Arbëri

Dy rrethana për zgjedhje të reja në Kosovë

Foto: Driton Paçarada / Koha

Në situatën e tashme, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj nga posti i kryeminsitrit, ka vetëm dy rrethana nëpërmjet të cilave vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, dhe të dyja i parasheh neni 82 i Kushtetutës: nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga presidenti nuk mund të formohet Qeveria e re; ose nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat e të gjithë deputetëve.

Mbështetur në deklarimet publike, shumica e spektrit politik kërkon që kosovarët t’u drejtohen kutive të votimit. Haradinaj e ka kërkuar këtë tek të premten, por dy subjektet kryesore në opozitë, LDK e LVV, ka muaj që kanë ndërmarrë veprime në funksion të mbërritjes së këtij qëllimi. Madje, së fundmi ishin gati të bënin votat për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë.

Pas dorëheqjes së Haradinajt, LDK-ja e, cila ndodhet në procesin e zgjedhjeve të brendshme, ka mbledhur Kryesinë në takim urgjent.

Nëpërmjet një komunikate, kjo parti i ka kërkuar presidentit që të nisë bisedat me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“LDK-ja në vijimësi, gjatë vitit të fundit, ka përsëritur që është e domosdoshme të shkohet në zgjedhje të parakohshme, meqë institucionet e vendit ka kohë që janë pa legjitimitet”, thuhet në komunikatë. “Zgjedhjet e parakohshme do t’ua mundësojnë qytetarëve të Kosovës që në bazë të vullnetit të tyre të japin legjitimitetin politik për të drejtuar vendin”.

Edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka theksuar se partia që e drejton, në vazhdimësi ka kërkuar që kjo qeveri të japë dorëheqje, por ka thënë se ndien keqardhje që dorëheqja ndodhi për shkak të ftesës nga Dhomat e Specializuara.

E Albin Kurti, kryetar i forcës tjetër opozitare, LVV-së, dorëheqjen e ka parë si të vonuar, e me arsye të gabuar. Edhe ai ka shtruar nevojën për t’u matur para kosovarëve.

“Moti është dashur të japë dorëheqje. P.sh. kur e ndërroi qëndrimin për demarkacionin me Malin e Zi, kur ia rriti pagën vetvetes, kur emëronte nëpër borde e menaxhmente ndërmarrjesh me mbiemra familjesh e librezë partie, kur më 13 dhjetor 2018 e dha propozimin për marrëveshje ‘Ahtisaari Plus’ me Serbinë, kur e paloi e rrafshoi buxhetin me asfalt, kur e kërcënoi prokurorin Blakaj, kur delegacioni për bisedime me Serbinë i doli antikushtetues etj. etj.”, thuhet në një reagim të shkruar të Kurtit. “Së fundi e pa që mocionin e mosbesimit të opozitës do ta votonin edhe disa prej deputetëve që e kishin mbështetur fillimisht. E kuptoi atë që ia kishim thënë dikur: kryeministrinë e ka pasur si biçikletë hua nga PDK-ja për të bërë ndonjë xhiro... Për drejtësi të vërtetë, zhvillim të qëndrueshëm, progres shoqëror, demokraci institucionale, menjëherë nevojiten zgjedhje të reja parlamentare”.

Mbështetur në Kushtetutë, në raste të shpërndarjes së Kuvendit, zgjedhjet mbahen jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes.