Arbëri

Dy paragrafë program për energji, asnjë plan për rrymën në veri

Qeveria Kurti 2 e ka tkurrur në dy paragrafë pjesën që flet për energji, e në të nuk e përmend askund çështjen e rrymës në veri. Për dallim nga programi i Qeverisë Kurti 1, ky program sipas njohësve të energjisë është degradim, pasi, siç thonë, programi i kaluar ka përmbajtur disa masa që nuk janë në programin e miratuar nga kabineti qeveritar

Zotohej që energjia do të jetë një ndër shtyllat me prioritet, por në Programin 57 faqesh të Qeverisë Kurti kjo fushë është përmbledhur vetëm në dy paragrafë. Aty nuk flitet fare për çështjen e rrymës në veri të vendit, e nuk ka as projekte konkrete.

Sipas Dardan Abazit, hulumtues në INDEP, ky program është një mundësi e humbur e Qeverisë që të shtjellojë se cilën rrugë do ta ndjekë Kosova për stabilitet energjetik.

“E gjithë pjesa e energjisë i përfshin vetëm dy paragrafë, që nuk përkon me zotimin e Qeverisë dhe të kryeministrit Albin Kurti që energjia do të jetë një ndër shtyllat kryesore prioritare dhe për të cilat do të duhet një konsensus nacional. Jemi të pakënaqur me thellësinë e diskutimeve që i janë bërë programit qeverisës, me masat që nuk janë marrë si masa konkrete, por vetëm janë diskutuar si koncepte të përgjithshme”, ka theksuar ai.

Sipas tij, në program nuk ka një listë të masave ku do të përfshiheshin edhe kostoja e tyre, edhe kohëzgjatja se kur do të realizoheshin edhe institucionet përgjegjëse.

Programi parasheh rishikimin e strategjisë së energjisë, hartimin e Planit kombëtar për energji dhe klimë, masa ambientale në “Kosovën B” dhe dekomisionimin e aseteve jofunksionale të termocentralit “Kosova A”.

“Do të punojmë në përmirësimin e menaxhimit të kapaciteteve ekzistuese energjetike si bazë për siguri në furnizim energjetik dhe rrugë e drejtë gjatë transicionit e dekarbonizimit energjetik. Do të zbatojmë masat ambientale në termocentralin ‘Kosova B’ dhe dekomisionimin e aseteve jofunksionale të ‘Kosovës A’”, thuhet në Program.

“Ndonëse ky program përfshin disa koncepte të rëndësishme siç janë procesi i dekarbonizimit dhe transicionit energjetik, ne do të donim të shihnim masa më konkrete të cilat do të paraqisnin edhe afatet kohore që duhet të realizohen, dhe cilat janë ato orientime të Qeverisë për të realizuar këtë program qeverisës”, ka theksuar Abazi.

Për dallim nga programi i Qeverisë Kurti 1, sipas Abazit, ky program është degradim. Programi nuk e parasheh as ndërtimin e Kosovës së Re, për çka Abazi thotë se është gjë e mirë, pasi po hiqet dorë nga e ardhmja me qymyr.

“Unë shpresoj shumë që ndër politikat e para të Qeverisë të jetë bashkimi energjetik me Shqipërinë, kjo duhet të fuqizohet fillimisht me investime në rrjet dhe pastaj me funksionalizimin e plotë të bllokut energjetik Kosovë-Shqipëri, futjen në funksion të bursës shqiptare të energjisë që do të krijonte kapacitete të energjisë dhe përfundimisht në një të ardhshme të afërm të kemi një strategji të përbashkët për fushën e energjisë”, ka theksuar ai.

Parashihet edhe shqyrtimi i fizibilitetit të të gjitha mundësive për zhvillimin e sistemit të gazit natyror.

“Rëndësi e veçantë do t’i kushtohet shqyrtimit të fizibilitetit të të gjitha mundësive për zhvillimin e sistemit të gazit natyror, si dhe krijimit të tregut sa më konkurrues energjetik”, thuhet në program.

“Në program përmendet që gazi do të jetë një rëndësi në të ardhshmen, por nuk ka orientim të qartë se në çfarë mase do të zhvillohet gazi në Kosovë dhe mendojmë se është e parealizueshme brenda mandatit”, ka theksuar Abazi.

Ditë më parë me një vendim të Kuvendit, Qeverisë i është dhënë kohë 6 muaj që të kompletojë Bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe të fillojë inkasimin e energjisë në pjesën veriore të vendit.

Programi flet se si Qeveria do të angazhohet për krijimin e kushteve të favorshme për furnizim të qëndrueshëm e të përballueshëm me energji për të gjithë qytetarët dhe ndërmarrjet e Kosovës, duke konsideruar edhe ndikimin në mjedis.

“Në këtë aspekt rol kyç do të luajë rritja e efiçiencës së energjisë dhe rritja e shumëllojshmërisë së burimeve energjetike. Duke u bazuar në të dhëna do të rishikojmë strategjinë e energjisë në funksion të harmonizimit me kërkesat energjetike në vend, si dhe me përpjekjet për përmirësimin e ambientit në të cilin jetojmë”, thuhet në program.

Më tej aty theksohet se do të hartohet plani kombëtar për energji dhe klimë, si dhe do të rishikohet korniza ligjore që do të bëhet në harmoni të plotë me strategjinë e re të energjisë.

“Nëpërmjet Fondit për Efiçiencë të Energjisë (EE), i cili do të jetë i qëndrueshëm financiarisht, do të zbatojmë masat e EE-së, me synim që skemat financiare të shtrihen edhe në mbështetjen e sektorit privat dhe në amvisëri”.

Në programin e Qeverisë Kurti 1 parashihej anëtarësimi i KOSTT-it në ENTSO-e, për të cilin nuk flitet në programin e ri. Aty, po ashtu, parashihej rikonceptimi i përdorimit të burimeve hidro brenda Kosovës për prodhimin e energjisë elektrike.

Në programin e ri nuk përmendet rishikimi i skemave mbështetëse për projektet e energjisë së ripërtëritshme me prezantimin e ofertave/ankandeve konkurruese për mbështetje të energjisë së ripërtëritshme.

Parashihej edhe rishikimi dhe thellimi i studimit për ndërtimin e minierës së re të qymyrit.

Në programin e kaluar është paraparë krijimi i një zone të përbashkët energjetike Kosovë – Shqipëri për të arritur raport komplementar në prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë.

“Kompletimi i kornizës ligjore për efektivitetin e energjisë, funksionalizimi i fondit dhe rritja e stimujve në sektorin privat dhe ekonomitë familjare”, parashihej në programin e Qeverisë Kurti 1, por jo edhe në atë Kurti 2.

Në programin e ri nuk flitet as për liberalizimin e plotë të tregut të energjisë elektrike, i cili do të duhej të hynte në fuqi në prill, e i cili është shtyrë në mënyrë të kundërligjshme nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, me një e-mail që i kërkohet KEDS-it që të vazhdojë furnizimin siç ka qenë më herët.

Kjo, pasi ka disa muaj që Bordi i ZRRE-së është jofunksional dhe nuk ka mundësi që të marrë vendime.

Në programin e kaluar është paraparë edhe studimi i fizibilitetit dhe analiza e kost-benefitit për ndërtimin e rrjeteve të ngrohjes qendrore në Kosovë, që në program të ri nuk është e paraparë.