Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Edhe dy ditë afat për zgjedhjen e presidentit, partitë pa zgjidhje

Presidenca - president -Llogo-Simbolet shteterore - 10-02-2022-dp (4)

Foto: Driton Paçarada

Nesër përfundon afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërkohë që partitë politike nuk kanë gjetur konsensus rreth një emri që do të siguronte pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në procesin e votimit për president.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) u ka bërë ofertë dy subjekteve kryesore në opozitë, Partisë Demokratike (PDK) dhe Lidhjes Demokratike (LDK) që t’i ofrojnë tri propozime për president dhe ka dhënë zotimin për t’i ofruar nënshkrimet për t’i formalizuar kandidaturat e edhe për të votuar njërin nga kandidatët. Ofertën e ka publikuar të shtunën, tri ditë përpara se të skadojë afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

PDK-ja e ka refuzuar ofertën. E LDK-ja ka kushtëzuar ofrimin e kandidatit, duke përmendur si emër të përveçëm Vjosa Osmanin, e cila përmbylli këtë muaj mandatin pesëvjeçar të presidentes.

PDK-ja ka refuzuar ofertën e së shtunës, që bashkë me LDK-në të ofrojnë tri kandidatura për president.

Hamza ka quajtur manovër të kryeministrit Kurti, propozimin e ri që e ka publikuar. Ai ka theksuar se çështja e presidentit për PDK-në është “ e mbyllur”.

“Ne jemi parti të ndryshme. PDK-ja e LDK-ja janë subjekte në vete. AAK-ja është në vete. S’e ka ftuar fare. Me LDK-në ka tjera oferta, me PDK-në kemi diskutuar për presidentin. S’është çështje e rehatimit të individit, por çështje serioze që ka mundur të diskutohet në tavolinë kur ishim bashkë, por s’ka pasur seriozitet nga LVV-ja e s’ka as tash”, ka thënë Hamza në holl të Kuvendit, para seancës së jashtëzakonshme.

E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me një shkrim drejtuar kryeministrit Albin Kurti në Facebook ka përmendur mundësinë e propozimit të ish-presidentes Osmani për postin e presidentes po që se garantohet 66 vota nga Vetëvendosja.

“I nderuar Kryeministër Kurti, meqë po komunikojmë në distancë, ju lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë”, ka shkruar në Facebook Abdixhiku. “Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot përgjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të”.

Pas konstituimit të legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, Kurti ka zhvilluar takime të ndara me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza e me atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, lidhur me gjetjen e një kandidati konsensual për president. Marrëveshje nuk u arrit deri më 5 mars kur mendohej se ishte dita e fundit për zgjedhjen e presidentit, e kur LVV-ja propozoi dy kandidatë – eksponentë të kësaj partie: ministrin e Punëve të jashtme, Glauk Konjufca, si dhe deputeten Fatmire Mulhaxha-Kollçaku. Votimi nuk u zhvillua, meqë dy raundet e para të procesit kërkojnë pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në votim, por seanca u bojkotua nga PDK-ja, LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe (LS).

Të nesërmen, Osmani nxori dekretin për shpërndarje të Kuvendit, por atë e kontestuan në Kushtetuese Qeveria dhe deputetët e Vetëvendosjes, e më pas gjykata e shpalli pa efekt juridik dhe u dha kohë deputetëve që ta bëjnë zgjedhjen e presidentit deri të martën e ardhshme, kur bëhen fiks dy muaj prej se ushtron aktivisht mandatin legjislatura e dhjetë.

Pas vendimit të Kushtetueses, Kurti ka zhvilluar takime vetëm me Abdixhikun. Ato nuk kanë rezultuar me marrëveshje për presidentin dhe u dakorduan të mos ketë më takime për të gjetur zgjidhje. Të njëjtën ditë, në një mbledhje të Këshillit Drejtues, PDK-ja e shpalli të mbyllur kontributin e saj në procesin e negociatave për presidentin.

PDK-ja në diskutimet e mëhershme pati propozuar që ky subjekt t’i japë dy emra për president e që Vetëvendosje t’i mbështesë.

Në procesin e negociatave për presidentin, AAK-ja nuk është ftuar nga kryeministri Kurti. Kjo parti prej rreth një muaji ka propozuar që me PDK-në dhe LDK-në të ofrojnë kandidat të përbashkët për presidenti, por këto subjekte politike nuk i janë përgjigjur ftesës.

E, ofertën e LVV-së, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar tallje me qytetarët. Ai ka thënë se propozimi nuk është kredibil.

Afati për zgjedhjen e presidentit mbaron nesëër, më 28 prill. Nëse nuk zgjidhet, Kuvendi shpërndahet me automatizëm, e në situatë të tillë Kushtetuta kërkon që zgjedhjet e parakohshme të mbahen brenda 45 ditësh. Bazuar në këto afate, data më e largët kur kosovarët do t’u drejtoheshin kutive të votimit, është 7 qershori.