Aksident me fatalitet ka ndodhur mesditën e së premtes në Lagjen Veternik në kryeqytet. Dëshmitarët kanë treguar se vetura që ka goditur këmbësorin për vdekje ishte duke lëvizur me shpejtësi të madhe. E në zonën ku ka ndodhur aksidenti mungon mbikalimi, i kërkuar nga banorët e i premtuar edhe nga autoritetet qeverisëse
Një këmbësor është goditur për vdekje nga një veturë mesditën e së premtes në lagjen “Veternik” në kryeqytet. Ai ishte duke lëvizur nga njëra anë në tjetrën, në rrugën me gjashtë korsi dhe ku nuk lejohet qarkullimi i këmbësorëve.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë se policia ka nisur hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë çuar deri tek aksidenti. Ngasësi i veturës është shoqëruar në stacion policor.
“Në këtë aksident, kanë qenë të përfshirë një këmbësor dhe një automjet në lëvizje. Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësori, i cili nuk ka arritur t’i përballojë plagët dhe i njëjti ka vdekur. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, ka thënë ajo.
Sipas dëshmitarëve, vetura e ka goditur këmbësorin duke e larguar për disa metra, por nga shpejtësia e madhe nuk ka arritur të ndalet. Banorët thonë se ai ka vazhduar përtej qendrës tregtare.
Edhe në të kaluarën në këtë aks rrugor ka pasur aksidente me fatalitet. Për të ulur numrin e aksidenteve, Kuvendi ka nisur një iniciativë për të hartuar ligjin e ri për trafik. Kryetarja e Komisionit për mjedis, Fitore Pacolli në emisionin “Sot” në KTV ka thënë se bashkë me Ministrinë e Mjedisit dhe Policinë kanë paraparë ndryshimet nga ligji aktual, duke ashpërsuar gjobat për shkelësit e rregullave në trafik.
“Me ligjin e ri do të parashihet që për shkelje më të lartë, nëse shkelet shpejtësia në zonën urbane - nëse vozitësi vozitë mbi 50 kilometra në orë atëherë dënimi do të jetë 500 euro, konfiskohet leja dhe i ndalohet vozitja për 1 vit dhe i merren 5 pikë nga leja”, ka thënë ajo.
Ajo ka theksuar se ligji i ri do të parasheh që dënimet të kryhen aty për aty në mënyrë që lëndë të mos shkojnë në gjykata.
Me ndryshimet ligjore ngasësit mund të dënohen edhe nëse vërtetohet në kamera që janë të vendosura në qytet. Dënimi sipas deputetes Pacolli atyre do t’u shkojë në shtëpi.
Për shkak të aksidenteve të shumta në pjesën e Veternikut, në vitin 2021 qytetarët kishin nënshkruar peticion duke kërkuar ndërtimin e një mbikalimi, por i cili ende nuk është bërë.
Një vit më herët, më 2020, ishte nënshkruar një memorandum bashkëpunimi mes ministrit të atëhershëm të Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku dhe ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ky mes tjerash parashihej ndërtimi i mbikalimit në “Veternik”. Vlera e këtij projekti parashihej të jetë 1.5 milion euro. Edhe pse tenderi ishte hapur, mbikalimi nuk është ndërtuar për shkak të procedurave tenderuese.
Në fund të vitit të kaluar edhe kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, në mesin e projekteve e ka përmendur mbikalimin në “Veternik”.