Arbëri

Dyshime për ndërhyrje zyrtarësh në tenderin e Komunës së Drenasit

Shpallja e fituesit të tenderit për fazën e dytë të rrugës Llapushnik-Berishë është përcjellë me dyshime për eliminim konkurrence nga Komuna e Drenasit e edhe për kritere diskriminuese. Pronari i një kompanie që u ankua në OSHP konfirmoi se tërhoqi ankesën pasi zyrtarë komunalë i shkuan në zyrë

Dyshime për ndërhyrje të zyrtarëve komunalë në tender dhe për kritere diskriminuese janë ngritur një ditë pasi Komuna e Drenasit publikoi njoftimin për dhënie të kontratës në vlerë rreth gjysmë milioni euro, për fazën e dytë të projektit të rrugës Llapushnik-Berishë.

Në proces të këtij aktiviteti prokurimi, kompania “Korabi” nga Drenasi u ankua për kritere diskriminuese në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), që njohët si “gjykatë e tenderëve”. Dy ekspertë shqyrtues i dhanë të drejtë për të tetë pretendimet që i listoi. Por, pavarësisht kësaj, kompania e tërhoqi ankesën.

Avdullah Morina, i cili është pronar i kompanisë “Korabi”, tha se ankesa u tërhoq me kërkesë të zyrtarëve komunalë.

“U kanë një marrëveshje për shkak të projektit se janë kanë do procedura të shpejta, puna që mos me iu dështu projekti”, ka thënë Morina.

E, kur është pyetur se në marrëveshje me kë, ai është përgjigjur: “Në marrëveshje me Komunën, që mos me iu paraqit shumë pengesë atyre, a e ke parasysh? Se është projekt që vonohet”.

Morina nuk tregoi se kush nga zyrtarët komunal i kërkoi tërheqjen e ankesës nga “gjykata e tenderëve”, por tha se ata i shkuan në zyrë.

“Kanë qenë në zyrë tek unë. Unë nuk kam qenë ato ditë andej, e nuk e di se me kë kanë folë. Veç (punonjësit e kompanisë v.j.) më kanë njoftu. Më kanë thënë që kanë qenë kësajde. Më thanë: Po kërkojnë kështu, kështu. Thashë: Në rregull, mos të pengohet projekti”, ka theksuar Morina.

Veprimi është në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, i cili në nenin 7 ua ndalon autoriteteve kontraktuese të ndërmarrin veprime për ta eliminuar konkurrencën.

Në Komunën e Drenasit nuk mohuan ndërhyrjet në këtë tender, por thanë se nuk kanë informata.

“Nuk kemi pasur informacion mbi kërkesat e zyrtarëve komunalë që përmenden. Sidoqoftë, nëse ka pasur zhvillime të tilla, janë instancat përkatëse që do të merren me hetimet. Ne do të respektojmë çdo procedurë dhe kërkesë ligjore që mund të dalë nga ky proces”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Por, kompania që ishte ankuar në OSHP, kishte listuar 8 pretendime për kritere diskriminuese dhe të paqarta, të vendosura nga Komuna e Drenasit në këtë tender.

Në mesin e kërkesave të Komunës për kompaninë që do të shpallej fitues, është “Cilindër-Valak me gunga 2.7-5 ton për Ekskavator”, për çka kompania kishte konstatuar se nuk ekziston.

Eksperti teknik i “gjykatës së tenderëve” pas analizimit të kërkesës, ka vlerësuar se ajo është e paqartë dhe nuk dihet se për çfarë makinerie bëhet fjalë, dhe si e tillë specifikimi teknik i kërkuar është diskriminues dhe i pamundëson operatorëve ekonomikë që të përgatisin dëshmitë sipas kërkesës në dosjen e tenderit.

Diskriminuese eksperti teknik e ka vlerësuar edhe kërkesën për “Papuqe hidraulike 20-30 ton”.

