Arbëri

Edhe një dimër me ajër të ndotur

Me të hyrë në stinën e dimrit e deri në pranverë, qytetarët që jetojnë në kryeqytet shoqërohen me ajrin e ndotur.

Dimrit Prishtina është e zhytur në smog, që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra, i cili vërehet gjithandej.

Madje pas Obiliqit, aty ku edhe gjenden termocentralet e KEK- ut, kryeqyteti radhitet si komuna më e ndotur në Kosovë.

Gjendja edhe më shumë keqësohet në kohën kur kriza energjetike është kthyer në një ndër problemet më të mëdha.

Me çmimet e larta, qytetarët detyrohen që ngrohjen ta sigurojnë duke djegur thëngjill, dru e lëndë të tjera, të cilat kontribuojnë në uljen e cilësisë së ajrit.

Ndër vite Komuna nuk ka ndërmarrë ndonjë masë e cila do ta përmirësonte cilësinë e ajrit.

Zyrtarja e lartë për ambientin, Seniha Haxhiu-Bajraktari, thotë se nuk është sa mendohet ajri i ndotur.

“Komuna e Prishtinës është ndër qytetet më të ndotura në Kosovë, mirëpo nuk është edhe aq sa po mendohet për shkak se në vitet e fundit komuna ka filluar me implementimin e projekteve të caktuara të cilat janë të përfshira në planin e mobilitetit dhe dokumente të tjera që po ndikojnë në cilësinë e ajrit. Mirëpo në kohën e dimrit është e pamundur që të bëhet parandalimi për shkak të kushteve atmosferike sepse ndotja nuk po bëhet vetëm nga automjetet ose industritë”.

Numri i madh i veturave që vijnë edhe nga qytetet e tjera në kryeqytet, e po ashtu shumica prej tyre janë të vjetra.

Janë ndër faktorët kryesorë që e bëjnë ndotjen e ajrit.

“Faktorët të cilët e shkaktojnë ndotjen kanë mbetur po ata të njëjtit vetëm se tanimë iu shtohen edhe faktorët njerëzorë. Edhe pse duket larg, në vijë ajrore kryeqyteti është shumë afër në vijë ajtore me termocentralet e KEK-ut. Transporti në Prishtinë prapë është faktor i cili e bënë ndotjen e ajrit ne masë të madhe, numri i veturave është i madh, prapë”, tha eksperti i ambientit, Zeqir Veselaj.

“Shumica e flotës së veturave në Kosovë e të cilat mandej zbresin në kryeqytet janë të vjetra, janë shumë prej tyre me djegje diesel, për shkak të gjendjes ekonomike të qytetarëve sepse është derivat më i lirë. Kësaj i shtohet edhe faktori i tretë që është edhe mungesa e cilësisë së rrugëve dhe ngarkesa e madhe me vetura bënë që vetura të djegë derivate duke qëndruar në kolonë”, shtoi Veselaj.

Në Raportin e Progresit të përpiluar nga INDEP-ja për vitin 2023, theksohet se ndotja e ajrit mbetet ndër sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet Kosova.

Raporti sugjeron që të zbatohen masat specifike si energjia e ripërtëritshme, reduktimi i përdorimit të thëngjillit, largimi i veturave të vjetra dhe promovimi i transportit të qëndrueshëm me më pak trafik motorik.

Sipas studimit të Organizatës Botërore për Shëndetësi, cilësia e ndotur e ajrit shkurton jetën e njerëzve në mesataren 1.8 ndër vite.

Çdo vit IKSHPK-ja paralajmëron dhe alarmon se po qe se nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritja e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore do të jetë shqetësuese.