. Pasi nuk po përmirësoheshin, ata u transportuan drejt Tiranës.

Helmimi i tyre ka ndodhur më 5 maj, derisa më 8 maj humbën jetën të tre anëtarët e familjes, edhe pse ata vdiqën me diferencë prej 24 orësh nga njëri-tjetri.

Policia shqiptare ka proceduar penalisht dy mjekët e Qendrës Shëndetësore në Manzë, mjekun Shyqyr Beqajn 54 vjeç dhe Jonuz Karajn, 60-vjeçar, për veprën penale "Mjekim i pakujdesshëm".