Komuna në dosjen e tenderit kishte kërkuar kamioneta kiper 3 copë, për çka ekspertin teknik i OSHP-së ka vlerësuar se kërkesa është e paqartë dhe nuk është relevante me natyrën e punëve.

Në mesin e kritereve Komuna ka listuar edhe këtë: “Së paku një master i arteve në menaxhimin e emergjencave, i certifikuar nga një kompani e akredituar si AUDITOR i menaxhimit për ISO 900”.

Sipas ekspertit teknik të “gjykatës së tenderëve”, kërkesa është e panevojshme dhe nuk është relevante me fazën e punëve që realizohen në kuadër të tenderit.

Pavarësisht këtyre konstatimeve, OSHP-ja më 31 korrik ka aprovuar kërkesën e kompanisë për ta tërhequr ankesën. 

E në njoftimin e OSHP-së për tërheqjen e ankesës, është bërë e ditur se kompanisë “Korabi” do t’i tërhiqet edhe shuma e tarifës së ankesës e paraparë me rregulloren e OSHP-së, për shqyrtim të ankesës, që është 5 mijë euro.

Për pasojë, edhe pse janë konstatuar kritere diskriminuese, me bekimin e OSHP-së, autoritetet lokale kanë vazhduar me procesin e prokurimit.

“Procedura e prokurimit është realizuar në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik dhe janë respektuar të gjitha afatet e përcaktuara për këtë procedurë. Çdo hap i procesit është ndjekur me rigorozitet dhe transparencë”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Faza e parë e projektit për rrugën Llapushnik-Berishë është kryer.

Bazuar në raportin për pranimin teknik të projektit, në mesin e punëve të kryera është edhe shtresa stabilizuese me gurë gëlqerorë të trashësisë 0-63 milimetra.

Por, edhe në tenderin e ri, është përfshirë pozicioni që parasheh shtresë stabilizuese me gurë të dimensioneve të njëjta.

Komuna e ka arsyetuar këtë.

“Futja e këtij pozicioni në fazën e dytë nuk nënkupton përsëritje të punimeve të kryera, por është paraparë si masë sigurie për raste ku ka dëmtime, nevojë për ngritje të trasesë apo mospërputhje teknike, duke marrë parasysh edhe terrenin malor. Kjo nuk paraqet dyfishim të pagesës, por vetëm mbulim të rasteve eventuale”, thuhet në përgjigje.

Komuna e Drenasit ka arsyetuar edhe kërkesat në tender për përdorim të zhavorrit 0-60 mm dhe 0-30 mm, duke thënë se është e domosdoshëm “për stabilizimin e bazës dhe përgatitjen për asfaltim”.
Ky proces është shumë i rëndësishëm për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rrugës, për shkak të terrenit ku po zhvillohet ky investim. Vlen të theksohet se kjo është një zonë jashtëzakonisht e vështirë, me pjerrësi të theksuara. Gjatë reshjeve të shiut, ka pasur grryerje të zhavorrit, të cilat duhet të korrigjohen me material 0-60 mm dhe më pas me shtresën 0-30 mm, si fazë përfundimtare para asfaltimit”, thuhet në përgjigje.

Në raportin e pranimit teknik të punëve të fazës së parë, e të cilin dokument e posedon KOHA, thuhet se punët janë kryer konform paramasës dhe parallogarisë. Në këtë dokument theksohet se kompania që ka kryer punët është e obliguar që t’i eliminojë të metat në 2 vjetët e ardhshëm nga data e pranimit teknik, deri në vlerën 10 për qind të kontratës bazë.

E të martën, Komuna përmes platformës e-prokurimi ka njoftuar për dhënien e tenderit grupit të operatorëve ekonomikë “Delta-CCD” dhe “Valdrini”.

KOHA ka kontaktuar me përfaqësues të këtyre kompanive, por të cilët kanë mohuar pretendimet se Komuna ka vendosur kritere diskriminuese dhe u ka bërë favore në këtë proces prokurimi.