Arbëri

Dyshimet për plagjiaturë ndaj profesorit Bezeraj do të hetohen në Këshillin e Etikës

Në mbledhjen e së enjtes të Këshillit Drejtues të UP-së, anëtarët aktualë janë pajtuar që pretendimet për punën kërkimore të profesorit të historisë duhet të hetohen. Inicimin e rastit në Këshillin e Etikës e kanë marrë përsipër në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA). Dibran Hoxha, hulumtues në ORCA, ka paralajmëruar se lënda do të dërgohet në Këshill, para se Bezerajt t’i fillojë mandati, më 1 tetor

Punimi shkencor i anëtarit të ri të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Selim Bezeraj, do të dërgohet në Këshillin e Etikës, pasi dyshohet për plagjiaturë.

Në mbledhjen e së enjtes të Këshillit Drejtues të UP-së, anëtarët aktualë janë pajtuar që pretendimet për punën kërkimore të profesorit të historisë duhet të hetohen.

Inicimin e rastit në Këshillin e Etikës e kanë marrë përsipër në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA). Dibran Hoxha, hulumtues në ORCA, ka paralajmëruar se lënda do të dërgohet në Këshill, para se Bezerajt t’i fillojë mandati, më 1 tetor. Bezeraj dyshohet për plagjiat të punimit shkencor me titull “Soziale Lage in Albanien Wahrend der Regierung des Prinzen Wilhelm Wied nach Deutchen Reisenden”, që sipas ORCA-s është identik me temën e diplomës së një personi me emrin Adam Christian, të cilën ai e kishte mbrojtur në Universitetin e Vjenës, më 2010.

“Ne si shoqëri civile do të garantojmë që rasti të shkojë në Këshillin e Etikës, para të apostrofuarit t’i fillojë mandati”, ka thënë Hoxha.

Diskutimi për Bezerajn në këtë mbledhje kishte nisur pas leximit të letrës së ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, dërguar anëtarëve aktualë të Këshillit Drejtues.

Nagavci, e akuzuar nga shoqëria civile se ka ndërhyrë në procesin zgjedhor për anëtarët e Këshillit, nëpërmjet letrës ka kërkuar që pretendimet për plagjiaturë të trajtohen me prioritet.

"Presim që pretendimet e fundit në lidhje me shkeljet e etikës të kenë vëmendjen e duhur të Këshillit Drejtues, si organi më i lartë qeverisës i Universitetit të Prishtinës, sidomos pasi objekt i pretendimeve është puna kërkimore e një anëtari të sapo-zgjedhur të Këshillit Drejtues”, thuhej në letrën e Nagavcit, të cilën e lexoi zëvendës kryesuesi i KD-së, Altin Sahiti.

“Kompetencat e Këshillit Drejtues për të vepruar në këtë rast burojnë drejtpërdrejtë nga neni 2, paragrafi 5 i Rregullores për Masat dhe Procedurat Disiplinore ndaj Personelit Akademik të Universiteti të Prishtinës, i cili autorizon Këshillin Drejtues që të paraqesë pranë Këshillit të Etikës raport për shkelje disiplinore”, shkruhej tutje në letrën e ministres Nagavci

Letra e Nagavci u vlerësua pa efekt nga anëtarët.

Naser Kabashi, anëtar i KD-së nga personeli akademik, ka thënë se letra është e përgjithshme dhe nuk përmend emra të përveçëm. Ai ka theksuar se për t’u pranuar si lëndë në Këshillin e Etikës, kërkesa duhet të jetë specifike, me dosjen e punës shkencore të Bezerajt e me faktet për plagjiaturë.

“Iniciuesi e diskuton në emër të përveçëm, përndryshe nuk është lëndë e Komisionit të Etikës, se nëse e dërgojmë kësisoj qysh e ka dërguar ministrja, unë kam respekt për e-mail, por ky e-mail nuk na dërgon askund", ka thënë ai.

Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, është përcjellë me kritika të shumta nga shoqëria civile.

Përveç dyshimeve për plagjiaturë ndaj profesorit Bezeraj, edhe Rifat Krasniqi është parë si person i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, gjë për të cilën janë shpërndarë edhe fotografi, ku shihet krah-për-krah me liderin e VV-së, Albin Kurti.

Kësisoj, 32 organizata të shoqërisë civile i kanë kërkuar ministres Nagavci vetting në arsimin e lartë.

“Është koha që institucionet e shtetit të fillojnë një proces kombëtar të verifikimit të kredencialeve akademike, me qëllim pastrimin e strukturës së stafit akademik ashtu që situata si të ditëve të fundit të mos jenë të mundura më”, thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët.

Në një konferencë për media të mërkurën, Nagavci, ka thënë se nuk kanë hequr dorë nga pastrimi i institucioneve të arsimit të lartë nga profesorët pa kredenciale akademike.