Arbëri

E dyshuara për spiunazh i dërgoi mesazhe “Mamit”, të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë

Mesazhi që e dyshuara A.M. ia dërgoi Vladimir Radivojeviq "Mami"

Serbja e Kosovës, A.M., që gjendet në paraburgim në Kroaci së bashku me të dashurin e saj, pilotin ushtarak kroat J.I. (54), dyshohet se i ka dërguar mesazhe Vladimir Radivojeviqit, të njohur me nofkën “Mami”, raporton “Index.hr”. 

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Radivojeviqit vitin e kaluar, ndërsa dyshohet se është i lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të 24 shtatorit të vitit 2023, gjatë të cilit u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. 

“Mami” njihet si lider i “Brigadës së Veriut”, që është shpallur organizatë terroriste në Kosovë.
Pilotit kroat J.I., që ishte pjesë e kontingjentit kroat të KFOR-it, dhe të dashurës së tij serbe iu gjetën mesazhe në telefonat celularë, ndër të tjera korrespondonin rreth ngjarjes së 25 shtatorit të vitit 2022, kur anëtarët e KFOR-it u sulmuan në Zubin Potok. 

Në atë kohë e dyshuara A.M. i kishte shkruar “Mamit”, të cilin e kishte shok të fëmijërisë. 

“Duhet ta ‘hekurosni’ sulmin ndaj KFOR-it me çdo kusht”, i kishte shkruar ajo.

Pretendohet se mesazhi ishte për t'i thënë që të mbulohet sulmi. 

Po atë ditë i dashuri i saj, piloti kroat, i dërgoi një mesazh serbes: “Vërtetë e prishët punën mbrëmë”. 

Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, për sulmin ndaj KFOR-it në Zubin Potok kishte thënë në një postim në “Twitter” atëbotë se lojërat e presidentit serb Aleksandar Vuçiqit po vazhdojnë. 

“Ata fillimisht thanë se në Zubin Potok pati konflikte të iniciuara nga Policia e Kosovës. Kur kuptuan se kishin sulmuar KFOR-in donin të mohonin të gjitha sulmet. Barrikadat duhet të hiqen. Serbia duhet të ndalojë organizimin e strukturave të paligjshme dhe kriminale që synojnë ta destabilizojnë Kosovën”, kishte shkruar Sveçla. 

Piloti kroat J.I. akuzohet për një formë më të rëndë të krimit, e sipas prokurorisë mund të dënohet deri me 10 vjet burgim. Ai ishte personi që zbuloi informacion sekret, për lëvizjen e trupave të KFOR-it. 
A.M. mund të dënohet deri me 5 vjet burgim, për një formë më të butë të spiunazhit, për mbledhjen e informacionit sekret dhe transmetimin e tij. 

Të dy janë në paraburgim në Kroaci. Masa iu caktua nga Gjykata e Qarkut në Split. 

E dyshuara A.M. është urdhëruar të mbahet në paraburgim për shkak të rrezikut të ndikimit te dëshmitarët, por edhe të arratisjes. 

Çifti ishte takuar në vitin 2016 në Kosovë. Në atë kohë, piloti punonte si pjesë e kontingjentit kroat në KFOR, ndërsa serbja e Kosovës punonte si përkthyese në EULEX. 

Marrëdhënia e tyre ka vazhduar për nëntë vjet. A.M. kishte shkuar shpesh në Kroaci. 

Piloti dyshohet se u ka thënë hetuesve se partnerja e tij i dërgonte vetëm të dhënat të motit, që ishin të rëndësishme për të si pilot. Ai ka mohuar se shkëmbyen informacione konfidenciale. 

Por, sipas akuzës pretendohet se piloti ka supozuar se e dashura e tij mund të shkëmbente informacione sekrete. Ai i dha megjithatë informata dhe ajo i përcolli ato duke përdorur aplikacion të koduar. 

E dyshuara, në mbrojtje të veten, pretendoi se punonte për shërbimin sekret gjerman. Ajo tha se punon për Shërbimin Federal të Inteligjencës (BND) që merret me mbledhjen dhe analizën e të dhënave të inteligjencës nga jashtë. 

Për rastin ka reaguar edhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq. 

“Presidenti shpreh mbështetje për të gjitha institucionet e Republikës së Kroacisë, kryesisht për Ushtrinë e Kroacisë, e cila përmes veprimeve të veta ka përcaktuar kryerjen e mundshme të veprave penale në dëm të Republikës së Kroacisë dhe ka marrë masat e duhura për t’i identifikuar autorët e mundshëm dhe për të parandaluar vepra të mëtejshme penale”, thuhet nga Presidenca e Kroacisë.

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se institucionet e Kosovës janë në gatishmëri të plotë që të bashkëpunojnë me institucionet e Kroacisë për hetimet lidhur me pilotin kroat dhe të dashurën e tij serbe nga Kosova, nën dyshimet për spiunazh te Serbia.

Në një shkrim në Facebook, Kryeziu ka hedhur poshtë pretendimet se e dyshuara serbe nga Mitrovica ka mundur të ketë siguruar informacione të rëndësishme dhe konfidenciale nga Zyra e Kryeministrit.

“Në lidhje me pretendimet se personi me inicialet A.M., serbe nga Mitrovica, e cila është arrestuar nga autoritetet kroate për dyshime për spiunazh për Serbinë, ka pasur lidhje edhe me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, në krye të herës duam ta bëjmë të qartë për publikun se Zyra e Kryeministrit përbëhet nga stafi civil i përhershëm dhe kabinetet e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave të cilat përbëhen nga të emëruar politikë. Më tej, duam të theksojmë se qasja në informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit është strikt e kufizuar. Andaj ne hedhim poshtë çdo pretendim se personi në fjalë mund të ketë siguruar informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit”, ka shkruar ai.

Për “Mamin” së fundi ka folur edhe Albulena Haxhiu, ish-ministre e Drejtësisë e tash nënkryetare e Kuvendit të Kosovës. 

Ajo në një konferencë më 10 gusht, ku kishte akuzuar gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban, për lidhje me BIA-në serbe, përmendi edhe lidhjen e gjyqtarit me “Mamin”.

“Radomir Laban ka raporte shumë të afërta me kryeterroristin Milan Radoiçiq, pra kryeterroristin e rastit të sulmit në Banjskë, ku u vra në krye të detyrës rreshteri – heroi Afrim Bunjaku... Nga ajo që dimë, Laban nuk ka njohje vetëm me Radoiçiqin, por edhe me pjesëmarrësin tjetër të grupit terrorist dhe paramilitar në Banjskë – Vladimir Radivojeviq, i njohur me nofkën ‘Mami’, njërin prej miqve më të mirë të Radoiçiqit”, ka thënë Haxhiu në një konferencë për media. “Institucionet tona kanë dëshmi se Radomir Laban përfiton edhe aktualisht të ardhura financiare nga buxheti i Serbisë. Ai nga viti 2013 ka filluar të pranojë pagë nga Serbia si përfitim nga statusi i të zhvendosurit nga Kosova. Këtë mbështetje financiare Serbia ua jep zakonisht njerëzve që jetojnë në Serbi”.