Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje politikanëve që të përmbahen nga tendencat për ndërhyrje në gjyqësor. Reagimi i BE-së u bë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, hodhi akuza të forta ndaj Gjykatës Kushtetuese duke e quajtur “hije politike të opozitës” ndaj Vetëvendosjes. Kundër sulmeve ndaj kësaj gjykate është shprehur edhe shefi i misionit të EULEX-it
Bashkimi Evropian ka reaguar pas akuzave që iu bënë të dielën Gjykatës Kushtetuese nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca, të dy liderë të partisë fituese të zgjedhjeve - Vetëvendosje.
Në një përgjigje për KOHËN, të hënën, nga Zyra e BE-së në Kosovë u kanë bëtë thirrje politikanëve që të përmbahen nga tendencat për ndërhyrje në gjyqësor.
“Pikëpamja e Bashkimit Evropian në Kosovë është se një nga parimet themelore të sundimit të ligjit është pavarësia e gjyqësorit, dhe se roli i Gjykatës Kushtetuese është të interpretojë dhe të udhëzojë për zbatimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës. Është përgjegjësi e të gjithëve, përfshirë aktorët politikë dhe institucionet të respektojnë këtë, dhe të përmbahen nga çdo formë e ndërhyrjes në punën e gjyqësorit, përfshirë përmes sulmeve personale”, ka thënë Nikola Gaon, zëdhënës i Zyrës së BE-së në Kosovë.
Po ashtu edhe shefi i misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, ka kërkuar të ndalen sulmet ndaj gjyqtarëve.
Në një postim në profilin e tij në rrjetin “X” të hënën, ai ka thënë se pavarësia e gjyqësorit është gurthemel i sundimit të ligjit.
Sipas tij, ndërhyrja e panevojshme përmes sulmeve personale të drejtpërdrejta ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve është e papranueshme.
“Pavarësia gjyqësore është një nga gurthemelet e sundimit të ligjit: pavarësia e gjyqtarëve duhet të respektohet nga të gjithë, në çdo kohë. Ndërhyrja e panevojshme përmes sulmeve personale të drejtuara drejtpërdrejt ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që i kryejnë detyrat e tyre është gjithmonë e papranueshme”, ka thënë Giovanni Pietro Barbano.
Për këto sulme, të hënën ka reaguar edhe vetë Kushtetuesja, duke i quajtur të papranueshme.
Kushtetuesja është sulmuar së fundi të dielën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes.