E dështuar është konsideruar ideja e Mini-Schengenit ballkanik si iniciativë paralele e integrimit në Bashkimin Evropian. Në prezantimin e punimit “Mini-Schengeni dhe Bashkëpunimi Rajonal: Nevojiten gjashtë shtete për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor”, publikuar nga D4D, Visar Xhambazi nga kjo organizatë ka thënë se kjo ide ka dështuar për disa arsye.
Duke e quajtur “perspektivë të vogël për bashkëpunim rajonal deri në integrimin në BE”, Xhambazi ka thënë se ajo dështoi edhe në informim të qytetarëve rreth nismës.
“Dështoi se Mali i Zi e Bosnja nuk iu bashkua me arsyen se pengon rrugën drejt integrimit në BE. Pra Mini-Schengeni nuk ka arritur të sigurojë përkushtim nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe i mungojnë mekanizmat strategjik, koordinues dhe zbatues”, është shprehur ai në prezantim.
Marko Savkoviq nga Fondacioni për Ekselencë Politike në Beograd, ka thënë se integrimi ekonomik është tregimi i vetëm i suksesit që mund të vijë shpejt në shprehje. Sipas tij, megjithatë ka barriera sa i përket çështjeve doganore, të cilat ka thënë se duhet eliminuar.
Donika Emini nga CiviKos ka thënë se problemi ishte se iniciativa është shtyrë nga jashtë dhe jo nga brenda shteteve të Ballkanit.
“Mini-Schengeni nuk është i momentit. Ka qenë e paqarte si ide, edhe vendi problematik Novi Sadi, kur dihet se edhe ish-presidenti Hashim Thaçi ka pas probleme me qenë fizikisht atje”, ka thënë ajo.
Teksa ka komentuar marrëveshjet e fundit rajonale, Emini ka thënë se është mirë nëse Kosova arrin marrëveshje me Bosnje e Hercegovinën për lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Iniciativa për Mini-Schengenin ballkanik u nis në Novi Sad të Serbisë, në një takim mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq, kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe atij të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev në tetor të 2019-s. Pas saj ishin mbajtur dy takime të tjera, por iniciativa u refuzua që nga fillimi nga të gjithë partitë politike në Kosovë.
